Romë, 15 dhjetor 2011, NOA- Ishin martuar me gra italiane dhe jetonin në shtëpi luksoze dhe këtë e bënin për të fshehur aktivitetin e tyre, ndërsa silleshin si bashkëshortë të devotshëm. Për të lëvizur përdornin makina luksi si Mercedez dhe BMW, të cilat tashmë bëjnë pjesë në parkimin e Policisë Italiane.
Bëhet fjalë për krerët e një bande të trafikut të drogës, e drejtuar nga dy shqiptarë dhe me anëtarë romunë.
Nga operacioni i policisë pas sinjalizimeve të njëpasnjëshme u arrestuan 28 vetë, 7 nga të cilët në flagrancë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, droga kryesisht kokainë importohej nga Hollanda e Spanja, ndërsa më pas transferohej në Milano e Prato, për tu zhvendosur më tej në Ostia, Torvajanica, Pomezia, Ardea, Acilia e Vitinia.
Këto ishin vendet ku banda u dorëzonte shpërndarësve të drogës, sasinë e lëndës narkotike të paketuar për ta shitur, shpërndarësit e të cilës ishin kryesisht italianë të papunë.
Sipas hetuesve të policisë së Romës, të cilët u morën me këtë çështje thuhet se çështjet e drogës me të cilat merrej organizata shkonin deri në 10 milionë euro.
Sakaq njërit nga të ndaluarve iu sekuestrua edhe një pistoletë me karikatorin e mbushur.
Nga ana e hetuesve është hedhur dyshimi kryesor mbi rregullshmërinë e qëndrimit të shqiptarëve në Itali dhe mbi martesat me kontratë me gratë e tyre italiane dhe nëse ato janë përdorur për të marrë qytetarinë dhe për të fshehur aktivitetin me të cilin merreshin duke u sjellë si qytetarë të rregullt.
a.y/NOA