Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Dhoma e Tregtisë Britanike zhvilloi një takim pune me kreun e Doganave për uljen e çmimeve dhe reduktimin e procedurave.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, ky takim u zhvillua në kuadër të informimit dhe rritjes së transparencës të marrëdhënieve të biznesit me administratën publike, si edhe përmirësimit të bashkëpunimit me këtë administratë për rritjen e konkurrencës së ndershme dhe të të bërit biznes në Shqipëri.
Nisur edhe nga iniciativa e fundit e Bashkisë së Tiranës, anëtarët e Dhomës shprehën mendimin se ulja e kostove ndaj biznesit është tërësisht e mundshme në mënyrë që konsumatori të përfitojë çmime më të pranueshme.
Presidenti i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha theksoi faktin se sistemi i doganave në Shqipëri ka marrë një vlerësim pozitiv nga anketimet e bëra me kompani të ndryshme, dhe organizuar nga Dhoma. Por, gjithashtu, ai theksoi nevojën e përmirësimit të disa aspekteve, shumë lehtësisht të përmirësueshëm, dhe që kanë një ndikim në punën e kompanive dhe rrjedhimisht në rritjen artificiale të kostove operative të këtyre kompanive.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka përshëndeti të pranishmit dhe parashtroi disa nga përparësitë e punës së Doganës, ku bashkëpunimi me kompanitë për marrjen e vërejtjeve të tyre dhe përmirësimin e procedurave si edhe puna për përshtatjen e procedurave në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, përbënin prioritetin e punës të ekipit drejtues të Doganës Shqiptare, ndërsa u kërkoi konkurrencë të ndershme bizneseve.
a.y/NOA