Kakavijë, 17 dhjetor 2011, NOA - Policia kufitare e Kakavijës sekuestroi dy pako me afro 2 kg marijuanë , e cila po transportohej sot drejt Greqisë me një autoveturë, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.
Pas një telefonate të mbërritur në stacionin e policisë, blutë e kufirit janë vënë në ndjekje të një autoveture me targa greke në pronësi të një emigranti nga Fieri, i cili do të trafikonte lëndë narkotike përdrejt Greqisë.
Automjeti i dyshuar, Audi A3, me targa greke ZZZ 58 89, i drejtuar nga 23-vjeçari nga Ballshi i Fierit, Besmir Disha, me banim të përkohshëm në Kallamata të Greqisë mbërriti në Kakavijë rreth orës 14.30.
Policia pas kontrollit të imtësishëm zbuloi dy pako cilindrike të mbështjella me letër natriban, në njyrë të zezë, brenda të cilave kishte rreth 2 kilogramë marijuanë.
Nga hetimet rezultoi se Besmir Disha kishte ardhur para një jave nga Greqia për në Ballsh dhe lëndën narkotike e kishte blerë tek një shtetas në Fier, për ta trafikuar në Kallamatë me qëllim shitjen në sasira të vogla.
Pas arrestimit të emigrantit Besmir Disha, policia e Gjirokastrës po punon për të identifikuar trafikantin që i shiti drogën emigrantit.
mit/NOA