"Gjatë viteve të tij si President, nga 1995 deri më 2007, Chirac-u kishte imunitet. Pasi u larguan nga detyra, disa prej çështjeve u mbyllën për shkak të skadimit të afateve."...
The Economist
Dënimi i Jacques Chirac-ut ka habitur edhe vetë kundërshtarët politikë të ish-presidentit të Francës. Dje në mëngjes, një gjykatë pariziane e shpalli z. Chirac fajtor për keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Parisit në vitet ’90 dhe e dënoi me një sentencë të pezulluar dyvjeçare. Ai është ish-presidenti i parë i Republikës së Pestë që është gjykuar nga një gjykatë krimesh.
Çështja ka të bëjë me të ashtuquajturën “punët e rrejshme”. Ndërkohë që z. Chirac ishte kryebashkiak i Parisit, një post i fuqishëm që ai përdori si kaluç për në presidencën e Francës në vitin 1995, të punësuar të ndryshëm në borderonë e Bashkisë së qytetit ishin në fakt duke punuar për partinë e tij goliste. Alain Juppé, aktualisht ministri i Jashtëm i Francës, asokohe krahu i djathtë i z. Chirac, u dënua në lidhje me të njëjtën çështje në vitin 2004. Shtatë nga nëntë të akuzuarit gjithashtu u shpallën fajtorë këtë javë.
Për ata që i kishin humbur shpresat se Chirac-u do të jepte llogari ndonjëherë, ky është një vendim i jashtëzakonshëm. Për vite me radhë hetuesit u janë qepur çështjeve të ndryshme që lidheshin me ish-presidentin; që nga faturat e fryra të ushqimeve te kontratat e shtëpive për të pastrehët. Por, pothuajse të gjitha u arkivuan. Gjatë viteve të tij si President, nga 1995 deri më 2007, Chirac-u kishte imunitet. Pasi u larguan nga detyra, disa prej çështjeve u mbyllën për shkak të skadimit të afateve.
Edhe çështja aktuale dukej se nuk do shkonte askund. Ka pasur vonesa të pafundme procedurale. Vjet z. Chirac dhe partia e tij në pushtet, pasardhëse e partisë që ai themeloi dhe udhëhoqi, i pagoi Bashkisë së Parisit 2.2 milionë dollarë si dëmshpërblim për rastin e “punëve të rrejshme”; Bashkia, që udhëhiqet nga socialistët, në reagim u tërhoq si palë paditëse. Edhe prokurori publik bëri thirrje për pushim të çështjes ndaj z. Chirac.
Chirac nga ana e tij, përveç rimbursimit të Bashkisë këmbënguli se nuk kishte bërë asnjë shkelje ligjore apo morale. Gjatë vjeshtës avokatët e tij arritën që të shmangnin një shfaqje në gjyq të ish-presidentit 79-vjeçar me shfajësimin e ‘delikatesës mendore”. Ata argumentuan para gjykatësit se si do të ndikonte vendimi në vendin e z. Chirac në histori.
Paradoksi është se z.Chirac u shpall fajtor në një kohë kur simpatia e publikut për të është e lartë si asnjëherë më parë. Ai nuk ishte një figurë popullore kur u largua nga detyra. Por në pension ai është bërë njëfarë figure gjyshërore, i parë me dashuri, dhe ai rregullisht është në krye në anketimet e opinionit publik. Ai vuan nga humbja e kujtesës së madhe edhe disa prej detraktorëve të tij kanë ngritur dyshime për gjyqin e tij. Kështu që francezët ka gjasa që ta trajtojnë këtë dënim me ndjenja të përziera, madje edhe me pak keqardhje. Por për klasën politike, dënimi i z. Chirac dërgon mesazhe të fuqishme. Madje mund të jetë paraardhës i fundit i kulturës së mosndëshkimit për zyrtarin publik francez. Përveç dënimeve të zotërinjve Chirac dhe Juppé, është edhe rasti në proces i hetimeve rreth abuzimeve seksuale të një ish-ministri, një tjetër për financimet partiake ilegale që lidhen me Lilian Bettencourt-in, trashëgimtaren miliardere të perandorisë së kozmetikës L'Oréal dhe në fund një për përgjimet ilegale të gazetarëve. Për herë të parë ka një ndjesi se politikanët francezë po gjykohen sipas të njëjtave standarde si dhe të vdekshmit e zakonshëm.
NOA