Vjenë, 16 dhjetor 2011, NOA- Në vijim të vizitës së tij në Austri, kryeparlamentari Jakup Krasniqi zhvilloi një drekë pune me kryetarin e dytë të Këshillit Nacional të Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer.
Në këtë takim u diskutua për gjendjen në Kosovë, me theks të veçantë për gjendjen në veri të vendit, për dialogun me Serbinë dhe për perspektivën europiane të Kosovës.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Krasniqi, falënderoi Austrinë dhe parlamentin e tij për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Ai u shpreh i bindur se Austria do të vazhdojë t'i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe ta mbështesë Kosovën në planin e zhvillimit ekonomik dhe se Vjena zyrtare do të ndikojë pozitivisht për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në.
Nga ana e tij, Neugebauer theksoi se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, si në planin e zhvillimit ekonomik ashtu edhe në proceset integruese në Bashkimin Europian.
Vizita e Krasniqit dhe delegacionit kosovar në Austri përfundon ditën e nesërme, kura ata do të kthehen në Kosovë.
a.y/NOA