"Këtu shoh edhe vatrën e një keqkuptimi të madh në këtë replikë. Situata morale e rëndë që mbizotëron shoqërinë shqiptare, që pjell antishtetin dhe familjokracinë, është bërë në shkrimin tim në një optikë laike dhe historike. Nuk më përket mua dhe besoj askujt tjetër vdekatari, që të nënshkruajë një verdikt fatal, të krahasueshëm me verdiktin që Zoti ka dhënë për Sodomën dhe Gomorrën, simbas Dhiatës së Vjetër"... Nga Nga Artur Zheji Lexova me vëmendje replikën e zotit Albert Nikolla dhe para së gjithash e falenderoj për vlerësimin e tij ndaj meje dhe ndaj parashtrimeve të mia, ndonëse ai, së paku në një rast, vëren një ‘rrëshqitje timen’, në vazhdimësinë logjike të shkrimit ‘Familjokracia dhe Antishteti’, botuar në gazetën referenciale ‘Mapo’, të kolegut Çili. Ndjehet në shkrimin e tij se zoti Nikolla është dakord me analizën spektrale të këtij fenomeni kombëtar dhe historik, që është edhe kuintesenca e këtij refleksioni. Porse duke cituar filozofin katolik Antonio Rosmini, një dijetar i ndritshëm i shekulli XIX, i lëkundur ndërmjet Kantizmit dhe veprave të Shën Tomasit dhe Shën Agostinit, filozofë referencialë të mendimit universal dhe botëror, me impostim të thekshëm fetar, zoti Nikolla e sendërton replikën e tij në një spirale jo laike. Duke e përshkallëzuar më tej këtë mistifikim në të shkruemen e tij, ai citon Sodomën dhe Gomorrën, dy qytete këto thellësisht mëkatare dhe ateiste, të cilat simbas Dhiatës së Vjetër, u ndëshkuan me një shfarosje spektakolare nga vetë Zoti.
Këtu shoh edhe vatrën e një keqkuptimi të madh në këtë replikë. Situata morale e rëndë që mbizotëron shoqërinë shqiptare, që pjell antishtetin dhe familjokracinë, është bërë në shkrimin tim në një optikë laike dhe historike. Nuk më përket mua dhe besoj askujt tjetër vdekatari, që të nënshkruajë një verdikt fatal, të krahasueshëm me verdiktin që Zoti ka dhënë për Sodomën dhe Gomorrën, simbas Dhiatës së Vjetër.
Së pari nuk besoj tek terapia e shfarosjes.
Së dyti shfarosja nuk është terapi, por fund.
Së treti besoj tek fraza e fundit e Jezu Krishtit: ‘Fali Atë se nuk dinë se ç’bëjnë!...’
Mendoj gjithashtu se Shqipëria meriton sidoqoftë një fat më të mirë dhe besoj se kjo do të vijë, kur ne shqiptarët të kuptojmë më mirë, të Mirën tonë të përbashkët dhe kur Shteti ynë, në vijimësi historike dhe shumëvjeçare, të jetë më shumë produkt dashurie dhe shërbese, se sa një taktikë e rafinuar zhvatëse.
Pra, duke mos e përjashtuar që mund ta kem edhe gabim, besoj me kokëfortësi te reformimi dhe lindja e ngadaltë, por në thelbin tonë më të mirë, të një qytetërimi të ri shqiptar, më të lirë, më afër rrënjëve të veta të mohuara, ndonëse primordiale, më gjithëpërfshirës dhe padyshim me një kuotë morale, të ideales dhe të misionit, shumë shkallë më lart se sa jemi sot.
Hapi i parë drejt këtij katharsisi kombëtar, mendoj se qëndron te trimëria dhe qytetaria e vënies së gishtit drejt e në pjesën më të dhimbshme të plagës, e që domethënë tek antishteti dhe familjokracia, për të cilën të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, kemi një pjesë të mëkatit dhe përgjegjësisë. Sepse nuk mund të bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi individuale, por për një sistem kolektiv, me një mendësi të korruptuar apo që e pranon korrupsionin kapilar si një realitet të dhënë dhe të pandryshueshëm.
Shndërrimi në ekuacion interesi apo ekuacion ekonomik (që është e njëjta gjë), që paraprin apo është praparojë e veprimeve të përgjithshme, me pak ose aspak përjashtime, ka krijuar ankandin e votës politike, ankandin e vendimeve gjyqësore, ankandin e sistemit mjekësor, ankandin e sistemit të sigurisë, ankandin e të drejtave të studimit, të tregut të punës, e të tjera si këto. Ky sistem të drejtash teorikisht të garantuara të qytetarit, por që janë të disponueshme më së shumti në tregun e zi të ankandeve të paligjshme, na shndërron të gjithëve në bashkëfajtorë.
Së pari, sepse e ushqejmë këtë treg të korruptuar, japim e marrim në këto tezga të turpshme.
Së dyti, sepse nuk harxhojmë kreditet tona publike për ta denoncuar këtë antimoral kolektiv, këtë dorëzim dhe këtë pajtim tonin me këtë sistem ku jetojmë apo mbijetojmë.
Së treti sepse, do të ishte një by pass thjeshtëzues, të damkosim vetëm dy, tre apo tridhjetë fajtorë të politikës, që tërhiqkan për hunde një komb të tërë, përpara syve tona të mbyllura apo mendjes tonë të burgosur.
Së katërti, debatet që bëhen në Italinë fqinjë për antishtetin apo mafian, janë të pafundme, porse edhe reagimi opinional është proporcional, edhe hedhja pas hekurave të mafiozëve gjithashtu. Në Francë u dënua një ikonë politike si Shiraku. Sigurisht në emër të një morali dhe të një ligji që thotë se: ‘ligji është i barabartë për të gjithë’ apo e thënë ndryshe: ‘të gjithë janë të barabartë përpara Ligjit’.
Në këtë kornizë, i dashur zoti Nikolla, nuk e gjykoj si rrëshqitje leximin optimist që i bëj objektivave ideale, kur flasim për një ‘superfuqi’ të vogël energjetike të Shqipërisë, sepse të gjithë e dimë se Shqipëria është realisht një ‘superfuqi’ potenciale e begatisë së dhuruar nga Zoti, në ujë, minerale, mikroklima, pjellori, bregdet, pyje dhe male.
Gjithashtu termi ‘Rilindje’, i huazuar dhe cituar nga Kryetari i Opozitës, një gjymtyrë e Shtetit edhe ay, është pozitiv, në trajektoren idealiste që heq dhe në paralelen historike që parashtron. Të flasësh për Rilindje, do të thotë të pranosh se kushtet për një Rilindje janë pjekur dhe jo se kemi vdekur.
Nëse do t’i gjykojmë këto koncepte të reja, hedhur në Kuvendim Kombëtar, vetëm me sens skeptik, thjesht dhe vetëm si karreme elektorale të sofistikuara, duhet të pranojmë se fundi ka mbërritur, dhe nëse fundi ka mbërritur, as që ia vlen të flasim e aq më pak të shkruajmë.
Përshëndetje, i dashur mik.
"Mapo"