Nga Besnik Baraj
Sot opsioni i zhvillimit ekonomik të vendit është: Të tëra pasuritë natyrore të Shqipërisë të privatizohen në shkallë maksimale, si asnjë vend në rajon. A është ky opsioni më i mirë? Nisur nga përvojat e të tjerëve, kjo lë për të diskutuar shumë. Nëse është vendosur kështu, a ka patur apo ka një strategji që këto resurse të shiten sa më shtrenjtë, me qëllim që buxheti i shtetit të përfitojë sa më shumë? Po t’i hedhim një sy praktikave të privatizimit, sheh se ato janë antikombëtare.
Shqiptarët përfitojnë jashtëzakonisht pak prej tyre. Shumë shpejt këto ndërmarrjet që privatizohen kthehen nga të dështuara e të shkatërruara, sigurisht me qëllim për tu shitur sa më lirë, në ndërmarrje fitimprurëse të mëdha për privatin, por jo për shtetin. Është kjo arsyeja që Shqipëria edhe pse llogaritet me rezervat më të mëdha për frymë të mineralit të kromit në botë, edhe pse ka rezervat më të mëdha të naftës për frymë në rajon, përfitimi prej tyre është qesharak. Pa le pastaj po të vëzhgojmë gjendjen reale të minierave, vlerësohen në situatë mesjetare. Shteti nuk ka vullnet apo kapacitet të monitorojë si të ardhurat e privatëve, ashtu dhe implementimin e planeve të investimeve, që në letër janë mbresëlënëse, por ne realitet mungojnë thuajse komplet. Pa folur këtu për situatën e sigurisë së jetës, e pa folur për situatën mjedisore që është katastrofike. Minierat duken si një ferr, ku periodikisht ka humbje jetësh njerëzish. Në këto zona Shqipëria po përjeton katastrofën më të mëdha ekologjike të parë ndonjëherë.
Por ç’po ndodh me privatizimet e bëra nga kompanitë e naftës. Po përdoret një teknologji e kujdes shumë më i madh se Albpetroli. Kjo është e vërtetë. Por ndërsa të ardhurat e tyre rriten në progresion gjeometrik, inputet financiare në shtet janë aq modeste sa ekonomia shqiptare nuk i ndjen. Është kjo arsyeja që sot Shqipëria po i bën rrugët e saj me para borxh, i cili po arrin përmasat e një litari në grykën e çdo shqiptari, jo vetëm atyre që janë gjallë sot por edhe të atyre që ende nuk kanë lindur. Asnjë vend në Ballkan nuk ka një borxh kaq të madh dhe asnjë vend në Ballkan nuk ka rezerva nafte apo kromi sa ka Shqipëria. Një paradoks që flet qartë se sa efikase janë politikat privatizuese të Berishës.
Po ju them një fakt, vlera e privatizimit të Albtelekomit duke e krahasuar me kapacitete të ngjashme në vende të tjera, duhet të ishte rreth 300 milion dollarë më shumë. Para të cilat nuk u futen në arkën e shtetit. PS, sot ka ngritur zërin e saj jo vetëm për transparencë të nivelit të demokracisë, që lidhet me votën e lirë, por ajo kërkon që tu tregohet shqiptarëve me transparencë, çfarë do të përfitojnë ata dhe vendi me këto privatizime? Sa do ndikojë ky privatizim në grumbullim të ardhurash për të ulur borxhin e tyre? Sa do të ndikojë ky privatizim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve, në mos sot, të paktën nesër? Sa do të rritet numri i punësimeve? Cili është plani i zhvillimit për 5, 10, 20 e më shumë vite në raport me këto e të tjera pyetje?
Me keqardhje kemi parë se deri më sot se privatizimet kanë sjellë përfitime për ata që e kanë privatizuar por jo për shqiptarët dhe vendin. Pa dyshim një grusht njerëzish të oborrit të Berishës kanë përfituar dukshëm. Paratë e privatizimit kanë përfunduar në gropa, janë tretur në xhepat e disave, por s’kanë shkuar për të ndërtuar rrugë, për të përmirësuar gjendjen e shkollave, gjendjen e spitaleve, për të rritur pensionet, për të paguar ushtarakët në lirim, apo për të paguar ish të përndjekurit. S’ka si shpjegohet që me gjithë këto pasuri natyrore, ne të kemi borxhin më të madh në rajon.
