English

Berisha: Nëse ndryshojnë kufijtë, e sigurt që shqiptarët humbin sërish territore

Kryeministri Berisha zhvillon një bashkëbisedim me studentë të Fakultetit të Edukimit, Universiteti i Prishtinës: “Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë, në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër, të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre. Jemi të lirë, por ne nuk duhet të marrin asnjë lloj veprimi, i cili kërcënon humbje territoresh. Ky është qëndrimi im”

Tiranë, 16 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Kryeministri Sali Berisha ka pranuar sot për herë të parë se shqiptarët janë në rrezik që t’u copëtohen sërish kufijtë, në rast se vazhdojnë kërkesat për bashkim të Shqipërisë me Kosovën. “Ne jemi një komb që 130 vitet e fundit dhe më gjatë, na kanë grabitur territore shumë të mëdha, në histori gjërat duket t’i themi siç janë - dhe ato nuk janë më të shqiptarëve. Toka u takon të gjallëve, ata të gjallë që janë aty, nuk janë më shqiptarë. Janë kombe të tjera. Ne nuk duhet të tentojmë asgjë e cila mund të cenojë territore shqiptare”, - ka deklaruar sot Berisha, në kryeministri, ku priti një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit në Gjilan, pjesë e Universitetit të Prishtinës, të kryesuar nga pedagogu Et’hem Çeku. “Ruajtja e territoreve është interesi vital kombëtar, më i madhi. Në një rivizatim të kufijve, është e sigurt që shqiptarët do të humbasin sërish territore dhe kjo do të ishte e pafalshme. Ndaj, duhet të ecim drejt proceseve integruese evropiane, të lirë, duhet të bëjmë gjithçka të unifikojmë çdo gjë, por administratën nuk mundemi”, - deklaroi Berisha. Ai përforcoi thëniet e tij kur tha se “interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë, në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër, të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre”. Kurse shtoi: “Jemi të lirë, por ne nuk duhet të marrin asnjë lloj veprimi, i cili kërcënon humbje territoresh. Ky është qëndrimi im”.

Gjatë këtij takimi, cili u zhvillua në formën e bashkëbisedimit, Kryeministri iu përgjigj pyetjeve të tyre për çështje të ndryshme që lidhen me integrimin europian, unifikimin e standardeve e praktikave midis Shqipërisë e Kosovës, çështje të arsimit dhe probleme të ndryshme të zhvillimit.

Më poshtë vijon i plotë bashkëbisedimi i Kryeministrit me studentët nga Kosova ku në fillim gjeni pikërisht deklaratat për temën e nxehtë të bashkimit Shqipëri-Kosovë

A mund të kemi një administratë të përbashkët Kosovë-Shqipëri?

Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, dy motra dhe, natyrisht, do të kenë dy administrata. Në projektin e bashkimit kombëtar, një projekt për të cilin shqiptarët kanë luftuar një shekull, sot unë mendoj se interesi më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Përse e them këtë? Ne jemi një komb dhe jemi ndarë në mënyrën më të padrejtë. Ajo përbën një nga padrejtësitë më të mëdha historike. Copëtimi i shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha, në fillim të shekullit të kaluar, është një nga aktet më të padrejta që është bërë, por që fatmirësisht, u korrigjua me mbështetjen që i bënë çlirimit të Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila duke legjitimuar pavarësinë e Kosovës dhe duke e përputhur atë me të drejtën ndërkombëtare, de facto hodhi poshtë të gjitha Traktatet që ndanë e copëtuan shqiptarët. Por, përse atëherë shqiptarët duhet të jenë të interesuar për këta kufij ekzistues? Ne jemi një komb që 130 vitet e fundit dhe më gjatë, na kanë grabitur territore shumë të mëdha (në histori gjërat duket t’i themi siç janë) dhe ato nuk janë më të shqiptarëve. Toka u takon të gjallëve, ata të gjallë që janë aty, nuk janë më shqiptarë. Janë kombe të tjera. Ne nuk duhet të tentojmë asgjë e cila mund të cenojë territore shqiptare. Ruajtja e territoreve është interesi vital kombëtar, më i madhi. Në një rivizatim të kufijve, është e sigurt që shqiptarët do të humbasin sërish territore dhe kjo do të ishte e pafalshme. Ndaj, duhet të ecim drejt proceseve integruese evropiane, të lirë, duhet të bëjmë gjithçka të unifikojmë çdo gjë, por administratën nuk mundemi. Kur themi një komb me dy administrata, do të thotë të mos ketë barriera të tjera. Duhet të jemi shumë optimistë, sepse ne kemi pasur një nga historitë më të dhimbshme në Europë, por, me çlirimin e Kosovës dhe me Pavarësinë e Kosovës, ne kurorëzojmë absolutisht një nga historitë më të suksesshme të kombeve evropiane. Në histori nuk mund të kesh vetëm lavdi, por ke edhe rënie edhe lavdi, e tillë është historia. Por pavarësia e Kosovës kurorëzon në mënyrën më të shkëlqyer, përpjekjet shekullore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Imagjinoni që ata që na copëtuan në vitet ’12, pranuan një pavarësi në ¼ e territoreve shqiptare. Ata e morën këtë vendim të bindur se në territore të tjera nuk do të ketë më shqiptarë, pas një shekulli dhe u gabuan. Pas një shekulli është një Kosovë e pavarur dhe faktikisht, Pavarësia e Kosovës finalizoi Pavarësinë e Shqipërisë, sepse ajo ishte një gjysmë pavarësi, sepse ishte pavarësi vetëm në një pjesë të territorit. Kështu që, unë jam i bindur se ne kemi shumë arsye për të parë me një optimizëm shumë të madh të ardhmen tonë. Unë isha në 12 nëntor në Kosovë për të inauguruar rrugën e Kombit. U emocionova shumë. Kosova, në një hark kohor 3-vjeçar e pavarur, ndërton 40 km autostradë të parametrave më të mirë që ekzistojnë. Po sjell një shembull: Shqipëria doli nga diktatura në një gjendje të sfilitur dhe, në 4 vitet e para, gjithçka arritëm të ndërtojmë ishte një autostradë 6 km, nga Tirana te Ura e Limuthit. E dhashë këtë shembull për të treguar se përse duhet të jemi optimistë. Ne jemi vende në zhvillim, do kalojmë në stadin e kombeve dhe vendeve të zhvilluara dhe ndaj atyre që vijnë, ne i kemi bërë detyrat tona. Ata pastaj le të bëjnë detyrat e tyre. Çdo kohë ka detyrat e veta.

