English

Kryesia e re trazon PS, ikin Islami e Seseri, Majko drejt OKB

Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Normaliteti i Partisë Socialiste ose të paktën ajo që ishim mësuar të shihnim përditë nga kjo seli është trazuar mbrëmjen e sotme.

Ndërsa më herët gjatë ditës u mblodh Kryesia e re e saj, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se ishte një mbledhje konsultative e Kryesisë, prej së cilës u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur, pasi kjo mbledhje tha ai krijoi bindjen për zgjedhjen e drejtë nga Asambleja Kombëtare dhe se konfirmoi garancinë e tyre për të punuar në fitoren e radhës... por orët në vijim treguan tjetër gjë.

Dy ligjvënës të kësaj partie tashmë nuk do të rreshtohen në radhët e saj, njëri i përjashtuar, e tjetra e ikur me vullnet të lirë... bëhet fjalë për Kastriot Islamin e Rudina Seserin.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Kastriot Islami i përfolur shpesh si një nga kritikët më të fortë të kryesocialistit Edi Rama, ndonëse një nga themeluesit e partisë është përjashtuar nga gjiri i saj.

Ndërsa shumë herë ishte përfolur dhe diskutuar qëndrimi i tij kundër linjës së kryetarit, këtë herë përgjigja për të ka qenë e prerë ku Kryesia e re është treguar e vendosur duke e nxjerrë përherë nga radhët e anëtarësisë, socialistin e vjetër.

një prononcim për mediat menjëherë pas publikimit të lajmit, Islami u shpreh se, “Më përjashtuan nga partia 30 vjet pas eliminimit të Mehmet Shehut. Byroja e para 30 viteve i kërkoi “Mehmetit” autokritikë”.

Burime zyrtare nga selia rozë, konfirmuan për NOA.al se, ka qenë Kryesia e PS e cila pas diskutimeve të shumta vendosi të përjashtojë Kastriot Islamin nga anëtar i PS, ndërsa pritet që të martën të vendoset edhe përjashtimi nga grupi parlamentar.

Seseri: Lë mandatin për angazhime më të mëdha profesionale

Deputetja socialiste Rudina Seseri është shprehur haptaz se dëshiron të ndërpresë mandatin e saj të deputetes, ose të paktën ky është qëndrimi i saj zyrtar.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në argumentin e saj në një letër dërguar Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Seseri shprehet, “Lë mandatin e deputetes për angazhime private, nuk e kam më të mundur të vazhdojë detyrën e deputetes, pasi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale.

Në qëndrimin e saj Seseri shton se ky angazhim që ajo synim të marrë është eksperiencë unike për të kontribuar duke theksuar se shkëputja është e menjëhershme.

Sakaq ajo falënderon kryesocialistin Edi Rama për mundësinë e ofruar, ndërsa shton se mbështetja e saj për PS është e palëkundur. Ndërkaq zëra të tjerë jozyrtar po nga kjo parti shprehen se edhe Seserit i është komunikuar të lërë detyrën për shkak të mungesave të shumta në seancat e parlamentit.

Rudina Seseri u zgjodh si deputete nga lista e kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.

Majko: Propozimi për në OKB i mirëpritur, por thjesht kandidaturë

Deputeti socialist Pandeli Majko ka reaguar lidhur me lajmin se emri i tij është propozuar si kandidat zyrtar për Ndihmës Sekretar të Përgjithshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në një qëndrim të tij, Majko sqaron se, “Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë kombeve të bashkuara, në pozicionin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish Bashkimit Sovietik dhe Kaukazit. Për një politikan karrierë si unë, pavarësisht moshës time të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtar. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij Zoti Ban Ki-Moon ai i cili do të përzgjedh kandidaturën më të përshtatshme”.

Në vijim ai shton se vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste dhe të japë kontributin tij brenda Kryesisë së Partisë Socialiste.

a.y/NOA

Në foton e parë e të dytë: Kryesia e re e Partisë Socialiste, mbledhur ditën e sotme

Në foton e tretë: I përjashtuari nga radhët e PS, Kastriot Islami

Në foton e katërt: Rudina Seseri

Në foton e pestë: Pandeli Majko

KOMENTE