Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Zotimi i kryebashkiakut Lulzim Basha se do të merren masa për të gjitha ato biznese që me rastin e festave të fundvitit ngrenë çmimet për produktet që tregtojnë, po vihet në jetë.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës vijoi sot monitorimin intensiv të tregjeve të kryeqytetit me qëllim parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve.
Mësohet se ditën e sotme Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake ishin sot në tregun me shumicë në “Uzinën Dinamo”.
Në mbështetje të aksionit të nisur prej ditësh nga Bashkia e Tiranës ishte edhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve të cilët ka ushtruar kontrolle të shitjes me shumicë dhe pakicë e produkteve të shportës por edhe fruta-perimeve.
Burime zyrtare nga Bashkia, konfirmojnë për NOA.al, se pikat e shitjes me shumicë kishin afishuar listën e çmimeve si dhe tregtonin mallrat të shoqëruara me faturat tatimore.
Më tej, Task- Forca e Bashkisë së Tiranës vazhdoi monitorimin në të gjitha tregjet me shumicë dhe pakicë si dhe supermarketet e Tiranës, duke verifikuar çmimet dhe luhatjen e tyre.
Sakaq Bashkia bën të ditur se për çdo rast abuzimi me çmimet do të merren të gjitha masat siç parashikohen në ligj ndërsa emrat e subjekteve dhe drejtuesve të tyre do të bëhen publik në media, duke shprehur vendosmërinë se do të mbrohen konsumatorët nga çdo lloj abuzimi.
a.y/NOA