English

Refleksione pas leximit të Kurbanit

"Autorin e mbaj mend si basketbollist, piktor, më tej ministër, kryetar bashkie, këngëtar, kryetar partie... Të gjitha këto, për mua “këpucarin” që kam dy dekada vetëm me penë në dorë, ishin punë për të. Ndryshoi çështja kur zuri së fundmi të thurte edhe editoriale gazetash, për t’i vënë kapak me një vepër të plotë letrare. Këtu u fut përfundimisht në “këpucarinë” tonë dhe e kemi për detyrë t’ia themi nja dy llafe si të zanatit që jemi"... Nga Armir Shkurti huhet se tashmë shkrimtari bestseller shqiptar Edi Rama më parë ka qenë piktor. Kështu që besoj se do të më kuptojë nëse atë çka dua t’i them, ia them me një anekdotë nga piktura. Në Greqinë e lashtë, teksa këqyrte një pikturë, një këpucar i afrohet autorit dhe i bën vërejtje për sandalet në vepër. Piktori ia vë veshin dhe i ndreq të metat me penel. Atëherë këpucari merr zemër dhe nis të hapërdahet edhe në zeje të tjera e të bëjë ku vërejtje për tegelin, ku për gjalmët e ku për shpatat derisa artisti i kthen përgjigjen që mbeti proverb: “Sutor, ne ultra crepidam!” (O këpucar, rri te këpuca!). Pra e kam për Kurbanin, apo, siç po e shet ai anekënd Ballkanit: “librin e së ardhmes”! Autorin e mbaj mend si basketbollist, piktor, më tej ministër, kryetar bashkie, këngëtar, kryetar partie... Të gjitha këto, për mua “këpucarin” që kam dy dekada vetëm me penë në dorë, ishin punë për të. Ndryshoi çështja kur zuri së fundmi të thurte edhe editoriale gazetash, për t’i vënë kapak me një vepër të plotë letrare. Këtu u fut përfundimisht në “këpucarinë” tonë dhe e kemi për detyrë t’ia themi nja dy llafe si të zanatit që jemi. I nderuar koleg shkrimtar. Jo vetëm kafshët, njerëzit, insektet dhe bimët, por edhe veprat letrare e kanë një gjini. Vepra juaj nuk e ka një të tillë të përcaktuar. “Kurbani” juaj nuk është as roman, as novelë, as tregim, as poezi, as prozë poetike, as esse, as ditar, as manual, as dramë, as komedi, manifest politik... Keni vendosur diku një emërtim “refleksion” por që nuk figuron kurrkund si gjini letrare. Kur doli vepra juaj pati nga ata që lëvduan si vlerë të rrallë shqipen tuaj, ndaj pyeta veten përse përdorët këtë fjalë oksidentale për të emërtuar gjininë e një vepre me titull oriental. Hapa Petit Larousse Illustré dhe në krye të faqes 872 gjeta se réflexion (refleksion) do të thotë veprim i mendjes që peshon dhe shkoqit mendimet. Mesa shihet është një veprim që ndodh brenda kokës së njeriut. Një bisedë me vetveten, shumë intime dhe e brendshme. Ndërsa ju na jeni drejtuar në veprën tuaj në vetë të dytë, a thua se jemi në një pijetore kokë më kokë: ju që vetëm flisni dhe kur mua më ka zënë gjumi a më janë vagëllyer sytë, më drejtoheni nja katër a pesë herë në libër me urdhëroret: “Dëgjomë!” dhe “Besomë!” Një tjetër kriter i një vepre letrare është struktura. Kurbani, përveç një kronologjie kalendarike (pra të ngjarjeve që rrjedhin sipas rregullsisë së ditës që vjen pas ditës tjetër), nuk ka tjetër strukturë që mund ta rendisë te veprat letrare. Ndonjë shkrimtar i madh ka guxuar t’i shkelë rregullat e formës në funksion të përmbajtjes apo të një mënyre të re të të shprehurit artistik. Nuk më takon t’ju gjykoj në jeni shkrimtar i madh edhe ju që keni guxuar të shpërfillni strukturën, ama me gjithë kulturën që më ka dhënë shkolla përkatëse dhe 20 vite përvojë që ia kam grabitur zanatit tim, ju them se shpërfillja e strukturës nuk justifikohet në veprën tuaj. Ajo që ju jeni rrekur të kumtoni në gjithë atë tog faqesh të lidhura bukur mund të qe ndarë në kapituj ta zëmë sipas viteve