English

Klubi Tirana me administrator dhe drejtorin teknik të ri

Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Klubi sportiv i Tiranës ka emëruar ditën e sotme administratorin dhe drejtorin teknik.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, nën drejtimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është zhvilluar mbledhja e Këshillit Mbikqyrës të SHA Tirana. Në këtë mbledhje është vendosur ndryshimi i strukturës aktuale të organizimit, diktuar kjo edhe nga shndërrimi i Tiranës në Shoqëri Aksionere.

Në strukturën e re, drejtimi i Tiranës ndahet në administrativ dhe teknik. Këshilli Mbikqyrës emëroi në postin e administratorit zotin Salih Tagani dhe në postin e drejtorit teknik zotin Alban Tafaj.

Një takim i veçantë është zhvilluar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha me futbollistët, trajnerin dhe Këshillin Mbikqyrës të SHA Tirana. Në këtë takim u analizua edhe gjendja financiare e Klubit Tirana ku zoti Basha premtoi zgjidhje të shpejtë të ngërçit të krijuar. Kryebashkiaku Basha shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur me të gjitha mjetet dhe mënyrat në dispozicion klubin “Tirana”, sikundër garantoi se fondet dhe donacionet do të rriten për klubin, për të krijuar kushte më të mira për futbollistët në ambientet e tyre sportive por edhe në ndeshjet jashtë Tiranës.

a.y/NOA

KOMENTE