English

Si mund të rikthehet Fatos Nano

Nga Armand Shkullaku

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë duket sikur Fatos Nano mbetet i vetmi politikan shqiptar që kishte një vizion politik modern dhe perëndimor. Shumë zhvillime, por veçanërisht kriza e fundit politike, jo rrallëherë kanë evidentuar lidershipin e Nanos si një vlerë të munguar. Gjithnjë, ama, të shoqëruar me një “por” nga pas. Sepse Fatos Nano, aq herë sa ka fituar nëpërmjet sfidash të forta besimin e njerëzve, po aq herë i ka zhgënjyer ata në mënyrë spektakolare. Nano mund të konsiderohet një vlerë e munguar jo thjesht për faktin se sa herë ka humbur pushtetin apo kontrollin mbi të, ka dhënë dorëheqjen. Merita kryesore e liderit socialist mbetet sistemi demokratik që ai krijoi në partinë e tij, në marrëdhëniet me aleatët dhe në raport me kundërshtarin. Ai i pati të gjitha mundësitë që pas daljes nga burgu, duke shfrytëzuar mitin e tij absolut dhe fitoren e thellë në zgjedhjet e qershorit 1997, të niste revanshin qoftë ndaj Berishës, qoftë edhe ndaj atyre që i kishin dalë kundër në partinë e tij gjatë viteve të vështira të burgut. Ai nuk hyri në ciklin e larjes së hesapeve me kundërshtarin dhe brenda kampit të tij ndau pushtet realisht, jo me demagogji e fraza boshe. Një profesor si Rexhep Meidani, larg militantizmit partiak, u zgjodh President i Republikës. Kreu i Parlamentit, Ministria e Brendshme, ajo e Jashtme etj., iu dhanë aleatëve të vegjël të PS si shenjë e ndarjes më shumë se demokratike të tortës së pushtetit. E njëjta gjë edhe me kundërshtarët brenda partisë, askush nuk u përjashtua. Përkundrazi, ata u bënë pjesë e Ekzekutivit si përfaqësues të sensibiliteteve të ndryshme në PS. Duke e bërë këtë të fundit një parti me demokraci të brendshme dhe hapësirë lirie të panjohur më parë, gjë që i garantonte çdo sukses elektoral kur krahasohej me detashmentin politik të Sali Berishës. Nano duket sot si një vlerë e munguar edhe kur gjykojmë disa akte të tij në situata tepër delikate e të rënda. Ka ditur të japë dorëheqjen dhe të garojë ndershmërisht për të rifituar besimin e humbur, ka shmangur gjakderdhje dhe ka pranuar të bëjë kompromise të vështira në momente krizash politike. Kjo mënyrë e të bërit politikë sot është harruar. Vetë Partia Socialiste, nën dirigjimin e Ramës, ka marrë trajtat e deformuara të stilit autoritar të Berishës duke krijuar një situatë ku nuk votohet për të zgjedhur një model më të mirë, por ku fiton më i forti brenda të njëjtin model të konsumuar qeverisjeje. Nisur nga këto vlera të Fatos Nanos si politikan, ambicia e tij e përsëritur së fundi për të qenë President i Shqipërisë duket e përligjur. Madje mund të jetë edhe e realizueshme nëse nuk harrohet diçka e rëndësishme. Fatos Nano nuk ka fituar asnjë post politik deri sot pa një betejë të fortë politike, e vetmja mundësi për t’i bindur shqiptarët që ai meriton fitoren apo rikthimin, pas zhgënjimit të thellë që ka provokuar. Sepse ashtu siç ka ditur të projektojë me vështirësi një politikë moderne, ashtu ka ditur me lehtësi të abuzojë e keqpërdorë pushtetin e besuar. Nano u rizgjodh Kryeministër pas provës së vështirë që kaloi në burg, duke i bindur të gjithë që nuk ishte një trashëgimtar i mentalitetit të vjetër komunist, por një politikan modern që edhe në kushte izolimi i dha partisë së tij një frymë liberale. Ai rezistoi në një gjendje të rëndë personale e familjare, duke u shndërruar në simbol qëndrese për socialistët në vitet ’92-’97. Mirëpo, me një shpejtësi të pabesueshme ai e zhbëri me duart e tij këtë realitet sapo u zgjodh Kryeministër. Akuza për korrupsion e trafiqe, abuzime në dogana e kufi, shoqërim me individë të dyshimtë e njerëz të nëntokës, sjellje të pakontrolluara në publik e gafa spektakolare në politikën e jashtme, e përmbysën imazhin e tij duke bërë që të humbte thuajse çdo përkrahje kur opozita e armatosur e Berishës sulmoi Kryeministrinë më 14 shtator 1998 dhe e detyroi të jepte dorëheqjen. Për t’u rikthyer e rifituar besimin e njerëzve, Nanos iu desh një tjetër betejë e vështirë që nisi me garën e fortë brenda partisë me Majkon dhe përfundoi me lëvizjen e famshme për katharsis, që ringjalli shpresë te socialistët e thjeshtë dhe opinioni publik. Ai pati sukses pikërisht sepse premtoi një model ndryshe dhe ia doli të ngjitej përsëri në postin e Kryeministrit. Por zhgënjimi që pasoi këtë herë ishte i dyfishtë. Nano jo vetëm abuzoi me besimin e njerëzve duke përsëritur të njëjtat gabime si paraardhësi i tij, por ai preku edhe vetë modelin demokratik-liberal që kishte ndërtuar në PS duke përjashtuar ata që mendonin ndryshe dhe duke favorizuar besnikët e tij. Kryeministri socialist dha dorëheqjen pas humbjes më 3 korrik 2005, duke u tërhequr edhe nga jeta aktive politike. Kur kanë kaluar mbi gjashtë vjet, Fatos Nano po kërkon të rikthehet në një tjetër funksion të lartë shtetëror, atë të Presidentit të Republikës. Këtë herë pa bërë asnjë betejë, asnjë përpjeke për të rikuperuar besimin e humbur dhe kapërcyer zhgënjimin që la në mandatin e fundit si Kryeministër. Ndryshe nga sa ka vepruar deri tani, ai kërkon të arrijë një fitore pa shkrepur asnjë armë. E, për profilin e Fatos Nanos, kjo duket e vështirë duke pasur parasysh edhe përmasat e dëmit të bërë nga politika e tij e fundit aktive. Atij i duhet përsëri t’i bindë shqiptarët, këtë herë shumë më tepër dyshues, se është i denjë për besimin e tyre. Nano duhet të tregojë se kërkon rikthimin jo për të kënaqur një ego personale e familjare, as për të mbledhur në Presidencë tarafin e dikurshëm të pushtet-parasë, por sepse ka një projekt konkret politik që u vlen shqiptarëve. E këtë bindje ai duhet ta krijojë jo me intriga të vogla, e as me vënien në shërbim të njërit apo tjetrit kamp politik, por me një tjetër betejë të madhe. Si dhe a është në gjendje Fatos Nano të ndërmarrë një aksion të tillë politik, kjo varet prej tij. Por rikthimi i tij është i destinuar të kalojë nëpër një betejë politike, dhe jo të vendoset në tavolinë. Kjo është kosto që duhet paguar kur shpërdorohet besimi i atyre që të votojnë, pavarësisht vlerave për të cilat të kanë votuar.

*Marrë nga gazeta Panorama

KOMENTE