English

Urdhri i Mjekut: Të pajustifikuara prangosjet e bluzave të bardha

Durrës, 16 dhjetor 2011, NOA- Presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Din Abazi reagoi ditën e sotme lidhur me arrestimet dhe dhunën e ushtruar ndaj mjekëve, duke veçuar ata në Durrës të akuzuar për mos mjekimin e ndaj volejbollistit Juxhin Guza.

Në reagimin e Urdhrit të Mjekëve siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, thuhet se para pak kohësh, tre mjekëve u janë vënë prangat me akuzën për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm, të pa konfirmuar ndërsa të tjerë mjekë përpara këtyre janë arrestuar apo ndjekur në gjendje të lirë.

“Urdhri i Mjekëve më se njëherë ka shprehur dhe shpreh edhe njëherë shqetësimin e tij duke i konsideruar të nxituara dhe të pajustifikuara veçanërisht prangosjet e mjekëve kaq flagrante e demonstrative përderisa ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore dhe ende nuk është konfirmuar akuza e ngritur ndaj tyre. Por, duhet të dimë se nuk mund të ketë mjek në botë që, gjatë karrierës së tij profesionale në luftë mes jetës dhe vdekjes të mos mund të gabojë në punën e tij, ashtu siç mund t’i ndodhi kujtdo në një profesion tjetër. Kuptohet, gabimet në mjekësi janë më të rëndat, më të pafalshmet, më të dhimbshmet, shpesh të pakorrigjueshme, dhe të paevitueshme”, shprehet Abazi.

Ai thekson se cilido që afrohet t’i vërë prangat një mjeku, ta godasë apo ta akuzojë atë, të jetë i sigurt se në shumicën e rasteve ka përpara personin që ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish, ka kaluar netë pa gjumë, ka prishur me dhjetëra herë jo vetëm qetësinë e tij, por edhe të fëmijëve dhe të familjes së vet, për hir të detyrës së shenjtë në shërbim të jetës së njeriut.

Theksohet se Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka përfunduar hetimin administrative mbi 3 rastet e mjekëve të arrestuar një muaj më parë, dy mjekë të urgjencës së spitalit të Durrësit dhe një kirurg në Lezhë.

Abazaj shprehu rezerva edhe për ekspertizën e mjekësisë ligjore.

Një muaj më parë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “burg pa afat” për dy mjekët e arrestuar, Nuri Qyra dhe Dalip Çela, të cilët u akuzuan për mjekim të pakujdesshëm ndaj volejbollistit të Teutës, Juxhin Guza, i cili vdiq në spital pas goditjes me thikë që mori nga një person në hyrje të pallatit ku banonte.

Deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen e volejbollistit ndonëse policia e Durrësit ka vënë në dispozicion një shumë prej 30 mijë eurosh për gjetjen e autorit të krimit.

a.y/NOA

Në foto: Juxhin Guza

KOMENTE