English

Buxheti 2012, Basha: Trefishohen investimet, dyfishohen të ardhurat

Tiranë, 17 dhjetor 2011, NOA – Ashtu siç kishte premtuar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka nisur brenda javës konsultimet me qytetarët e Tiranës, për draft-buxhetin e Bashkisë për vitin 2012, që siç deklaroi kryebashkiaku, parashikon trefishimin e investimeve publike në kryeqytet dhe dyfishimin e të ardhurave, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Të shtunën, Kryebashkiaku i Tiranës u konsultua me banorët e njësisë bashkiake nr.5, ku deklaroi se tri shtyllat kryesore të projekt-buxhetit të Bashkisë për vitin 2012, duke nënvizuar se buxheti prej 70 milion dollarësh do të investohet në punësim, cilësinë e jetës dhe infrastrukturë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se buxheti i vitit 2012 i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, se qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari.

Duke iu referuar projekt-buxhetit prej 70 milion dollarësh, kryebashkiaku Basha ripërsëriti se ai parashikon trefishimin e investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite.

Në fjalën e tij para qytetarëve të minibashkisë 5, zoti Basha theksoi se “Llogaritja e të ardhurave të Bashkisë, që janë dy herë më të larta se të ardhurat e këtij viti është bërë mbi bazën e paketës së re fiskale, në të cilën është reflektuar reduktimi i 60 taksave dhe tarifave”.

Kryebashkiaku bëri me dije se nuk do të ketë rritje të nivelit të taksave dhe tarifave për biznesin dhe familjet, por synohet zgjerimi i bazës së tatimpaguesve.

Basha tha sakaq se zëri kryesor i buxhetit janë investimet dhe shpenzimet për shërbimet publike, ndërsa do të rekrutohen shpenzimet për personelin duke reduktuar numrin e tyre.

50 % e investimeve të Bashkisë do të jenë tërësisht të reja, ndërsa 5 % do të jetë vazhdimi dhe përfundimi i investimeve të nisura më herët.

Ai premtoi se këtë vit do të ndërtohen rreth 65.000 m2 rrugë, prej të cilave 33.000 m2 rrugë të reja; do të rikonstruktohen rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese dhe 79.000 m2 trotuare si dhe do të ndërtohen dy ura të tjera mbi Lanë.

Në këtë suazë, Kryetari i Bashkisë premtoi se vetëm në minibashkinë 5 është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i 7 rrugëve, si “Ndërtimi i rrugës “Marko Boçari”; ndërtimi i rrugës “Robert Shvarc”; rikonstruksioni i rrugës “Qemal Butka”; rikonstruksion i rrugës “Ilia Dilo Sheperi”; rikonstruksioni i rrugës Brigada VIII; ndërtim i rrugës së Kosovarëve rreth 600 ml dhe rikonstruksioni i rrugës Pjetër Bogdani”.

Gjithashtu kryebashkiaku tha se janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, ku përfshihen blloqe banimi, sheshe, qendra, ujësjellës- kanalizime, sistemi i shtratit të lumit Lanë dhe ndërtimi i rrugëve paralel deri tek Ura e Shkozës, etj.

Sipas tij, në buxhetin e vitit 2012 është parashikuar të investohet edhe në rritjen e sigurisë në rrugë, korsitë e dedikuara, sinjalistikë e ndriçim.

Kryetari i bashkisë tha se buxheti parashikon gjithaq një shpërndarje të qartë të burimeve të Bashkisë anembanë qytetit, rritje të transparencës dhe mbështetje të prioriteteve kryesore si punësimi.

Në infrastrukturën arsimore janë parashikuar të ndërtohen katër shkolla të reja 9-vjeçare; dy shkolla të mesme; tre kopshte të rinj; dy çerdhe të reja dhe do të rikonstruktohen 11 kopshte dhe pesë çerdhe fëmijësh.

Në vijim të mbështetjes së të rinjve, Bashkia e Tiranës, do të vijojë të ofrojë bonuse financiare për nxënësit e shkëlqyer të shkollave nëntë-vjeçare e të mesme, për të rritur konkurrueshmërinë dhe nivelin arsimor në shkollat e qytetit, e gjithashtu do të ofrojë shkolla verore për fëmijët.

Ndërkaq, sa i përket mbështetjes me fonde të politikave sociale në buxhetin e Bashkisë për vitin 2012 parashikohen:

-Ngritja e 6 qendrave të reja sociale

-Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese

-Bonusi i Qerasë për familjet në nevojë

-Programi i Integrimit të të Pastrehëve

-Do të nisë funksionimi i banesave sociale

-Lehtësira fiskale për katerigoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët

-Studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet Partneritetit Publik Privat

Duke folur për zhvillimin ekonomik dhe programin e punësimit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se objektivi kryesor i bashkisë mbetet rritja e transparencës, reduktimit të kohës për pajisjen me leje dhe liçensa për bizneset.

Përë këtë qëllim Bashkia e Tiranës do të nisë aplikimin online për lejet dhe liçensat, aplikimin online për lejet e ndërtimit dhe One stop shop për bizneset.

“Për këtë qëllim ne shumë shpejt do të nisim zbatimin e projektit për

aplikimin online per leje dhe licensave, i cili do t’u vijë në ndihme të gjithë qytetarëve, bizneseve të vogla dhe të mëdha duke shmangur rradhët e gjata dhe proçeset burokratike administrative. Aplikimi online për lejet e ndërtimit, një problem shqetësues për bashkinë e Tiranës, i cili ndihmon në rritjen e transparencës mbi aplikimet e lejeve të ndërtimit duke ulur në këtë mënyrë kohën dhe duke rritur efikasitetin. Si dhe One stop shop për bizneset, i cili sjell reduktimin e dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit duke krijuar një klimë të favorshme për investime”, u shpreh kryebashkiaku.

Ai foli edhe për iniciativën më të re të stafit të Bashkisë, të quajtur “SMART CITY”.

Sipas Bashës, rregulloj qytetin tim me një klik, ka për qëllim implementimin e disa moduleve specifike në Websit-in e Bashkisë së Tiranës, të cilët do të vënë në dispozicion të qytetarëve një aplikacion ku ata mund të dërgojnë në linjë ankesat e ndryshme lidhur me problemet e ndeshura në jetën e përditshme të identifikuara në qytetin e Tiranës.

E-Government, Sistemi elektronik i Vendimeve të Këshillit Bashkiak do të ofrojë lehtësira në mënyrën e menaxhimit, përcjelljes së informacionit, organizimit dhe proçesit të vendimmarrjes, ndërsa projekti GIS do të mundësojë që ndryshimet e Tiranës të mund të jenë të vrojtueshme në kohë reale nga çdo qytetar i saj.

Basha foli edhe për programin e Kulturës dhe Turizmit, ku bëri me dije se ai do të parashikojë rikualifikimin e bllokut të Toptanëve.

“Synojmë krijimin e një panairi të artizanatit, i cili do të ndikonte pozitivisht në eksperiencën e një turisti, pasi ato vazhdimisht kërkojnë diçka autentike nga qyteti i Tiranës; vendosjen e kolonave të informacioneve turistike në qytet si dhe ngritjen e një rrjeti të pavarur informacioni në lidhje me të gjitha monumentet, godinat historike dhe ato kulturore te qytetit”, premtoi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha gjatë konsultimit me banorët e njësisë bashkiake nr.5.

mit/NOA

KOMENTE