English

Jo një parti drejtorësh

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është një parti drejtorësh apo zyrtarësh dhe nuk ka lindur si e tillë Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë qytetare, është një forcë evropianizuese. Të qenit qytetare dhe evropianizuese janë në thelbin e saj

Nga Ilir Meta

Lëvizja Socialiste për Integrim në Shkodër do të vazhdojë të zgjerojë radhët e saj. Shkodra është një qendër historike dhe mjaft e fuqishme e kulturës. Është një qendër që gjithmonë ka pasur dhe ka intelektualë të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat. Është detyra jonë dhe e juaja që të integrojmë sa më shumë prej tyre në këtë forcë politike pasi Lëvizja Socialiste për Integrim është një mundësi e madhe për cilindo për të shpalosur taentin e tij, aftësitë e tij dhe për të pasur mundësinë për të kontribuar për komunitetin kudo ku ai ndihet i aftë. Unë jam i sigurt se duke forcuar punën akoma më tej me Lëvizjen Rinore për Integrim, me Lëvizjen e Gruas për Integrim, të cilat janë 2 shtylla shumë të rëndësishme të forcës sonë politike, ne do të arrijmë të shtojmë energjitë e reja, energjitë pozitive dhe jo vetëm të emancipojmë më tej forcën tonë politike por të jemi një shembull për të gjithë komunitetin.

