Episodi tregon gjendjen e mjeruar ku ka rënë politika dhe shoqëria shqiptare. Mbi dy dekada pas përmbysjes së komunizmit jemi rikthyer në të njëjtën situatë kur një pjesë e shoqërisë uron vdekjen e liderit që është në krye të qeverisë, ndërsa pjesa tjetër uron që për të “të ketë vetëm datëlindje”.
Nga Andrea Stefani
Një gjendje e beftë të fikëti e kryeministrit ka bërë që të dalë në sipërfaqe thuajse gjithë llava e urrejtjes, por edhe afshi i dashurisë publike për Sali Berishën. Menjëherë pas episodit, që bëri të ngrijë festa e përvjetorit të PD, në sitet e internetit vërshuan mesazhe plot shpresë dhe gëzim se më në fund Berishës i kishte ardhur fundi. Në jo pak prej tyre kryeministrit i thuhej troç: vdeksh! Atë që nuk ka mundur ta bëjë opozita politike dhe demokracia, largimin e Berishës nga pushteti, mbështetësit e saj befas nisën ta kërkonin te një “mrekulli” që mund të vinte nga “i plotfuqishmi”, nga i vetmi autoritet që, sikundër ka pohuar edhe vetë, i bindet Berisha. Por nuk kaluan as 48 orë dhe erdhi kundërpërgjigja nga kampi kundërshtar. Në radhë të parë nga vetë kryeministri, që nxitoi të sqarojë se një kontroll mjekësor kish treguar jo vetëm se gëzonte shëndet të plotë, por gati sa s’tha se ishte i pavdekshëm. Dhe bashkë me këtë deklaratë, vërshuan edhe urimet klasike me “rrofsh sa malet”!
* * *
Episodi tregon gjendjen e mjeruar ku ka rënë politika dhe shoqëria shqiptare. Mbi dy dekada pas përmbysjes së komunizmit jemi rikthyer në të njëjtën situatë kur një pjesë e shoqërisë uron vdekjen e liderit që është në krye të qeverisë, ndërsa pjesa tjetër uron që për të “të ketë vetëm datëlindje”. Një gjendje aspak normale për një shoqëri demokratike. Përmbysja e diktaturës komuniste shpresohej se do të sillte një jetë politike të pakarikuar me urrejtjet politike deri në vdekje me të cilat ishte i mbingarkuar qielli i revolucionit komunist dhe i luftës së klasave që nuk gjente qetësi. Shpresohej se do të mund të krijohej një jetë tjetër politike, me plot rivalitet, inat dhe antipati por jo me urrejtje aq më tepër, të mos përsëritej një situatë ku për një pjesë të elektoratit shpëtimi të shpresohet te vdekja e kryeministrit si për vdekjen e diktatorit. Që një shoqëri dhe një klimë politike e tillë është e mundur dhe aspak utopi, e ka treguar përvoja e SHBA, Europës dhe krejt Perëndimit. Dhe pyetja që shtrohet është: përse degraduam përsëri deri këtu? Kush është fajtor për polarizimin antagonist të urrejtjeve dhe dashurive politike edhe në demokraci njësoj si në komunizëm?
* * *
Në radhë të parë liderët e tranzicionit shqiptar dhe vetë Sali Berisha, mbi të cilin sot bie urrejtja e jo pak shqiptarëve, llavë urrejtjeje që ai mund ta përballojë, ashtu sikundër çdo autokrat, duke fryrë dallgët e dashurisë fanatike për të dhe kultin e tij. Por një lider i vërtetë demokrat, do të shtangej nga urrejtja e thellë dhe e afishuar e gjysmës së publikut për të. Dhe nuk do të mund të gjente ngushëllim te fakti se është gjysma tjetër e shqiptarëve që e do me po atë forcë që e urren gjysma tjetër. Të paktën do kuptonte se nuk ka mundur që për 20 vjet ta pajtojë shoqërinë, por përkundrazi, ka ndikuar të ndahet edhe më keq se në diktaturë, si dy gjysmat e një bërthame atomi që po të bashkoheshin, do të sillnin pashmangshëm shpërthimin fatal dhe rrënues për “Atdheun e dashur”. Do shikonte se shoqëria ka mbetur e ndarë në kampe armiqësore dhe se lufta rrënuese e “klasave” nuk po mbaron as edhe në demokraci. Do perceptonte një dështim për të krijuar një politikë të re, një jetë të re në Shqipëri. Dhe nuk mund të shërbejë si argument për të fshehur këtë dështim, fakti që gjysma e elektoratit e duartroket dhe i thotë liderit “rrofsh”, tamam si dikur populli i uronte “Enverit”. Por në vend që të kishte refleksione të tilla sublime, Berisha nxitoi të shkonte nga krevati në ekran për “t’ua ngrirë buzëqeshjen” atyre që po i uronin vdekjen si dhe për t’u rikthyer buzëqeshjen atyre që i kanë të lidhura shpresat përfundimisht me të, kultin dhe pushtetin e tij. Të pëlcasë armiku, – qe në thelb mesazhi i tij, - sepse unë do të jem këtu, në majë të pushtetit edhe për shumë vjet të tjerë.
