Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA Update/ Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë takimit me një grup studentësh nga Kosova, se e ardhmja e dy vendeve është Bashkimi Europian. Duke ju përgjigjur interesit të studentëve për mundësinë e bashkimit të dy vendeve në të ardhmen, Berisha tha se kjo ide është e rrezikshme, duke shtuar se aspiratat evropiane duhet të jenë pika e bashkimit të dy vendet.
“Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Ne jemi një popull i ndarë në mënyrë të padrejtë. Copëtimi i shqiptarëve është një nga aktet më të padrejtë që u është bërë shqiptarëve, por fatmirësisht u korrigjua me çlirimin e Kosovës. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të rrezikojmë humbjen e territoreve”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se çdo brez qytetarësh ka detyrat e veta. “Çdo brez bën detyrat e tij dhe ky brez i ka bërë. Nuk ka një mrekulli më të madhe për ne se sa pavarësia e Kosovës. Me pavarësinë e Kosovës kurorëzon përpjekjet e shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin”, tha Berisha.
a.k/NOA