Tiranë, 17 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, pak çaste më parë komentoi vendimin e Kryesisë së Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga radhët e saj.
“Ka 21 vite jetë dhe në Partinë Socialiste nuk ka ndodhur një ngjarje e tillë, për më tepër kur bëhet fjalë për një personalitet që ka kontribuar në themelimin dhe jetën e saj. Sa i takon Islamit unë them se ai do u bënte nder partive socialiste dhe partive socialdemokrate me traditë në Europë”, u shpreh Meta, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në këtë linjë ai theksoi se nuk mund ta besoj se nga Partia Socialiste do ndodhë një përjashtim i tillë.
I pyetur nga gazetarët nëse LSI do e pranonte Islamin si anëtar të saj, Meta është shmangur duke thënë se, LSI ka statutin e saj për cilindo që do të aderoj.
Më tej ai theksoi, “Nuk di që zoti Islami të ketë bërë ndonjë gabim, përveçse ka shprehur mendimin dhe alternativën e tij, të cilën aktualisht e ka përqafuar lidershipi socialist”.
Më tej ai ka kërkuar që tryeza e Reformës Zgjedhore të jetë gjithpërfshirëse, pasi reformat që kanë bërë PD-PS deri tani kanë sjell probleme.
Lidhur me kandidaturën e Fatos Nanos si President, Meta tha se është herët për të folur për këtë çështje, duke theksuar vlerat e tij.
a.y/NOA