A e parashihni në një të ardhme të afërt bashkimin e këtyre dy shteteve, të Shqipërisë dhe Kosovës, apo do të ekzistojnë gjithmonë mes nesh kufij?

Projekti i bashkimit të shqiptarëve është projekti i integrimit në BE dhe ju garantoj se, kur shqiptarët në Shqipëri e Kosovë të kenë realizuar ato standarde që kërkohen për të qenë anëtarë të BE-së, do të jenë më mirë se kurrë në historinë e tyre dhe me arritje më të mëdha. Pra, ky është projekti dhe ne duhet ta shohim të ardhmen tonë në BE. E theksova edhe njëherë, se përse është interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij. Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur këta kufij është sepse shqiptarët nuk duhet të pranojnë, në asnjë rast e në asnjë rrethanë tjetër, të humbasin qoftë dhe një metër katror tokë të tyre. Në rast se shqiptarët, të supozojmë për një moment se do të kërkonin ndryshimin e këtyre kufijve, në një rivizatim tjetër, unë ju garantoj se do të shënonte humbje të pamerituar të territoreve shqiptare. Nuk duhet të harrojmë se këto territore, në një të shkuar absolutisht jo të largët, janë shtrirë nga kufiri me Bullgarinë deri në Novi Pazar e më thellë. Sot nuk janë më ata kufij, ndaj edhe në qëndrimin tonë ne duhet të jemi të durueshëm. Jemi të lirë, por ne nuk duhet të marrin asnjë lloj veprimi, i cili kërcënon humbje territoresh. Ky është qëndrimi im. E theksova se çdo brez bën detyrat e tij. Ky brez i ka bërë ato, sepse e nënvizoj edhe njëherë se nuk ka ndonjë mrekulli më të madhe në historinë tonë që nga koha e Skënderbeut, sesa çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Ajo ka qenë një arritje e jashtëzakonshme, sepse ishte një arritje në kundër-rrymë. Shqiptarët e arritën, sepse ndoqën dhe organizuan një qëndresë të pashembullt paqësore dhe më pas, luftarake dhe bënë miq të mëdhenj për vete, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kushtetutën e Shqipërisë, sa mbrohen shqiptarët si komb në tërësi dhe jashtë kufijve të saj, si për shembull në Luginën e Preshevës?

