Prishtinë, 16 dhjetor 2011, NOA- Një grup djemsh që merreshin me tregtimin e lëndëve narkotike përfunduan pas hekurave të policisë.
Burime zyrtare nga policia e Kosovës thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al, se gjatë ditës së sotme falë disa operacioneve policore në qytete të ndryshme si Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan, u goditën 5 të rinj që merreshin me shpërndarje droge si dhe u sekuestrua një kilogramë lëndë narkotike.
Po të njëjtat burime informojnë se të rinjtë e prangosur mbajnë identitet, Shaban R., Shefqet Z, Dardan B., Ardisan Z., dhe Veton Z.
Në cilësinë e provës materiale në vijim të operacioneve u sekuestruan: Një revole TT prodhim Jugosllav, një pistoletë, 67 fishekë kalibër 7. 62mm, 38 fishekë 9 mm dhe 3 7.65 mm, dokumente të ndryshme të falsifikuara dhe 1400 euro.
Ndërkaq nga ana e policisë dyshohet se këta persona për një kohë të gjatë kanë vepruar si grup i organizuar duke kryer këto vepra penale në zona të ndryshme të Kosovës.
a.y/NOA