Duke dëgjuar diskutimet tuaja, është e qartë se vështrimi juaj sheh drejt viti 2013 dhe kjo është mëse normale sepse çdo forcë politike pasi përfundon një garë përgatitet për garën tjetër. Ne e kemi treguar se nuk i lëmë përgatitjet për në fund por përkundrazi përgatitja jonë është e vazhdueshme sepse ne e kemi konsideruar veten që në fillim si një lëvizje. Një lëvizje e cila është e pandërprerë, një lëvizje e cila reflekton vazhdimisht problemet dhe shqetësimet e qytetarëve, problemet e vendit dhe një lëvizje që rrit angazhimet e saj për të kontribuar në këtë drejtim. Zgjedhjet e 8 majit dhe votat që mori Lëvizja Socialiste për Integrim, rritja e saj spektakolare, jo vetëm në Shkodër apo në Tiranë por në të gjithë vendin, me gati 40 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2009 nuk ishin një rastësi. Ato ishin një vlerësim për zgjedhjet e vështira por të pjekura, të mençura dhe të guximshme që ka bërë LSI-ja. Nuk ishin të paktë ata që parashikonin që ato 80 e ca mijë zemrat që ishin “braktisur” nga LSI-ja do të pushonin. Pas vendimit historik të LSI-së për të bërë një koalicion për interesat e vendit dhe për interesat e integrimit evropian, ato jo vetëm që nuk do të pushonin së rrahuri për Lëvizjen Socialiste për Integrim por ato u shtuan edhe me 40 mijë zemra të tjera. Në zgjedhjet e 2013-ës të jeni të sigurt ju se do të ketë një rritje shumë herë më të madhe sepse ne jemi një forcë politike që jo vetëm është realiste, jo vetëm është një forcë e re pa paragjykime, një forcë, e cila edhe në koalicion di të tregojë dallimet e saj, di të tregojë vlerat e saj, por njëkohësisht jemi një forcë e orientuar drejt interesave kombëtare dhe interesi më i madh sot kombëtar është integrimi i vendit. Unë jam shumë i gëzuar që pas një viti, dhe pikërisht dje u bë një vit qëkur qytetarët shqiptarë shijuan të drejtën për të lëvizur pa viza në hapësirat e zonës Shengen, 800 mijë shqiptarë brenda një viti e patën këtë mundësi, e shfrytëzuan këtë të drejtë njerëzore të merituar prej kohësh, por të privuar për shkak të asaj trashëgimie izolimi dhe prapambetjeje që e dinë të gjithë. Pas këtij viti nuk u konfirmuan deklaratat e papërgjegjshme të atyre politikanëve, edhe brenda vendit, që thoshin se, “Po t’iu hiqni vizat ju shqiptarëve, na vjen keq por, nga varfëria 1 milion shqiptar do ikin nga Shqipëria”. Raporti më i fundit i komisioneres përkatëse në Bashkimit Evropian, tregoi se shqiptarët kanë qenë më korrektët për të respektuar detyrimet që i fituan me punën e tyre, me sakrificat e tyre, me standardet që u arritën përgjatë këtij viti. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme, që tregon se ne jemi një popull i qytetëruan, një popull që nuk abuzojmë me të drejtat që fitojmë dhe në këtë mënyrë një popull që meriton të fitojë akoma dhe më shumë mundësi drejt integrimit të plotë evropian. Prej dy vitesh, në mënyrë të padrejtë, procesi i integrimit evropian në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat, u bllokua për arsyen e vetme sepse duhej krijuar në mënyrë të sforcuar një konflikt politik për të nxjerrë në pah një protagonizëm destruktiv, që ambiciet personale i vendos mbi interesat kombëtare dhe mbi interesat edhe të forcës politike që përfaqëson. Të gjithë qytetarët shqiptarë e duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të gjithë qytetarët shqiptarë e duan Shqipërinë si gjithë Evropa, po atë që kërkuan studentët e dhjetorit 21 vjet më parë. Të parët që duhet të respektojnë këtë aspiratë e këtë vullnet janë pikërisht politikanët, prandaj është e rëndësishme të reflektohet dhe të ecet në rrugën për përmbushjes së këtyre detyrimeve. Natyrisht, çdo katër vjet ka zgjedhje dhe secili ka të drejtë të kërkojë votën për të qeverisur, por nuk mund të provokohet vendi dhe qytetarët pa pushim me një konflikt politik që nuk prodhon aspak vlera pozitive për proceset integruese, për forcimin e stabilitetit të vendit, për forcimin e institucioneve, të cilat janë gjithashtu të përbashkëta, për rritjen e kredibilitetit të Shqipërisë si një vend, i cili është vërtetë një parajsë për investitorët e huaj dhe dihet se investimet e huaja janë rritur në mënyrë të ndjeshme përgjatë gjithë këtyre viteve edhe në këto kushte shumë të vështira që po kalojnë edhe vende shumë të zhvilluara evropiane, edhe vendet e rajonit tonë. Në këto momente secili duhet të gjejë forcë dhe kurajë për të ngritur mbi egot e sëmura, mbi ëndrrat për pushtet dhe duhet ta nxjerrë në plan të parë atë përgjegjësi që kërkohet, dhe kërkojnë qytetarët nga çdo politikan. Ndaj unë besoj se edhe konferenca e sotme shënon një hap shumë të rëndësishëm përpara nëpërmjet zgjedhjeve që do të zhvilloni dhe të ndërtoni pas kaq kohësh strukturat legjitime të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Shkodrës, të cilat vijnë pas një suksesi shumë të rëndësishme të zgjedhjeve të 8 majit dhe do të jetë puna dhe udhëheqja e këtyre strukturave, të cilat do të kenë edhe mbështetjen tonë më të madhe që do të mundësojë drejt realizimit të objektivave shumë të mëdha në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. Por, përpara se të shkojmë tek zgjedhjet e vitit 2013, kemi vitin 2012-ën, që vit i jashtëzakonshëm, është 100- vjetorit të shtetit shqiptar, është viti i 100-vjetori i pavarësisë, është një vit që e feston i gjithë vendi sepse është një vit, i cili i bashkon të gjithë rreth një flamuri të përbashkët. Shkodra ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme jo vetëm për arritjen e pavarësisë së vendit, jo vetëm për krijimin e shtetit shqiptar, por përgjatë gjithë historisë, jam i sigurt se kontributi juaj, i të gjithë shkodranëve dhe i të gjithë shqiptarëve do të jetë maksimal në mënyrë që viti 2012 të jetë jo vetëm një festim, por të jetë edhe një vit që të dëshmojë rritjen e përgjegjësisë së të gjithëve për të ardhmen e Shqipërisë për të ardhmen e kombit tonë, dhe mbi të gjitha të jetë një vit, ku ne të kemi mundësi të hedhim edhe një hap tjetër përpara Evropës së Bashkuar si një vend evropian, si një komb evropian. Ju uroj suksese dhe njëkohësisht pas të gjithë zgjedhjes së këtyre forumeve, të gjithë së bashku do të shkojmë në të gjitha njësitë vendore të rrethit të Shkodrës për të angazhuar të rinj dhe më të fuqishëm të këtij misioni të përbashkët për të ardhmen.

KOMENTE
  • Ing Ilirjan Çuedari23:15 - 16 Dhjetor 2011
    :p e kush flet :p :P :p Jo parti drejtoresh por parti shefash dhe sekseresh _________________________ I added cool smileys to this message... if you don't see them go to: http://s.exps.me