English

Parashikimi i motit për 17 dhjetor 2011

Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, qarkullimi i masave ajrore të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga veriu i Europës do të kushtëzojnë në vendin tonë mot të paqëndrueshëm. Në këto kushte vranësirat dhe shirat intensive do të dominojnë që në orët e para të mëngjesit të gjithë territorin ku veriu dhe veriperëndimi i vendit do të përjetojë sasi të mëdha reshjesh të shoqëruar me stuhi të forta ere. Në zonat malore deri në lartësi do të ketë edhe reshje dëbore. Orët në vijim do të sjellin intensifikim të reshjeve të shiut në të gjithë vendin.

Po ashtu edhe pasditja do të vijojë me vranësirat dhe shira me intensitet të lartë në të gjithë territorin Shqiptar ku me të përqendruara do të jenë në zonat Jugore dhe Juglindore. Në zonat malore do të ketë reshje dëbore. Mbrëmja dhe nata do të sjellë dobësim të ndjeshëm të intensiteteve të reshjeve në të gjithë vendin.

Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit do të rriten me 2 gradë në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë rënie të temperaturave për shkak të vranësirave dhe shirave gjatë mesditës.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe e fortë në det me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor, kjo do të bëjë që dallgëzimi të arrijë 3 ballë.

Europa

Të njëjtat kushte atmosferike do të mbeten prezent edhe gjatë ditës së nesërme pasi në pjesën më të madhe të kontinentit Europian do të dominojë mot i paqëndrueshëm. Reshje të dendura dëbore do të ketë në Vendet e Balltikut dhe në vendet Nordike. Problematike do të mbetet situata në gadishullin Iberik dhe në një pjesë të Europës Qendrore pasi reshjet e shiut dhe të dëborës do të shoqërohen me erë të fortë duke sjellë dallgëzim të lartë në brigjet detare të këtyre vendeve. Gjithashtu me mot të paqëndrueshëm do të mbetet dhe Rajoni i Mesdheut ku vranësirat do të pësojnë zhvillim të mëtejshëm duke gjeneruar shira të konsiderueshëm. Më të përqendruara do të jenë në Zonën e Alpeve dhe në Ballknin Verilindor ku problematike do të paraqitet rënia e temperaturave dhe dëbora e dendur. Ndërsa në pjesën tjetër të Europës do të dominojnë kthjellimet dhe vranësirat e lehta.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ballkani do të rrezikohet për reshje shiu dhe dëborë të dendur

- Vendet Balltike do të kenë shira të dendur dhe stuhi të forta ere

- Gjermania dhe Franca do të mbeten me shira intensiv dhe stuhi ere

a.y/NOA

KOMENTE