English

Duket se pa korrupsion, nuk ka vizion

Çfarë pafytyrësie. Po kujdesen për “taksapaguesit kosovarë”ndërsa i shkërdhejnë paratë e taksapaguesve amerikanë, evropianë, serbë etj. etj. Sa të poshtër janë. Kërkojnë transparencë nga të tjerët ndërkaq blindohen ndaj të tjerëve

Nga Behxhet Sh. Shala

Fjalë të forta, veprime të buta: Në Republikën e lodhur dhe krejt të sfilitur të Kosovës janë dy çështje për të cilat flitet më së shumti nga vendimmarrësit ndërkombëtarë dhe zbatuesit vendorë të kësaj vendimmarrjeje; të drejtat e njeriut dhe lufta pa asnjë kompromis kundër korrupsionit. Këto dy çështje realisht do të duhej të kundërshtonin njëra – tjetrën ndërsa te ne janë bërë një binom i pashmangshëm dhe i pandashëm verbal dhe oral i të gjithë atyre që e promovojnë dhe zbatojnë korrupsionin në praktikë, si forma më e rëndë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe atyre që janë të thirrur ta luftojnë me masa ligjore këtë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut si dhe ata që bëjnë zhurmë duke bërë përpjekje”ta frikësojnë arushën me tupan”. Promovimin e korrupsionit e kanë popullarizuar ndërkombëtarët, si balena apo peshkaqenë të korrupsionit masiv të shifrave me shumë zero ndërsa një pjesë e politikanëve të trajnuar mirë pastaj e kanë vazhduar zbatimin e “mësimeve dhe shkathësive “në praktikë duke e dëmtuar shtetin dhe duke e dëmtuar shëndetin financiar të qytetarëve të saj. Nëse ndërkombëtarët si qëllim kryesor kanë patur pasurimin e tyre përmes keqpërdorimit të fondeve të buxhetit të Kosovës, procesit të privatizimit, tenderëve milionëshe, të zhveshur nga ndjenja e dhembshurisë dhe çdo moral për varfërimin e qytetarëve të Kosovës dhe rrënimit të shtetit që lindi me aq vuajtje dhe sakrifica a do të duhej që në të njëjtën mënyrë të sillen edhe vendorët. Që të shkatërrojnë ardhmërinë e fëmijëve të tyre, shtetit të tyre të shndërruar në “bahçe të babës “dhe në fund të fundit edhe veten e tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë politikanët ndërkombëtarë, të zhveshur nga çdo moral dhe të mbrojtur me imunitet nga çdo ndjekje penale ndërsa në kategorinë e dytë të cilët do të duhej të demonstronin një moralitet, së paku edhe si gjurmë për shkak të kaluarës së tyre bëjnë pjesë një pjesë e politikanëve të vendit . Mirëpo, këta politikanë të shndërruar në kriminelë dhe hajna të paskrupullt po mrizojnë nën flladin e imunitetit ndërkombëtar. Për aq kohë sa kanë nevojë ndërkombëtarët për ta. Pastaj??.. Çka do të bëhet pastaj?? Ajo, që është bërë në Kroaci, Serbi, Maqedoni ose Mal të Zi dhe ajo ç’do të ndodhë në Shqipëri, si kusht për fitimin e statusit të kandidatit për BE. Thjesht, do të arrestohen dhe dënohen. Tjetër rrugëdalje nuk ka. Kështu është vepruar edhe në Bullgari, Hungari, Çeki, Sllovaki dhe Rumani. Karakteri i njeriut është përcaktues i fatit, përmbajtjes dhe në veçanti të fundit të tij. Nëse keni jetuar si horr, injorant, gënjeshtar, mashtrues etj. mund të jetoni mirë për aq kohë sa zgjat horrllëku, injoranca dhe për aq kohë sa gënjeshtra shitet dhe gjend vend në treg si e vërtetë e pakontestueshme . E kamufluar me patriotizëm, shtetndërtim, moralitet, sakrificë dhe vlera të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ata që në luftë kundër korrupsionit janë të armatosur me ligje që është krejt normale për një shtet demokratik ku sundon rendi dhe ligji, në Kosovë nuk mund as të mbrohen sepse ata që janë të korruptuar janë të armatosur me armatim të rëndë . Ata janë mbi ligjin.