në bashki, apo ngjarjeve më të rëndësishme, apo personaliteteve kyçe të jetës suaj, apo pikëpamjeve bazë që do të na hapin sytë në të ardhmen. Mirëpo gjëja që keni lëshuar mbi kartën e bardhë është pak a shumë e njëjtë me atë për të cilën akuzoni po aty kundërshtarin tuaj politik, Saliun: Përroi psikik. Madje pse nuk e titulluat veprën tuaj SALIU? Apo ME SALIUN, që tingëllon i ngjashëm me një kësisojësh të Enverit “Me Stalinin”?. Nuk është se e lashë kaq shpejt analizën për formën, por është aq shumë personazh Berisha në Kurbanin tuaj saqë duket se ai është kuptimi i ekzistencës suaj edhe si qenie njerëzore, pale politike dhe artistike në libër! Saliu i Kurbanit është barbar, i pafytyrë, është kryefjalë, kundrinor, rrethanor, përcaktor... ndërkohë që unë e kam blerë librin tuaj për të mësuar se ç’keni bërë JU dhe jo ai. Të paktën në 11 vitet që keni drejtuar Bashkinë e qytetit ku unë jetoj dhe në ca vitet më pak që vazhdoni të drejtoni njërën nga dy partitë më të rëndësishme në vend. Unë personalisht nuk kam ndonjë farë stime për veprat e drejtuesve të lartë të partive, por quaj goxha më të ndershëm artistikisht Rrezikun Anglo-Amerikan për Shqipërinë apo Titistët e Enver Hoxhës, Jeta ime të Ramiz Alisë sesa Kurbanintuaj. Të paktën tek dy paraardhësit ka ngjarje dhe personazhe realë. Mbresat dhe emocionet e autorëve u vishen atyre më pas dhe pastaj vjen edhe qëndrimi i autorit, sipas parimeve të realizmit socialist. Këtij parimi (të realizmit socialist) nuk i keni shpëtuar as ju, koleg i nderuar, por ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm, ju nuk përshkruani një herë ngjarje a të parashtroni fakte por shpalosni (shpesh pa asnjë ngjarje) koment pas komenti e sërish koment të komentit! Çështjen e metodës së realizmit socialist në veprën tuaj nuk është se e kam figurë letrare. Ju këtë metodë keni përdorur. Kriter i realizmit socialist është se vepra duhet patjetër të ketë një hero pozitiv, që lufton për idealin dhe sakrifikohet për të. Në veprën tuaj hero pozitiv ju kemi juve. Madje aq pozitiv sa nuk mjafton fjala hero duke parë se sa armiq me kama e helm në dorë ju vërtiten nga mëngjesi në mëngjesin tjetër për vite e vite me radhë. Këta armiq janë natyrisht Saliu, më pas Fatosi, Iliri, Luli e kush rri e numëron gjithë ato batalione me kova balte në dorë. Në fakt metaforën e baltës e përdorni aq dendur sa më ngjan se ky material mund të jetë vërtet një arketip atëror, ashtu siç aludon për ju edhe personazhi i librit tuaj, Berisha. Ama të mos e kini pishman se një me dhjetë, si gjermani, ua keni marrë hakun! Ata baltë mbi ju, ju tonelata me m***. mbi ta! Nuk e di a për stil apo se mbaruan epitetet e shqipes, por duheni përgëzuar për fjalëformimin, gjetjen e mbiemrave të rinj që ngjyrosin gjithë mënxyrat e kundërshtarëve tuaj. Mbase Maksim Gorki do të kishte plasur nga zilia kur ta këndonte Kurbanin tuaj e të pikaste se sa qartazi i prisni ju sinorët e të mirëve dhe të këqijve. Të marrim ta zëmë intelektualët. Ata që kanë shkruar kundër jush janë intelektualë të tredhur, sahanlëpirës të regjimit, medemek vemje. Ata që janë përkrah jush na dalin heronj, gjeni, figura të shquara e intelektualë me integritet të madh. E në fund të luftës së tij për idealin, heroi juaj vritet, zoti Rama. Por Zoti e do Birin e tij. Ashtu siç Abrahamit Krijuesi ia zëvendësoi të birin me një dash për kurban, ju zëvendësoni Edin tuaj me dashin e therur në portën e Bashkisë. Sublimimi nuk e zbeh klishenë e heroit të realizmit socialist që vdes duke luftuar. Përkundrazi! Le të kujtojmë partizanët që