English

Jahjaga: SHBA përkushtim për paqe dhe stabilitet në Kosovë

Uashington, 17 dhjetor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë.

Siç raporton agjencia e lajmeve NOA.al, fillimisht ajo takoi nën-sekretaren amerikane të mbrojtjes, Michele Flournoy, me të cilën diskutoi çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Presidentja Jahjaga, vlerësoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit si dhe përkushtimin amerikan për paqen në Europë. Presidentja Jahjaga tha se prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe kampi ushtarak amerikan Bondsteel është garantues për stabilitetin në rajon dhe ka ndihmuar në vendosjen e një marrëdhënieje të fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe ushtarëve .

Ajo tha se e mirëpret vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë si thelbësore për gjithë stabilitetin në Europë.

Nga ana e saj, nënsekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Flournoy vlerësoi lartë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ajo e konfirmoi përkushtimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në rajon.

Në vijim Jahjaga u takua edhe me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller. Në këtë takim u diskutua për modalitetet e bashkëpunimit në luftimin kundër e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Sakaq Jahjaga, u takua edhe me senatorin e SHBA-së, Mark Kirk dhe senatorin Ross Johnson, me ambasadoren për çështje të femrave, Melanne Verveer si dhe me ish-sekretaren amerikane te shtetit, Madeleine Albright.

a.y/NOA

KOMENTE