English

Majko: Propozimi për në OKB i mirëpritur, por thjesht kandidaturë

Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Deputeti socialist Pandeli Majko ka reaguar pak më parë lidhur me lajmin se emri i tij është propozuar si kandidat zyrtar për Ndihmës Sekretar të Përgjithshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Europën.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, në një qëndrim të tij, Majko sqaron se, “Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish Bashkimit Sovietik dhe Kaukazit. Për një politikan karrierë si unë, pavarësisht moshës time të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtar. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij Zoti Ban Ki-Moon ai i cili do të përzgjedh kandidaturën më të përshtatshme”.

Në vijim ai shton se vazhdon të jetë deputet i Partisë Socialiste dhe të japë kontributin tij brenda Kryesisë së Partisë Socialiste.

a.y/NOA

KOMENTE