Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Zhvillime të bujshme vijnë nga Partia Socialiste, për dy eksponentë më peshë të saj.
Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, Kastriot Islami i përfolur shpesh si një nga kritikët më të fortë të kryesocialistit Edi Rama, ndonëse një nga themeluesit e partisë është përjashtuar mbrëmjen e sotme nga gjiri i saj.
Ndërsa shumë herë ishte përfolur dhe diskutuar qëndrimi i tij kundër, këtë herë përgjigja për të ka qenë e prerë, duke e nxjerrë përherë nga radhët e ligjvënësve socialistëve.
Në një prononcim për mediat menjëherë pas publikimit të lajmit, siç raporton NOA.al, Islami u shpreh se, “Më përjashtuan nga partia 30 vjet pas eliminimit të Mehmet Shehut. Byroja e para 30 viteve i kërkoi Mehmetit autokritikë”.
Ndërkaq një tjetër personalitet i selisë rozë, Pandeli Majko pritet të lërë mandatin e deputetit.
Burime zyrtare brenda kësaj partie thanë për NOA.al, se Majko është propozuar si kandidat zyrtar për asistent për sekretarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Europën dhe në rast se zgjidhet ai lë mandatin e deputetit.
a.y/NOA