English

Shitja e Albpetrol, mazhoranca mbështet privatizimin, opozita kundërshton

Tiranë, 15 dhjetor 2011, NOA Update – Privatizimi i shoqërisë Albpetrol është në qendër të debatit të sotëm në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita kundërshton projektligjin, duke e cilësuar privatizimin e saj korruptiv, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço nga foltorja e Kuvendit e mbrojti projektin e qeverisë për shitjen 100% të Albpetrolit, duke nënvizuar se nga shitja e kësaj shoqërie në duart e privatit do të siguroheshin fonde për investime publike.

“Fondet që do të përfitohen nga privatizimi i Albpetrolit do të përdoren për investime rrugë, tunele. Fondet do të rriten edhe përmes të ardhurave nga tatimi mbi fitimet”, u shpreh ministri i Ekonomisë.

Sipas ministrit Naço, punonjësve të Albpetrolit të cilët pas shitjes së shoqërisë rrezikojnë të dalin në rrugë, drafti në fjalë u siguron pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.

Por, deputetët e opozitës e kanë cilësuar korruptive formulën e privatizimit të Albpetrolit.

Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive, duke nënvizuar se nuk është koha e duhur për privatizimin e plotë të Albpetrolit.

“Bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë, dhe nafta e gazi mund të rivlerësohen në miliarda dollarë, tha Ahmetaj, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalë privatizimin, dhe të presë, pasi sipas tij investitorët strategjikë për Albpetrolin nuk do të mungojnë edhe më vonë.

Ndërsa, deputetja socialiste Mimi Kodheli e kundërshtoi ligjin me idenë se me privatizimin e shoqërisë Albpetrol, tjetërsohet një aset publik tejet i rëndësishëm.

Sipas Kodhelit privatizimi i një aseti publik duhet të jetë transparente dhe në themel të procesit duhet vënë interesi i qytetarëve.

Gjatë seancës së sotme pritet të shqyrtohen edhe projektligji “Për tregtimin dhe mbikqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”; Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për noterinë” të ndryshuar”; Projektigji “Për një shtesë në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”; Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për arsimin e lartë në RSH” të ndryshuar” si dhe do të plotësohen vendet vakante në institucione.

Më pas për seancën e sotme është lajmëruar një interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, e kërkuar nga deputetja e PS-së Arta Dade.

mit/NOA

KOMENTE