Kakavijë, 16 dhjetor 2011, NOA- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u ndal sot për inspektim në pikën kufitare të Kakavijës, ku shprehu kënaqësinë e tij për ecurinë e dikasterit që ai drejton.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri u shpreh se, “Liberalizimi i vizave ishte sukses për Shqipërinë, kjo sepse shqiptarët kanë respektuar standardet e kërkuara dhe rregullat që kërkoheshin”.
Sipas tij, kjo arritje është historike për vendin, pasi janë respektuar të gjitha afatet e kërkuara dhe se ky është sinjal i mirë. Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, ai shtoi më tej se është rritur kontrolli dhe goditja e grupeve të drogës, duke theksuar goditjen e vazhdueshme që iu bë krimit.
Pak ditë më parë, ambasada e Belgjikës në vendin tonë nëpërmjet një letre dërguar Ministrit Nishani, vlerësoi uljen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria drejt shtetit belg.
a.y/NOA