Romë, 15 dhjetor, NOA - Një shkrim tronditës për gratë shqiptare që jetojnë nën petkun e Kanunit. I tillë është ai i botuar në gazetën italiane “La Repubblica”, në formën e një reportazhi nga Shkodra ku ka shumë gra të tilla, me titullin “Një muaj punë, kushton 2 pula për gratë e burgosura të Kanunit”.
I shkruar nga Andrea Milluzi, ai nis me përshkrimin se Kodi i lashtë i nderit, i detyron gratë e Shqipërisë së Veriut të ngujohen në shtëpi, ndërsa për të luftuar urinë, ato punojnë të famshmet rruaza apo stoli, simbol i besimit katolik, të quajtura “rosario”, të cilat shiten më pas rrugëve të Vatikanit për qindra herë më shumë nga sa ato paguhen.
“Vetëm dy pula, kushton puna e një muaji të tërë për një grua shqiptare të ngujuar”, citon artikulli në fjalë, duke treguar gjendjen e trishtueshme në të cilën gjenden të tilla gra në veri të vendit tonë, që vuajnë në ende efektet e dukurisë së gjakmarrjes.
“Kanuni, do të thotë se në zonat veriore të Shqipërisë, të cilat janë më të prapambetura se pjesa tjetër e vendit, nëse një familje pëson një vrasje, atëherë meshkujt e saj mund të marrin hak mbi njerëzit e tij nëse nuk duan të marrin turpin mbi vete”, citon autori i këtij artikulli. Duke shtuar më pas se në Shkodër, ka realisht rreth 90 familje të detyruara të vuajnë nga ky ligj antik i Kanunit. Autori italian ka marrë në referim një familje të tillë, Paplekat, ku burri, gruaja, një djalë dhe një vajzë, rrinë të ngujuar në dhomën e ndenjies.
Ata tregojnë sesi ndryshoi jeta e tyre në pesë vjet, që kur Kanuni për aktin e vrasjes së një kushëriri, i detyroi ata të largohen nga shtëpia e tyre në male, për t’u fshehur në Shkodër.
Më pas, tregohet portreti i Anës që është 35 vjeç dhe që paguhet vetëm sa 2 pula në treg, për të bërë një rosario. Gra si ajo, pohon autori i shkrimit, përdoren në këtë mënyrë për të prodhuar të tilla stoli të botës katolike, të cilat në Vatikan shiten qindra herë më shtrenjtë ...
n.e/NOA
Në Foto: E ngujuara shqiptare Ana, që krijon stoli për katolikët