Shqiptarët, në tërësi, sot kanë mbrojtje të lirive e të drejtave të tyre kushtetuese në Shqipëri, në Kosovë. Ata kanë një ridimensionim të vërtetë të lirive e të të drejtave të tyre në Maqedoni, pas Marrëveshjes së Ohrit. Ata kanë avancim të madh të lirive e të drejtave të tyre në Mal të Zi, pas një koordinimi të forcave politike shqiptare me autoritetet vendore. Shqiptarët në Preshevë, përsa u përket lirive e të drejtave të tyre, janë absolutisht në epiqendër të vëmendjes të Shqipërisë e të Kosovës, por në mënyrë të veçantë të Shqipërisë. Ne ndjekim me shumë interes zhvillimet në Luginë, bëjmë përpjekje dhe në bisedat me autoritetet serbe, në bisedat midis Tiranës e Beogradit, problemet e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës janë gjithnjë në rendin e ditës. Ish Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme zoti Meta, në vizitën e tij zyrtare, e cila ka qenë edhe vizita më e rëndësishme zyrtare e shkëmbyer midis dy vendeve, bëri një vizitë edhe në Preshevë. Ndërkohë ne kemi marrëdhënie direkte me autoritetet vendore të Preshevës, përsa i përket shkollimit. Shqipëria nuk ka kufizim në kuota për shkollimin e vajzave e djemve nga Presheva, me kushtin e vetëm se ata duhet të kthehen të punojnë e t’u shërbejnë qytetarëve, nga zonat nga kanë ardhur. Ndërkohë ndiqet me interes problemi i sistemit arsimor, shëndetësor dhe në çdo rast, ne kemi një dialog konstant dhe po diskutojmë gjerësisht me Beogradin çështjen e diplomave, pra, të njohjes së diplomave të lëshuara nga universitetet tona, për të diplomuarit shqiptarë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Pra, interesi është e do të jetë shumë i madh.

Çka mendoni ju sa ka bërë Republika e Shqipërisë në ngritjen e institucioneve gjithëkombëtare e gjithëpërfshirëse dhe këtu mendoj për një Akademi mbarëkombëtare, programe shkollore të përbashkëta, për të cilat mendoj se janë faktorë që thyejnë barrierat që, fatkeqësisht, janë të pranishme brenda hapësirës shqiptare?

Shqetësim shumë i drejtë. Duhet bërë shumë më tepër. Realitet janë gjithnjë për t’u vlerësuar siç janë. E vërteta është se ndarja pothuaj një shekullore e kombit tonë, të copëtuar në mënyrën më të padrejtë, ka pasur pasojat e veta direkte në zhvillimet në këto troje e këto vende. Është në detyrimin më të madh të autoriteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë e kudo që të bëjnë çdo përpjekje për kapërcimin e këtyre pasojave, për unifikimin e standardeve e të praktikave në tërësi në fushën e edukimit, të kulturës dhe në të gjitha fushat e tjera. Koncepti im është një komb me dy administrata. Po bëhen hapa në këtë drejtim dhe më të shpejta duhet të jenë. Po punohet shumë në drejtim të lidhjeve infrastrukturore, energjetike që janë jetike, por janë jo një e dy, por me mijëra proceset, praktikat, standardet, për të cilat ne duhet të punojmë me përkushtim të madh t’i unifikojmë ato. Shqiptarët kudo që janë duhet të ndjehen njëlloj në Tiranë, Prishtinë apo kudo tjetër.

Një projekt madhor që e keni filluar dhe që po vazhdon më tej, rruga e kombit, duke shpresuar që një pjesë e saj të shkojë tek ne, në atë skaj, se ne e konsiderojmë veten si pjesë të Shqipërisë. Para disa ditësh, ishte për vizitë në Kosovë kryesocialisti Rama dhe deklaroi se nuk kishte asgjë kundër autostradës. Cili është opinioni juaj për këtë?

