Prishtinë, 17 dhjetor 2011, NOA – Në vigjilje të festave të fundvitit shqetësim për të gjithë vijon të mbeten fishekzjarret, nga përdorimi pa kriter i të cilëve, shënohet një numër i konsiderueshëm të lënduarish në momentin e ndërrimit të viteve.
Për të ndërgjegjësuar qytetarët në Kosovë për efektet negative të fishekzjarreve Ministria e Brendshme në Kosovë në bashkëpunim me policinë kanë ndërmarrë një fushatë, e cila pritet t’i bëjë edhe më të vetëdijshëm qytetarët kosovarë, për kremtimin e festave pa të plagosur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha për Kosovapress, se qytetarët duhet të kenë kujdes nga përdorimi i mjeteve piroteknike, për shkak të rrezikut nga lëndimet e ndryshme.
“Aktualisht Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi është duke e bërë një fushatë për vetëdijësimin e qytetarëve që të mos përdoren fishekzjarrë, në mënyrë që të njihen me pasojat që mund të shkaktohen nga fishekzjarrët”, u shpreh Sadriu.
Ai nënvizoi se policia nuk ka parashikuar ndonjë plan operativ për asgjësimin e tyre, pasi kjo i përket inspektoratit komunal.
NOA