Ndërsa, ata që bëjnë zhurmë, zhurmë dhe vetëm zhurmë ( një pjesë e shoqërisë civile ) nuk mund ta luftojnë korrupsionin sepse edhe vet janë të korruptuar. Disa marrin paga më të larta se presidentët dhe kryeministrat e shteteve të rajonit, disa as që tregojnë se çfarë rroga marrin në emër të mbrojtjes së kauzës së shtrenjtë, “kërkimit të llogarisë për shpërdorimin e parave të taksapaguesve kosovarë”. Çfarë pafytyrësie. Po kujdesen për “taksapaguesit kosovarë”ndërsa i shkërdhejnë paratë e taksapaguesve amerikanë, evropianë, serbë etj. etj. Sa të poshtër janë. Kërkojnë transparencë nga të tjerët ndërkaq blindohen ndaj të tjerëve.

Si duhet të dukej politikani ideal në Kosovë: Më parë e kam patur vetëm një politikan në Kosovë që për bindjen time i ka plotësuar të gjitha standardet morale, materiale, njerëzore, kombëtare etj. për të qenë Mesie, Baba, Piemont i shqiptarisë dhe atdhe dashurisë. Besoj se të gjithë ata që më lexojnë rregullisht nuk e kanë aspak vështirë ta identifikojnë. Ai është Behgjet Pacolli. Një kohë të gjatë nuk e kam parë dhe aspak nuk po ndjehem mirë. Është fat i madh që teknologjia informative po më mundëson që megjithatë të jem në rrjedha dhe t’i përcjell aktivitetet e tija të shumta që po i bën për Kosovën dhe Uzbekistanin . Dikush edhe mund të mos pajtohet me te por rezultatet nuk mund t’i mohohen. I ka të pashme dhe të prekshme. Si rezultat i lobimit në Afrikë për rritjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës është ndërtimi i një hoteli tepër modest në qendër të Prishtinës. Ky hotel është bërë qendër strehimi për varfanjakët dhe të pastrehët. Ky është dimensioni mashkullor i Nënë Terezës së Kalkutës. Për kah bëmirësia, nënkuptohet. Si rezultat i një lobimi në Amerikën e Jugut mund ta marr tenderin për nënkalimet në Prishtinë. E them se e meriton plotësisht sepse është mjeshtër i nëntokës.

Tash po mbledh mirënjohje dhe çelësa, urbi et orbi, në të katër anët e botës. Kjo quhet karrierë. Ky quhet përkushtim. Kjo quhet sakrificë. Ky quhet kontribut. Kështu punohet për shtetin dhe popullin. Duke e forcuar veten, e forcon shtetin .

Pata menduar seriozisht të bëjë një kërkesë për anëtarësim në kooperativën politike private të quajtur AKR e cila është truri, zemra, shpirti dhe mendja e një projekti madhor politik ( PD, G+, ZHGL- etj) ndryshe pjesë e koalicionit qeverisës aktual. Mirëpo pasi dëgjova intervistën plotë sinqeritet, pasion, pozitivitet etj. të kryeliberalit të Kosovës, të Madhit Gjergj Dedaj i bëra një delete të pakthyeshme mikut tim Behgjet Pacollit. Miqësia me Pacollin mbetet por interesi kombëtar dhe shtetëror është mbi çdo interes tjetër.