Lidhur me rrugë e kombit, zoti Rama, të paktën, me qindra herën është ngritur kundër saj dhe unë dua t’ju them se rruga e kombit është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare dhe së pari, nga jashtë Shqipërisë, të huaj, së dyti, ka pasur mbështetje edhe brenda vendit. Përse u kundërshtua? Përse kishte një armiqësi të madhe ndaj saj? Eksponentë me një formimi politik arkaik e konsideronin rrugën e kombit, së pari, si një rrugë që do bashkonte shqiptaret dhe sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të bashkoheshin. Së dyti, në rrafshin gjeopolitik, në një vështrim historik të së shkuarës së largët e jo fort të largët, ka ekzistuar gjithnjë një rivalitet midis portit të Durrësit dhe atij të Selanikut, kur është zhvilluar njëri, ka rënë tjetri. Këto individë e grupe mendonin se rruga e kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit. Pikëpamja jonë dhe e vërteta është se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e saj. Por nuk mund ta pengonin, sepse ajo ishte një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është një vend sovran dhe vendimet e mëdha i merr vetë, më mënyrën më të qartë. Kështu që, pas një beteje shumë të vendosur me këto grupe, të cilët ishin të vendosur në institucione të ndryshme ndërkombëtare e jo ndërkombëtare, por që kishin arritur ta bllokonin, filluan sapo u kontraktua, grupe në Shqipëri, me një egërsi të paimagjinueshme. Rruga dhe ju keni ardhur nëpërmjet saj, është nga ndërtimet që Becktel & Enka kanë bërë. Becktel, që ka ndërtuar edhe tunelin e La Manche dhe ka me mijëra rrugë, ura, tunele të ndërtuara në Europë e në botë, e rendit këtë rrugë në një nga 2-3 kryeveprat e saj, sepse, siç e keni parë, ajo kalon në terrenin më të vështirë. Natyrisht, kjo rrugë është rrugë e kushtueshme. Por atyre, të cilët u bien borive se ka një korrupsion prej qindra milionë euro, u them se kostoja e përgjithshme e saj për kilometër është më pak se 10 milionë euro. Para kësaj rruge, në një vend mik këtu afër është ndërtuar një autostradë, që kalon në një terren shumë më pak të vështirë se ky, me kosto prej 13 milionë euro për kilometër. Rruga me kosto totale nën 10 milionë euro, ka mbi 11 kilometra tunel. Natyrisht, unë nuk them se nuk është vepër e kushtueshme, por të shpallësh shuma marramendëse që nuk kanë asnjë dokument e asnjë fakt tregon se u bëre pjesë e atyre lobeve, që luftuan me të gjitha mjetet për të bllokuar ndërtimin e rrugës. Dhe kreu i Partisë Socialiste, me disa të tjera segmente këtu, e kryesoi këtë procesion, por nuk e penguan dot, se rruga u ndërtua. Ajo rrugë u ndërtua në trajektoren më të shkurtër të saj. Natyrisht, kjo ishte trajektorja më e kushtueshme e saj. A ka të drejtë zoti Rama të rishqyrtojë qëndrimin e tij? Po, ka të drejtë. Çdo njeri ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet e veta, errare humanum est - të gabosh njerëzore është, por të pretendosh se nuk ke qenë kundër rrugës, në një mënyrë akuzon veten tënde, sepse shqiptarët kanë një memorie të kthjellët. Ne jemi komb me memorie, si çdo komb tjetër.

Duke ditur rëndësinë e madhe që ka për secilin shtet hyrja në BE, rastin më të freskët kemi Kroacinë, që është konfirmuar se do të hyjë në vitin 2013 dhe ne si shqiptarë jemi të interesuar të kemi shtetin tonë atje, kur mendoni se Shqipëria do të hyjë në BE dhe mendoni se hyrja e saj në BE do të mundësojë që edhe Kosova të hyjë për një periudhë më të shkurtër në BE?

