Mekanizmi për kthimin e vizave me procedurë urgjente në situata të jashtëzakonshme mund të miratohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, thotë Tanja Fajon, anëtare e Komitetit të PE për liritë civile. "Kjo nuk është aspak e re. Për propozimin e Komisionit për pezullimin e regjimit pa viza për një vit e gjysmë apo kohë më të gjatë, tashmë një kohë të gjatë po diskutohet kjo në Këshillin, Komisionin dhe Parlament Evropian” - i tha Deutsche Welle-s Tanja Fajon
Ajo që Parlamenti Evropian kërkon, është që të ketë rol më të madh në tërë procedurën, dhe në rast të një situate ku një vend anëtar kërkon pezullimin e vizave, kjo të mos ndodhë brenda natës. Duhet të ketë mekanizma për të parandaluar që një vend anëtar t'a përdorë këtë mekanizëm si një mjet politik", shpjegoi eurodeputetja sllovene, njëkohësisht anëtare e Komisionit të PE për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.
Vazhdojnë negociatat për mekanizmat e kthimit të vizave
Sipas saj, tani ende është duke u negociuar për detajet e kushteve nën të cilat një shtet anëtar mund të kërkojë rivendosjen e vizave. "Unë mendoj dhe pres që Parlamenti Evropian dhe Komisioni për Liritë do të votojë për raportin në fillim të vitit të ardhshëm dhe nëse ne gjejmë pajtim me Këshillin, atëherë ky mekanizëm do të miratohet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm."
Kërcënimi nga rivendosja e vizave për vendet e Ballkanit
E pyetur nëse ekziston rrezik real për Ballkanin Perëndimor për pezullimin e regjimit pa viza, Fajon thekson: "Ky rrezik ekziston tanimë që nga fillimi dhe veçanërisht në rrethanat ku jemi sot. Në BE po ndjehet populizmi dhe nacionalizmi në kohën kur qeveritë janë duke luftuar me krizën ekonomike dhe financiare. Numri i atyre të cilët po kërkojnë ndryshimin e të drejtave të Shengenit, ndryshimin në liritë e lëvizjes, po rritet gjithnjë e më shumë dhe nga e gjithë kjo është i kërcënuar regjimi i heqjes së vizave. "
Mekanizmat për rivendosjen e vizave ekzistojnë edhe tani
Fajon thekson se tashmë ekziston mekanizmi i kontrollit. Nëse disa vende kërkojnë të rivendoset një shtet në listën e zezë të Shengenit, kjo edhe tani mund të bëhet, por jo në mënyrë të shpejtë. Mekanizmi për të cilin tani po diskutohet, kur të miratohet, lejon që rivendosja e vizave të ndodhë në një kohë të shkurtër. Meqenëse ky është një vendim që nuk e ndryshon rregullativën, ky mekanizëm quhet pezullim prej gjysmë viti. Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës Thomas Hammarberg, ka shprehur kritika ndaj masave të zbatuara në Maqedoni dhe në vendet tjerat të Ballkanit për të parandaluar azilkërkuesit e rremë që largohen nga vendi. Këto masa vlerësohen si një shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjë që garanton të drejtën për të lënë vendin. Sipas eurodeputetetes Fajon për këtë çështje të ndjeshme është diskutuar në Parlamentin Evropian.
Sipas saj duhet të veprohet konform respektimit të të drejtave të njeriut. "Jam në dijeni se autoritetet tashmë kanë bërë disa hapa pozitivë, por me sa duket kjo nuk mjafton. Prandaj këtu nevojitet shumë kujdes dhe sigurisht qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet, nëse ata shkelin të drejtat e lëvizjes së lirë, jo vetëm për ata por edhe për tërë vendin.”
Është e rëndësishme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Maqedoninë dhe Serbinë, të bëjnë ç'është e mundur për të parandaluar qytetarët që të lënë vendin e tyre dhe t'i thyejnë rregullat e lëvizjes së lirë. Pastaj, të drejtojnë fushata informacioni dhe ti mbrojnë kufijtë e tyre si dhe natyrisht të bashkëpunojnë me shtetet anëtare të cilat kanë probleme, si dhe me Komisionin Evropian dhe Parlamentin", shprehet Fajon.
Numri i azilkërkuesve nuk është alarmant, por ai mund të keqpërdoret
Fajon më tej tha se deputetët informohen rregullisht për numrin e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, numri më i madh i të cilëve është refuzuar. "Nuk është ndonjë numër alarmant, nëse ky vendoset në kontekstin e të gjithë emigrantëve që vijnë në Bashkimin Evropian, por megjithatë, ekziston rreziku, sidomos në një situatë të populizmit dhe nacionalizmit (...). Kjo nganjëherë ndjehet, por ky nuk është justifikim për autoritetet që të parandalojnë qytetarët që të lëvizin lirisht", përfundon Tanja Fajon bisedën me Deutsche Welle-n.