vriteshin në filmat tanë e ndërkohë në qiell shfaqej dielli që lind apo ndonjë zgalem që vërtitet në qiell i shpenguar. Shumë kinematografik edhe ky epilogu juaj! E përfytyroj kështu regjinë e tij: Porta ku shkruhet KRYETARI...ulet kamera...gjak që rrjedh nën derë...ecën kamera...hapet dera ....dhe një burrë që vazhdon të presë fytin e berrit dhe kamera ngrihet sërish tek shënimi në portë: KRYETARI... Kjo qe shkurt për çështjet e formës, i nderuar koleg. Tani të cekim pak përmbajtjen. Në faqen 355 na drejtoheni sërish sikur të qemë sy më sy, me këto fjalë: “Duke të përfytyruar jo si një ndër lexuesit, as duke të menduar si një zgjedhës, por si dëgjues intim të një historie të jetuar ku unë s’isha thjesht dëshmitar i rrëmbyer nga rrjedha e ngjarjeve por një aktor me rol kryesor...” Historia në një vepër letrare ka disa kritere: ka personazhe, vendngjarje, kohë dhe zhvillim ose e thënë ndryshe, jetë. Me këto parametra, më ndje i nderuar koleg, por termin “histori” ndoshta duhet ta zëvendësojmë me diçka tjetër. Ju vërtet jeni protagonist i librit tuaj, ashtu edhe i asaj që keni zgjedhur të tregoni, por në “historinë” tuaj nuk ka zhvillim e për rrjedhim nuk ka jetë. Ato copa “intimiteti” që keni zgjedhur të ndani me ne janë ca pak episode të diskutueshme si për shembull ulërima në sheshin Skënderbej: “Po, ne do fitoooojm’ o doktoOOOor!”, apo çështja e fotove lakuriqe në plazh, megafoni në komisionin parlamentar e të tjera kësodore, të mbuluara pastaj nga jorganë e velenxa gjigante fletësh me komente për gjithë shejtanët e dalë nga thellësia e ferrit me misionin e vetëm të kësaj bote në mos djegien, të paktën sterrosjen e figurës suaj të papërlyer. Thjesht nga ajo që ju ripërtypni ne duhet të gëlltisim se marrëdhëniet me aksh personazh i keni të mira apo se filani është i keq ngaqë kështu e thoni ju. Ju keni qenë ministër i Kulturës në kohën kur kryeministër ishte Ilir Meta, të cilit i keni kushtuar në librin tuaj një goxha përshkrim të hollësishëm e plot frymëzim. Si nuk ka një dialog, ta marrë e mira, në ligjëratë të drejtë mes jush? Nëpër të kuptojmë se Fatos Nano u bë sebep që të ktheheshit ju në Shqipëri dhe të futeshit në politikë. Si nuk ka në Kurbanin tuaj “dy pare muhabet” me Tosin por preferoni më mirë të na përshkruani me imtësi bluzën e një adoleshenti garip që ju thotë se vallahi bilahi e ke hak Tironën edhe se dole pa brek’ n’ plazh’. Isha shumë kureshtar të dija se ç’thatë JU personalisht atë natë tek restorant Krokodil, ç’ndjetë, përjetuat e ç’bëtë në dhé të huaj atë natë kur të huajt ju kërkonin të pajtoheshit me Saliun, të cilin na e përshkruani me shumë më tepër hollësi. Në atë libër pra nuk jeni ju, i nderuar zotëri, por ajo që ju dëshironi të na shisni neve nga Edi Rama. Prandaj duket se e quani “libër i së ardhmes”. Nëse nuk përmban kode të fshehura a mesazhe të kriptuara, mbetet të jetë një çelës për të hapur tjetër derë. Nga rruga që keni lënë pas deri më sot ndjehet një tentativë kompulsive për të hyrë në histori, nëmos nga dera, nga çdo e çarë që ajo ofron. As Noli i madh nuk ka provuar kaq lami sa juve. Madje edhe muzikën , që dhespoti i mirë e studioi në pleqëri të shtyrë, juve e keni lëvruar qysh herët duke interpretuar si solist në një a dy këngë fushatash. Të mos flasim pastaj për enciklikat që, përveç jush, i nxjerr vetëm Vatikani, për editorialet në gazeta, aktivitetin politik në Twitter, mbledhje e votime të forumeve të larta të partisë nëpër restorante katundeve, dhjetëra kilometra larg selisë së partisë, institucionit simbol të socialistëve shqiptarë...