Së pari, hyrja e Kroacisë në Bashkimin Europian është një ngjarje shumë pozitive për kombin mik kroat dhe për të gjithë rajonin. Çka do të thotë se dyert e Bashkimit Europian janë të hapura dhe se ky proces do të realizohet mbi bazën e meritës. Procesi i anëtarësimit në BE është një proces që kalon nëpërmjet përmbushjes së kritereve, standardeve dhe praktikave që janë të përbashkëta për vendet anëtare. Të gjitha këto synojnë tre gjëra: që qytetarët të bëhen më të lirë; qytetarët të bëhen më të sigurt; qytetarët të bëhen më të mëkëmbur. Ndaj ky është projekti që garanton të ardhmen më të shkëlqyer për shqiptarët. Shqiptarët e mbështesin atë më shumë se çdo komb tjetër. Qeveria po punon me intensitet të madh për përmbushjen e këtij universi standardesh, reformash, praktikash. Por këtu ndodhi një gjë e pashembullt, i pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e në Europë. Forca politike kryesore opozitare e vendit, Partia Socialiste, në statutin e saj kishte të shkruar se, në rast se partia humbet zgjedhjet, kryetari jep dorëheqjen. Por, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2009, zoti Edi Rama mblodhi Kongresin e Partisë Socialiste, ndryshoi statutin dhe shkroi në statut se, nëse partia humbet zgjedhjet, kryetari nuk jep dorëheqjen. Deri këtu nuk ka habi të madhe, sepse kryetarët, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë, ka raste kur japin dorëheqjen, ka raste kur nuk e japin. Por problemi madhor ishte se kërkoi 2 vjet me radhë të rinumërohen votat, pasi një gjykatë e zgjedhur me konsensus kishte hedhur poshtë kërkesën e tyre për rinumërimin e votave. Gjykata e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë, sepse zoti Edi Rama nuk kishte qoftë edhe një fakt të vetëm të provonte se zgjedhjet ishin manipuluar, apo se numërimi nuk ishte bërë në rregull. Gjykata u shpreh, kur nuk ka kundërshti, divergjenca, nuk ka drejtësi. Drejtësia gjykon mbi kundërshtinë. Dhe nuk kishte asnjë fakt, sepse sistemi ynë zgjedhor është shumë kurioz, për dijeni tuaj. Në tryezën ku vlerësohen kutitë e votimit dhe numërohen fletët e votimit, çdo njeri, qoftë komisioner, qoftë vëzhgues, është me të drejtë vetoje. Për shembull, në tryezën e numërimit vjen një kuti votimi që duket e rregullt, por, në rast se një prej tyre ngre dorën, ajo kuti votimi nuk hapet dhe vihet mënjanë si kuti e kundërshtuar, ose kur nxirren fletët e votimit nga kutia, ato shfaqen dhe vlerësohen, por, në rast se dhjetë veta thonë se është e rregullt, edhe një të thotë jo, fleta e votimit futet në zarf si e parregullt, ose kur bëhet mbledhja e rezultatit, në rast se njëri ngre dorën, numëruesi është i detyruar tre herë me radhë të bëjë llogaritjen. Pra, është sistem shumë i siguruar. Dhe në fund, nga sistemi dalin disa materiale të kundërshtuara, të cilat kalojnë në komision, në gjykatë, pra, ndjekin rrugën e materialeve të kundërshtuara. Pastaj i tërë materiali tjetër del konsensual, i pakundërshtuar. Ndaj as ata dhe as ne nuk kishim çfarë të paraqisnim kundër, përveç atyre që ishin kundërshtuar gjatë procesit. Ndaj raporti i OSBE/ODIHR shkroi për zgjedhjet se nuk ka pasur asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Megjithatë zotëria, në një rast që nuk e ka bërë kush gjer më sot as në Beograd, Podgoricë, Shkup, Zagreb, Tiranë apo gjetiu, bojkotoi parlamentin dhe nuk votonte ligjet me 3/5-at, për të treguar se vendi është i bllokuar. Natyrisht, këto ligje ishin pjesë e atyre reformave që Shqipëria duhet të bënte për të ecur përpara për statusin e kandidatit në Bashkimit Europian. Këto ishin 4-5 ligje, por fakt është se ai i bllokoi ato. Ne nuk i kishim 3/5-at e votave, kemi 74 deputetë. Me gjithë ofertat tona të përsëritura, zotëria nuk pranoi asnjëherë t’i votojë, duke besuar se nëpërmjet bllokimit të statusit do të dëmtonte qeverinë, por e vërteta është se dëmtoi palcërisht veten e tij dhe partinë e tij. Në zgjedhjet e majit të këtij viti dhe pasi koalicioni që ai drejtoi dhe pasi hyri në këto zgjedhje lokale për një plebishit kundër qeverisë, mori 12 për qind më pak se koalicioni qeverisës dhe pasi pati një humbje të katërfishtë personale në qytetin e Tiranës, nxori mësim dhe pranoi ato që i ishin ofruar, absolutisht çdo javë që nga shtatori i vitit 2009. Tani le të shohim përpara. Unë e marr këtë si një problem tërësisht shqiptar që duhej të zgjidhej e duhet të zgjidhet në kuadrin e Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi. Ai bëri përpjekje nga më absurdet për të marrë pushtet me dhunë, por ky ka qenë viti, në të cilin institucionet, shtetit ligjor dhe rendi kushtetues në mënyrë të përsëritur kanë faktuar qëndrueshmërinë dhe funksionim e tyre. Tani jemi ulur e po shqyrtojmë reformat që duhet të bëjmë dhe unë garantoj opozitën se mbetem i hapur plotësisht, sikundër mbetem i vendosur në mbrojtjen e disa parimeve që janë themelore. Kurrë një pakicë nuk mund t’i diktojë në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet, një shumice. Kjo nuk është çështje personale, por e funksionimit të sistemit demokratik. Ky ka qenë qëndrimi im dhe kjo ka bërë që më në fund të kuptohet nga zoti Rama, i cili ka pranuar pikë për pikë, ato që i janë ofruar dy vjet më parë. Ka një vit e gjysmë që i është afruar vendi i Avokatit të Popullit, sepse ajo ishte një kandidaturë që kërkonte 3/5-at dhe votohej në parlament. Ne u thamë që nuk do të paraqesim asnjë kandidaturë, paraqiteni ju dhe ne do ta votojmë. Vendosëm vetëm një kusht; kandidati të mos ketë aktivitet persekutues në të shkuarën komuniste, pra të mos ketë persekutuar qytetarët. Pas një viti e gjysmë ata e zgjodhën dhe ne do ta votojmë, ashtu siç është marrëveshja. Pra, unë jam i prirur të shoh përpara. U bë një tentativë për të dëmtuar një qeveri, duke dëmtuar integrimin, por shqiptarët e hodhën poshtë atë si një praktikë që nuk e miratojnë. Le të shohim përpara. Natyrisht, procesi integrues i Shqipërisë ka rëndësi edhe për Kosovën edhe për rajonin dhe, në këtë drejtim, bashkëpunimi ekziston dhe do të jetë gjithnjë e më intensiv. Shqiptarët e kanë të ardhmen më të shkëlqyer në Bashkimin Evropian.