* * *
Asnjë diktator apo autokrat nuk mund të fuqizojë dhe mbajë për dekada pushtetin pa mbështetjen e masave dhe klaneve që i lidhin interesat e fitimit, por edhe ato më jetësore me pushtetin e tij. Veçoria e demokracisë liberale është që me anë të kufizimit dhe rotacionit të shpeshtë të pushteteve, nuk lejon që të krijohen jo vetëm masa të gjera njerëzish, por as edhe klane që e mbështesin plotësimin e interesave apo ambicieve të tyre, tek akaparimi afatgjatë dhe autokratik i pushtetit. Dashuria e verbër, demode alla bolshevike që një pjesë e shqiptarëve ushqejnë sot për një lider si Berisha, është prova e ekzistencës ende të raporteve neo-bolshevike të njerëzve me pushtetin. Është prova që një pjesë e shqiptarëve vazhdojnë ta shohin burimin kryesor të lumturisë dhe mirëqenies së tyre, jo te shteti, por tek pushteti që e shohin ende si shtet. Tregon se ende shumë shqiptarë refuzojnë të jenë individë të lirë dhe vihen në kërkim të “nënës parti” dhe të liderit “baba” që duhet të kujdeset për ta, për punën, jetën dhe pasurinë e tyre. Që nuk kanë dëshirë të ikin nga zgjedha, sepse nën zgjedhë ndihen më të sigurt. Një situatë skllavërie që nuk do të përsëritej nëse liderë si Berisha, që kanë 20 vjet që drejtojnë punët e politikës në Shqipëri, do kishin punuar për ngritjen e institucioneve të lira të së drejtës, institucione që duke mbrojtur njeriun do të bënin që ai të kërkonte mbrojtje te ligji dhe e drejta e jo te partia dhe lideri, te shteti dhe jo te pushteti. Nuk do kishim këtë polarizim dhe përplasje pasionesh politike nëse liderë, si Berisha vetë, do kishin punuar që pushtetet apo qeveritë, të ishin më të drejta dhe të mos e ndërtonin lumturinë e votuesve të tyre mbi fatkeqësinë e kundërvotuesve të tyre dhe si të tilla, të mos urreheshin deri në vdekje. Dhe mbi të gjitha, nëse do kishim që demokracia të fuqizohej duke i bërë liderët më të përkohshëm në mënyrë që edhe pse për ndonjë rrethanë shumë të urryer, shpresa për solucion të mos ishte vdekja e tyre, lutja e dëshpëruar për vdekjen e tyre, por thjesht te rotacioni demokratik i pushtetit. Në të kundërt, Berisha, pasi ka punuar që të ndërtojë një pushtet autokratik që shtyp gjysmën e elektoratit, bën gjithçka që t’ua ngrijë buzëqeshjen gjithë shqiptarëve që nuk e duan pikërisht për këtë shkak , duke i kërcënuar me cinizëm se do qëndrojë në pushtet edhe 30 vjet të tjerë. Harron se duke thënë e vepruar kështu, jo vetëm jep një provë antidemokratizmi që i kundërvihet rotacionit, por edhe fryn më shumë urrejtjen dhe frikën që ngjall një pushet i pakufi në kohë dhe hapësirë, frikë dhe urrejtje që nxit kundërshtarë dhe të pakënaqur ta mallkojnë si edhe dje diktatorin: Vdeksh! Një mallkim nga i cili nuk mund të lash duart kollaj qoftë edhe me thirrjet “rrofsh” që vijnë prej fanatikëve. Po të qe kështu, askush nuk do të dilte më i larë në histori se Enver Hoxha. Sepse, për askënd shqiptarët nuk kanë uruar më masivisht në thuajse gjysmë shekulli: rrofsh!
"Shqip"