Por këto privatizime kanë dhe një aspekt tjetër, atë të lënies jetim të përgjegjësisë së dëmit në mjedis, si dhe dëmit që u është shkaktuar banorëve të këtyre zonave. Fushat naftëmbajtëse, ku jetojnë një numër i madh banorësh, janë kthyer në lëngim për jetët e këtyre njerëzve. Është rritur numri i personave që kanë nivele të larta hidrokarburesh në gjak në të gjithë zonën e njohur si naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse të Patos-Marinzës. Lajmi pohohet nga një mjek i sëmundjeve profesionale në spitalin e Fierit. Ai shpjegon se "Në Fier nuk funksionon prej kohësh kabineti i sëmundjeve profesionale, që dikur ka qenë një ndihmëse e madhe për zbulimin e personave të prekur nga ndotja e naftës. Numri real i të prekurve është më i madh se ai që ne kemi depistuar në spital. Popullata e kësaj zone është e gjitha 'e vrarë' prej karbonit, kjo për faktin se depistimi sezonal dhe periodik i tyre, nuk po kryhet. Duke treguar se kabineti i sëmundjeve profesionale është hapur për herë të parë në vitin 1979 dhe ka funksionuar për pak vite, mjeku bën apel për ringritjen e tij.
Sipas tij ndikimi i nivelit të ndotjes dhe mungesa e kontrollit periodik të popullatës e punëtorëve, do ta shndërrojë zonën në një zonë "vdekjeje".
Prej 4 vjetësh ky laborator nuk funksionon dhe të sëmuret duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për të kryer analiza." Vetëm në një fshat, siç është Marinza, ku ndodhen mbi 1200 puse nafte, numri i personave të prekur nga karboni në gjak është 2500, ndërsa banorët e zonës shprehin shqetësimin se është ulur mosha mesatare e popullsisë dhe është shqetësuese prania e tumoreve tek njerëzit.
Nga ana tjetër shohim Berishën që deklaron me pathos se objektivi ynë është njeriu, mirëqenia e jeta e tij, gënjeshtër e përsëritur. A nuk do ishte normale që këto kompani nafte që kanë fitime të pabesueshme, brenda një kohe të shkurtër të investojnë për rehabilitimin edhe të ca zonave përveç atyre ku punojnë? A nuk do ishte normale të kishin një politike sociale e kujdesi shëndetësor për banorët e asaj zone? Kjo gjë atyre s’u shkon në mendje, por shteti duhet tu imponohet, aq më tepër kur në arkën e shtetit futen aq pak para.
Janë këto arsyet dhe të tjera që ne pa një transparencë, që përbën thelbin e politikës së PS, e shprehur qartë në programin e praktikat e saj, pa ditur cilat janë përfitimet e buxhetit të shtetit, sa do të mbulojë shlyerjet e borxheve ky privatizim, si do të jetë e ardhmja financiare e saj, si do jetë e ardhmja e punësimit e çdo të bëhet me punëtorët aktuale të saj, ne nuk mund ta votojmë. PS është e shqetësuar për gjendjen financiare dhe shoqërore, atë shëndetësore të 95% të popullsisë dhe jo për një grusht njerëzish që qëndrojnë në oborrin e kryeministrisë e përfitojnë në raporte të ngjashme me fitimet në vendet e Amerikës latine. 5%, përfshirë dhe kryeministrin me kompaninë e tij shkojnë në spitale private, po ai banori i Zharrës, ku të shkojë, të vetmin laborator të ngritur për vlerësim të sëmundjeve e kanë zhdukur. Ne jemi të shqetësuar se cila do të jetë skema e rehabilitimit të këtyre zonave aq problematike për jetën e njerëzve. Ndryshe nga Berisha që e ka vetëm me fjalë, ne në programin tonë kemi projekte konkrete për një zhvillim të qëndrueshëm të këtyre zonave e për kujdesin shëndetësor.
Ne do të vazhdojmë të denoncojmë politikat jo transparente të privatizimit që çojnë në plaçkitjen e Shqipërisë edhe pse Berisha po bën gjyqe politike me mjaft deputetë të PS për tu mbyllur gojën atyreve. Berisha ndërsa ka të drejtë të fyejë në ndere e familje gjithkënd, të futet në jetën e tyre personale, pa i hyrë gjembi në këmbë shtyn përfituesit e vet të bëjnë gjyqe presionuese ndaj deputetëve që tu mbyllet atyre goja për të mos denoncuar vjedhjet e krimet e bëra në vend. Për të mos denoncuar jetën e vështirë të banorëve në miniera, në zonat naftëmbajtëse, në qytete si Kruja që është masakruar me zhvillimet moderne industriale të Berishës. Kjo nuk është demokraci, por pseudo demokraci.
NOA