Cili është raporti juaj me shtetet fqinje që janë anëtare të BE-së dhe a e respektojnë ata sovranitetin e shtetit shqiptar?

Vendet anëtare të BE-së që kemi përreth ishin 3, tani janë 4 në rajon, Greqia, Italia, Slloveni dhe fatmirësisht, së fundi, edhe Kroacia. Marrëdhëniet bilaterale me to janë shumë të mira. Aktualisht, Greqia është në një krizë të thellë të lidhur me euron dhe borxhet, krizë, të cilën ne urojmë dhe dëshirojmë ta kapërcejnë sa më shpejt. Kurrë ndonjëherë, po pati dhimbje te fqinji, nuk mund të ndihesh mirë as ti. Për më tepër, të jem i sinqertë që, nga situata ekonomike në Greqi, e cila duket se ka pasur disa tejkalime, pas grekëve, shqiptarët janë atë që kanë përfituar më shumë, pasi kemi pasur emigracionin më të madh. Në vizitën time në Athinë, më duhet t’u them se u njoha me faktin se aty ka mbi 100 mijë apartamente të blera nga shqiptarët dhe një numër shumë të madh të bizneseve të vogla që kontrolloheshin nga shqiptarët. Italia është një vend mik i cili ka dëshmuar këto 20 vjet solidaritetin më të lartë ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Kosovës. Nuk duhet të harrojmë se sulmet ajrore të Aleancës mbi regjimin e Millosheviçit, bazat kryesore i kanë pasur në Aviano dhe në territorin e Italisë dhe në ato momente, kur kishte edhe atje forca politike që kundërshtonin (njëri prej tyre thoshte se nuk duhet ta bombardojmë Milloshevicin se forcohet Berisha, marrëzi të marksizëm- leninizmit të tyre), Silvio Berluskoni, që ishte në opozitë, ka votuar Masimo D’Alemën, të cilin donin ta rrëzonin dhe e ka mbajtur në pushtet, e ka bërë këtë në mënyrë që Italia të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s. Pra, marrëdhëniet me këto vende janë shumë të mira. Janë shumë të mira me Slloveninë, janë shumë të mira me Kroacinë. Natyrisht, midis fqinjëve gjithmonë ka probleme, por e rëndësishme është fryma e hapur me të cilën i trajton problemet. Po marrim Greqinë, nuk është se nuk ekzistojnë problemet, por ato probleme trajtohen nga të dy palët në mënyrën më të hapur. Unë isha tani në Marsejë dhe një mik i imi grek më pyeti: çfarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese? I thashë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka prekur njësoj edhe shqiptarët, sepse gjykata jonë vendosi që të vendoset thjesht shtetësia shqiptare. Gjykata Kushtetuese mori një model. Modelin që ne kishim e kanë edhe vende te tjera. Por nuk është një vendim që ka targetuar vetëm minoritetet. Jo! Ka targetuar të gjithë qytetarët. Shqiptarët tani nuk mund të thonë më sa janë. Të gjithë janë shqiptarë.

Cili është vlerësimi juaj për nivelin i arsimit në Shqipëri, në krahasim me vende të tjera të Bashkimit Europian?

