Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA- Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi përshëndeti përzgjedhjen e kandidaturës së Partisë Socialiste, Igli Totozanin për postin e Avokatit të Popullit.
“Avokati i Popullit është një nga 12 prioritetet e BE, dhe parlamenti duhet ta miratojë në mënyrë të hapur atë. Mirëpres kandidatin e PS për Avokatin e Popullit, ky është zhvillim inkurajues pasi procesi i përzgjedhjes u bë publik e dhe transparent”, u shpreh Sequi, raporton NOA.al.
Juristi Igli Totozani është kandidatura e përzgjedhur nga komisioni ad-hoc i ngritur nga opozita, për postin e lartë të Avokatit të Popullit. Partia Socialiste shpalli pasditen e sotme kandidaturën e Igli Totozanit si emrin më të votuar nga komisioni, pas dëgjesës publike të 12 kandidatëve. Ishte deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, e cila bëri me dije se kandidatura e Igli Totozanit do t’i përcillet tanimë kryesisë së PS-së dhe grupit kuvendor socialist.
Kandidatura e Igli Totozanit do të duhet të votohet edhe në Kuvend me votat e mazhorancës.
a.y/NOA