... Po ç’më hyn në qese mua qitapi juaj i së ardhmes? mbase do të pyesni veten ju dhe ata që patën mirësinë të këndojnë këto radhë. Po ja, meqë më vjen inat me veten për paratë që shpenzova. Edhe pse librin e kisha të lexuar para se të dilte, (sepse Kurbani nuk është asnjë gram më shumë e as më pak se ato që keni thënë në mitingje, intervista, editoriale e Twitter) nuk më la krimbi pa e blerë. Së dyti, librin unë e kam në bibliotekë. Mbase vdes shpejt dhe im bir e merr, e lexon dhe i merr kallëp ato që thoni ju. Kuptohet, ky rrezik mbetet vetëm nëse ju do të vazhdoni të merreni me politikë, e aq më keq, nëse merreni me politikë kështu siç jeni marrë deri më sot. Së treti, sepse formimin tim, që nga katër vjeç e sipër e kam pasur si mik i librit e më pas si profesionist i letrave. Meqë këtë të uruar zanat që ende më mban me bukë, edhe e dua se është i shenjtë, më vjen plasje kur trazohet, si në rastin tuaj, me politikën. Keni dalë me qitap në dorë poshtë e përpjetë sallave ku nuk merret vesh në janë mbledhje të PS-së apo promovim libri. Së katërti, se, fjala vjen, një figurë e shquar historike poliedrike e ngjashme me ju (poet, politikan i majtë, kryetar opozite, prift, muzikant etj) si Fan Noli, nuk bëri hajër pasi siç duket i vinte gjynah të lëshonte nga njëra sqetull ca nga kungujt e tij. Të qenit politikan aktiv vështirë se lejon dikë të jetë plotësisht i sinqertë me ato që rrëfen, pasi miqtë e mëngjesit mund t’i kthehen në hasëm mbrëmjeve dhe anasjelltas: armiqtë t’i kthehen aty për aty në aleatët më të mirë. Ndaj unë ju kuptoj kur jeni kaq i rezervuar, por nuk ju pranon letërsia sepse, duke vlerësuar pamasë ndershmërinë tuaj personale (siç edhe e keni pasqyruar në libër) më lejoni t’ju këshilloj – si koleg të letrave – se ndershmëria artistike është një ndër sekretet e artit të mirë. Më beso (më fal që po ju drejtohem njëjës, jua huazova nga Kurbani këtë urdhërore konfidenciale). Pra më beso! Po nuk qe i gjithi vetvetja në një vepër (flas për ato letrare, se të tjerat nuk i njoh) vepra është më e keqe se një femër e përdalë: të tradhton e para. Pra, e thënë ndryshe: rri tek këpuca! TË LUTEM!

"Mapo" Autorin e mbaj mend si basketbollist, piktor, më tej ministër, kryetar bashkie, këngëtar, kryetar partie... Të gjitha këto, për mua “këpucarin” që kam dy dekada vetëm me penë në dorë, ishin punë për të. Ndryshoi çështja kur zuri së fundmi të thurte edhe editoriale gazetash, për t’i vënë kapak me një vepër të plotë letrare. Këtu u fut përfundimisht në “këpucarinë” tonë dhe e kemi për detyrë t’ia themi nja dy llafe si të zanatit që jemi.

KOMENTE