Për fat të keq, sistemi i arsimit ka qenë në një rrokullisje të vërtetë. Cilat ishin shkaqet? Së pari, pagat ishin shumë të ulëta për mësuesit dhe kishte një largim pothuajse masiv të mësuesve nga arsimi. Me ato rroga që merrnin ata, përballimi i jetës së tyre ishte shumë i vështirë. Së dyti, në Shqipëri, në vitet 80-90 u ngrit një sistem i tërë shkollash të mesme bujqësore, bazuar në kooperativat dhe fermat ekzistuese, sistem i cili për hir të së vërtetës, një shumice të madhe djemsh e vajzash, u jepte mundësinë të mbaronin shkollën e mesme. Ato ishin shkolla të mesme të profilit bujqësor. Shqipëria në atë kohë kishte jo më shumë se 50 gjimnaze, shkolla të mesme të përgjithshme dhe të gjitha të tjerat ishin bujqësore dhe ndonjë tjetër,shkollë teknike profesionale. Falimentimi i këtyre shkollave, pas shembjes së kooperativave, bëri që në Shqipëri të ulej në mënyrë shumë të ndjeshme numri i nxënësve që ndiqnin shkollat e mesme, të ulen vitet e edukimit bazë, nga 11 në 9. Pra, ky ishte një regres i vërtetë në vite. Krahas kësaj, Shqipëria e ka pasur larg mesatares evropiane numrin e studentëve për frymë. Në qoftë se BE e kishte 40 studentë për 1000 banorë, ne e kishim 12 studentë për 1000 banorë. Në rast se vendet e zhvilluara, përqindjen e të diplomuarve në popullatë e kishin; SHBA 32 për qind, vendet veriore 26 për qind, vende të tjera te 20 për qind, Shqipëria e kishte rreth 3.7 për qind. Kjo ishte situata. Çfarë bëmë ne? Së pari, vendosëm në epiqendër mësuesin. Në qoftë se nuk trajton mësuesit, nuk do të mund të ketë sistem arsimor të zhvilluar. Në një përpjekje jo shumë të lehtë, ne kemi dyfishuar në 4 vjet rrogat e mësuesve. E premtuam dhe e realizuam dhe vazhdojmë ta bëjmë ende këtë gjë. Sot mësuesi merr 120 për qind më shumë se sa merrte 6 vjet më parë. Së dyti, ndërtuam një sistem të tërë konviktesh, nga Tropoja deri në Përmet dhe në gjithë zonën verilindore dhe juglindore të vendit, në mënyrë që fëmijët që përfundonin klasat e 9-a, nga çdo zonë e thellë ku nuk kishte më shkollë të mesme, t’i merrnim në konvikte dhe t’i shkollonim. Së treti, gjatë këtyre 6 viteve, në Shqipëri janë ndërtuar e rindërtuar rreth 9 mijë km rrugë. Shqipëria ka pasur rrjetin rrugor më të shkatërruar që mund të kishte një vend, por Shqipëria ka një rrjet rrugor në kilometra, 8 herë më të gjatë se Kosova. Kosova është në tërësi një vend i sheshtë, kurse Shqipëria është 80 për qind male dhe gjithashtu, është vendi me lartësi mesatare më të lartë ne Evropë, 708 m. Përveç Alpeve të Veriut që janë të pabanuara, përjashto disa fshatrave në hyrje të tyre, zonat e tjera malore të Shqipërisë janë të banuara. Po të shkosh në Dajt, pas tij, gjen fshatra kudo. Pra, ne kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë një sistem të ri rrugor. Kjo ka bërë të mundur që përqindja e nxënësve që përfundojnë klasën e 9 dhe që ndjekin shkollat e mesme, të rritet, nga 59 për qind që ishte 6 vjet më parë, në 91 për qind. Në Kosovë shkolla e mesme është me detyrim. Edhe ne e kemi diskutuar këtë gjë, por kjo përqindje e përjashton detyrimin, sepse detyrimi duhet të vendoset kur rrugët e tjera nuk funksionojnë. Por përqindja prej 91 është nga më të lartat dhe ne nuk e bëmë këtë. Për sa i përket studentëve, ne hapëm dyert e universiteteve dhe, ashtu siç edhe ju keni fakultet në Gjilan, në Prizren tani, ne kemi disa universitete periferike dhe hapëm mundësitë për arsimin e lartë privat. Numri i studentëve, nga 52 mijë në vitin 2005, arriti në 138 mijë në vitin 2010, duke u trefishuar. Numri i studentëve mund të rritet edhe diçka më shumë. Sot, 70 për qind e atyre që mbarojnë shkollën e mesme, hyjnë në universitete dhe kjo është një nga përqindjet më të larta në botë. Duke dhënë këto përqindje, jam shumë i vetëdijshëm se këto janë arritje në fushën sasiore. Detyra më thelbësore është të ecim në cilësi, cilësia duhet të jetë qëllimi ynë kryesor. Po punojmë shumë në këtë drejtim dhe nuk është arritje që mund të realizohet në kohë të shkurtër. Megjithatë, ne jemi përqendruar tashmë më shumë se për çdo gjë tjetër, në cilësinë e arsimit.

Na intereson të dimë raportin e shtetit shqiptar në sferën ekonomike me Kosovë, duke ditur se Shqipëria është një vend shumë i pasur në fushën hidrike, Kosova është një nga vendet më të pasura në Europë në fushën e ligniteve. Duke parë se Europa ka telashe me zhvillimin ekonomik, me energjinë, a mund të kemi një program të përbashkët ekonomik në fushën e energjisë, duke parë se ky treg është shumë i madh në Europën Juglindore?

