English

Pasqyra e Shtypit, 16 Dhjetor 2011

Tiranë, 16 Dhjetor 2011, NOA/ Rid Bulku – Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 16 Dhjetor 2011.

Në qendër të të përditshmeve për sot është intervista e mbrëmshme e kryeministrit Berisha si dhe votimi në Kuvend për kreun e ri të KLSH.

E përditshmja “Mapo” hapet me titull kryesor: “Surpriza në Kuvend - Si e ndihmoi opozita zgjedhjen e Leskajt në krye të KLSH. Gazeta thotë se ishte vota e Vangjel Dules nga radhët e opozitës ajo që çoi në 70 votat për Leskajn pasi katër deputetë të mazhorancës nuk ia dhanë votën pro.

Për këtë kryeartikull gazeta citon: “Mazhoranca miraton me 70 vota Bujar Leskajn në krye të KLSH-së. Opozitës i mungojnë 4 deputetë, edhe pse u porositën të ishin të gjithë në sallë. Vangjel Dule bashkon votën me mazhorancën. Nëse PS nuk do të kishte mungesa dhe vota e Dules do ishte kundër, mazhoranca nuk do të miratonte dot kandidaturën e Presidentit. Akuza e ErionBraçes: Majko e Islami ishin në sallë para se të votohej Leskaj. Viktor Gumi dhe Fatos Hoxha: Ja pse abstenuam. Islami: Vendimi i PS për të votuar kundër Leskajt, mediokër.

Tituj të tjerë në këtë të përditshme:

Berisha: Nano, jo kandidati ynë për President, në atë post një nga drejtuesit e PD;

Debati për sistemin, aleatët e PS krijojnë grupim të veçantë politik;

Ish-kreu i Sindikatave, azilant në Francë, i shpëton arrestit;

Në rubrikën komente, nga Artu Zheji: “Replikë replikës”.

“Koha Jonë” çelet me titullin: Berisha: Nano nuk është kandidati ynë.

Kjo gazetë publikon intervistën që kreu i Qeverisë i dha gazetarit Blendi Fevziu.

Tituj të tjerë: Ndoka: PS, një parti primitive;

Drejtori i Fondit Besa në Pogradec i zbraz llogarinë klientit;

Kërkohet shtrenjtimi i ujit në 14 qytete, ZMK: ERU po abuzon;

Në rubrikën komente, veçojmë atë nga Fatmir Toçi: “Privatizimi dhe efekti real në ekonomi”,

Nga Valentina Leskaj, “Axhustimi” i ligjit;

E përditshmja “Shqiptarja.com” çelet me titullin: Zbulohet urdhëri sekret i Agron Kuliçajt për Dajtin - “Alarm” në SHKB për dekonspirimin e aksioneve: Jemi duke hetuar. RENEA: Fajin e ka dezinformacioni. Kjo gazetë citon gjithashtu mbi këtë argument, në faqen e parë: Letra e tetorit 2010 e zv.drejtorit të Policisë për Gjykatën: Asnjë media dhe familjarë të viktimave në proces, dekonspirohen. Një kabllogram i SHBA: Kuliçaj dyshohet se i jep informacion Dritan Dajti.

Tituj të tjerë në këtë gazetë:

Berisha: “President? As Topi, as Nano”;

Zgjidhet Leskaj në KLSH abstenojnë tre deputetë të PD;

Financat në hall për para Bode: Jo më lekë nga thesari;

Bashkim Alibali: Ju rrëfej pse kthehem në festival pas 7 vitesh;

Ndriçim Xhepa: Ligj arti? S’bëjnë dot ata që vjedhin

Gazeta e përditshme “Agon” në kryeartikull ka: Berisha: Avokati i Popullit, avokat i Koços. Shkrimi i referohet intervistës që dha mbrëmë Kryeministri ku tha se kandidatura e Igli Totozanit për Avokat të Popullit, zgjedhur nga PS është emër i Koço Kokëdhimës, duke iu referuar dhe faktit se Totozani shkruan rregullisht në gazetën e Kokëdhimës.

Editoriali nga Frrok Çupi: Lufta e Irakut mbaroi, tani është beteja...

Tituj të tjerë:

Afër festat, afër dhe rrëmuja;

Ish-Presidenti Shirak dënohet për korrupsion;

Gazeta e Partisë Socialiste, “Zëri i Popullit” hapet me titullim: Zgjidhet Igli Totozani - Proces i paprecedentë: PS zgjedh bashkë me publikun.

Tituj të tjerë:

Rama në Burrel: Kur opozitarët bëhen bashkë nuk ka metër katror ku nuk fiton;

Inva Mula: Artisti është borxhli ndaj atdheut;

Të nderuar lexues. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip e anglisht.Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në pr@noa.al. r.b/NOA

KOMENTE