Në kohën kur lufta kishte filluar dhe idealistët kishin kaput armët për të luftuar kundër Jugosllavisë dhe Serbisë, Gjergji shkoi në Çirez të Drenicës së shkrumuar për t’i bindur luftëtarët e UÇK-së terroriste se duhet t’i dorëzojnë armët. Sepse nuk luftohet kundër ushtrisë jugosllave ngase na shfarosin fare. Në vendet demokratike si Franca, Anglia, Amerika etj. kjo do të konsiderohej si sabotim i luftës dhe thirrje për dorëzim dhe do të dënohej menjëherë me një procedurë të shpejtuar sipas stilit të Enverit ( një plumb të futur pas veshi ). Kujtojeni luftën e dytë botërore. Po Gjergji e kishte për të mirën tonë. Më mirë të gjallë në robëri se të vdekur në liri. Dikush që pastaj u bë anëtar i partisë së Gjergjit e këputi së rrahuri me stupc druri të prodhimit vendor mirëpo Gjergji stoikisht përballoi, gjithnjë në shërbim të kombit dhe atdheut. I përmbahej parimit:”duaje atdheun edhe kur të zhdëpin me dru”. Ndonëse ishe e fshehtë publike se çka kishte përjetuar Gjergji ynë, ai nuk foli asgjë për katrahurat e pësuara gjatë luftës. Për hirë të kombit dhe shtetit. U bë deputet dhe u tregua shumë kritik. Për hirë të atdheut dhe kombit. Mbeti pa post por duroi. Për hirë të kombit dhe atdheut. Hashim Thaçi e bëri zëvendësministër dhe këtë post e pranoi ndonëse nuk është i dhënë shumë pas posteve dhe karrikes. Për hirë të kombit dhe shtetit. Mbeti pa post sepse ra viktimë e konspiracionit të kartelës bankare. Edhe kësaj radhe nuk e bëri të madhe. Shpresoi se largimi i tij ishte pushim njëjavor dhe vetëm pastaj e thirri në mejdan Hashim Thaçin. Për t’i hapur letrat e vuajtjeve të tij. Përdori shantazhin si billetë kthyese për postin që i rëshqiti . Pasi nuk u ringjall në karriken dhe postin, filloi të këndojë. E bombardoi Hashim Thaçin me akuza të rënda dhe kërcënime të ulëta. Sa ishte pjesë e grazhdit të Hashim Thaçit, Gjergj Dedaj e pati nominuar atë qeveri të udhëhequr nga Thaçi për Çmimin Nobel. Për çka, nuk e di. Tash po donë me e nominuar për çmimin Krenaria e Dubravës. Vetëm se e ka lënë pa pushtet. Po ta thirrte përsëri Hashimi në qeveri, Gjergj Dedaj do të thoshte se nuk e ka dhënë intervistën në Rubikon Gjergji por Karla del Ponte. Prandaj, Gjergji është model tipik i politikanit që i duhet Kosovës.

Është një dukuri se pas daljes në skenë të Nazim Bllacës, shumë pendestarë dhe përfitues duan të veprojnë sipas modelit bllacian. Ky model është shndërruar në standard. Mirëpo dihet se edhe fotokopja më e përsosur dallon nga origjinali. Prandaj, është e pamundur të kopjohet Nazim Bllaca. Disa vetëm po lodhen duke u bërë sozi e Bllacës. Bllaca e ka sosë me një dhe nuk po i intereson pushteti. As karrika. Është përcaktuar për Dubravë duke bërë përpjekje të marri sa më shumë më vete.

Krimet e luftës dhe kriminelët e paqes: Në Prishtinë u mbajt një Konferencë për hulumtimin e krimeve të luftës. Për periudhën 1998 – 1999. Jo rastësisht. Edhe unë isha i ftuar. Shkova dhe u ndjeva shumë mirë sepse u takova me të gjithë bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët për të drejtat kombëtare, njerëzore të cilët ishin edhe shtetndërtues të këtij shteti që e kemi sot. Askush nuk i përmendi por ata kanë vepra. Kanë krijuar vepra për dallim prej atyre që po i gëzojnë veprat e tyre. Mirëpo diçka mungonte në këtë Konferencë për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Mungonte “kryekrimineli “, ADEM DEMAÇI.

* Dërguar nga autori, pikëpamjet janë qëndrime personale

KOMENTE