Mendoj se fusha e energjisë është një fushë parësore për të gjitha qeveritë dhe vendet. Është fat i madh që Shqipëria e Kosova janë vende me potenciale të mëdha energjetike. Kosova, me lignitet e saj, mund të shndërrohet në një prodhues kryesor energjetik në rajon, Shqipëria me ujërat e saj, mund të shndërrohet dhe ka ambicie të shndërrohet në një prodhues kryesor të energjisë së rinovueshme në rajon. Ne kemi për të ndërtuar 443 hidrocentraleve, kemi firmosur me sektorin privat ndërtimin e 300 prej tyre, 73 janë në ndërtimi e sipër, kanë përfunduar procedurat ose janë në ndërtim e sipër. Ka projekte ndër më të mëdhatë në Europë, siç është kaskada e Devollit. Këto kohë është në treg Kaskada e Vjosës. Lumenjtë në Shqipëri nuk janë të mëdhenj, por të marrë së bashku, bëjnë pothuajse Danubin në ujëra. Ata janë shumë të përshtatshëm për energjinë e pikut, energjia më e kushtueshme, ndaj dhe ka një interes shumë të madh në ndërtimin e tyre. Kosova po përpiqet të ndërtojë termocentrale të reja dhe kjo është shumë e domosdoshme. Është jetike që Shqipëria dhe Kosova të vendosin në një komandë unike sistemet e tyre energjetike. Kjo komandë nuk ekziston sot akoma, por me ndërtimin e Linjës së re 420 KV, Tiranë – Prishtinë, e cila fillon muajt e ardhshëm ndërtimin, pasi është siguruar financimi nga të dy qeveritë, nga Banka gjermane për Zhvillim, mundësia e vendosjes në një komandë të vetme të sistemeve energjetike bëhet reale. Në këtë mënyrë, secili vend do të mund të kursejë së paku 15 për qind të energjisë që prodhon, ku Shqipëria me ujërat e saj, të furnizojë në pikun, në kulmin e shpenzimit të energjisë, Kosova me termocentralet të furnizojë natën. Pra, ekziston kjo leverdi shumë e madhe e bashkëpunimit në fushën e energjisë.

KOMENTE
  • Frosina Mezini01:50 - 17 Dhjetor 2011
    Une do shtoja ate qe Sali Berisha nuk e tha se nu i lejohet qe ta thote Publikishte por qe eshte ekuptushme per ata qemarin veshe nga gjuha Diplomatike e te berit Politik, qe menyra me e mire per te rimare trojet tona Shqiptare, patjeter qe nuk duhet te kerkojme bashkim tani se automatikishte ato troje i humbin njeher e pergjithmon,por duhet te ndjekim plitiken e ripopullimit te ketyre trojeve pra ata Shqiptare qe e deshirojne Bashkim e Trojeve Shqiptare dhe qe ndihen Patriot urgjentisht kush te kete mundesi duhet te shperngulet ne ato troje te Grabitura nga Armiqet tane,dhe duke u rivendosur ne ato troje te ritin pjellshmerin e femijve ashtu sic e kane pase tradite Shqiptaret deri me Sote dhe keni per te pare qe per nja 50 vjete ne do i ripopullojme ato teritore te grabitura me racen tone te Rilindur, dhe pasi ne ti kemi ripopulluar me racen tone Shqiptare ato teritore te humbura qe ne to sote banojne Serb dhe popuj te tjer Sllave dhe Greke ateher eshte koha e favorshme per ne qe te kerkojme ribashkim te Trojeve Shqiptare se tani ne patjeter dalim te Humbur si p.sh tani ne nuk mundet ta marim as Orin e as Shkupin apo Camerin e cila eshte teritori me i madhe Shqiptar i Cpopuluar nga Shqiptaret dhe i hokupuar nga magjypet Grepo keshtu me radhe ne Maqedoni Serbi apo Mal te Zi prandaj Sala ka dhene nje Ide te shkeqyer qe te tregohemi te duruar se gjithmon i duruari i fituari,se te jeni te bindur se pase 50 vjetesh ne Maqedoni 65% e Popullsis do jete Shqiptare dhe gjuha Shqipe o do behet gjuha e pare Zyrtare ne Maqedoni dhe keshtu maqedonia do jete Shteti i tret Shqiptar ne Ballkan,pra Shqiptar Urte e But dhe obura mose e prishni Traditen qe te beni deri ne 10 femij, se ata si Slavet dhe Greket po vjeterohen ne menyre dramatike dhe jane Kombe ne plakje dhe pakesim dhe kjo eshte perpasija jone ritja e popullsis Shqiptare ne Maksimum ne menyre qe te rilindim dhe te rimarim ato qe na kane grabitur dhe pastaj nuk na duhet asnje lloje Leje per tu bashkur se duke qene Shumice jemi dhe me te fort dhe jemi Zotet e vetvetes, dhe nuk na duhet te derdhim gjake,sepse ne situaten e tanishme ne do sakrifikojme shume vetveten dhe do veme ne veshtirsi Partneret tane Strategjik, dhe ne funde nuk kemi per ti aritur ato qe na takojne,prandaj duhe ti meshomje Patriotizmit me efikas dhe me te zgjuar qe ne funde te fundit tja u kethejme armiqve tane shekulore me po te te njeten Monedhe me Djallezin me kunderveprim nenrogos po jo si te atyre brutale por ate Moderne qe ta mer shpirtin me pambuk.