Firence, 17 Dhjetor 2011 - Mijëra njerëz kanë protestuar sot në Itali, pas vrasjes së emigrantëve nga Senegali në Firence të Italisë, nga një italian me pikëpamje ekstreme të krahut të djathtë.
Protestuesit marshuan në Firence, përderisa mijëra të tjerë protestuan në Milano dhe në pjesë të tjera të Italisë, raporton RFE.
Dy burra nga Senegali u vranë të martën në një treg të hapur. Vrasësi i tyre më pas voziti në drejtim të një tregu tjetër në qytet, duke lënduar edhe tre emigrantë të tjerë nga Senegali, përpara se ta vriste veten.
Pape Diav, zëdhënës i komitetit senegalez në Firence tha se bashkatdhetarët e tij ishin vrarë për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Presidenti italian u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të luftojnë të gjitha format e jo tolerancës.
Autoritetet treguan se vrasësi kishte marrë pjesë në protesta raciste.