Tiranë, 17 dhjetor 201, NOA – Rrëzimi i shtyllës së tensionit të lartë 110 KV në hidrocentralin e Vaut të Dejës është shkaktuar nga vjedhja e elementëve të ndryshëm të kësaj shtylle dhe nga prurjet e shumta të lumit Kir, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) thotë se shtylla e tensionit të lartë 110 KV Vau i Dejës - Shkodra 1, u rrëzua rreth orës 06.30 të mëngjesit të sotëm.
Kjo shtyllë ndodhet në mes të shtratit të lumit Kir (në afërsi të fshatit Bardhaj).
Sipas verifikimeve të para, rezultoi se rrëzimi i shtyllës ka ardhur nga vjedhja e elementëve të ndryshëm të saj, dhe nga prurjet e shumta të lumit Kir gjatë ditëve të fundit.
OST bën me dije se po e ndjek nga afër situatën, ndërsa ekspertë të saj kanë mbërritur në vendngjarje për t’i dhënë zgjidhje çështjes.
Riparimi i shtyllës, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe pozicionit të saj në mesin e shtratit të lumit Kir, e bën të pamundur riparimin përfundimtar të saj nga specialistët e OST-së, ndaj punimet do të vijojnë edhe të dielën.
Deri tani, thotë OST-ja, situata është nën kontroll dhe nuk ka ndonjë problem në furnizimin me energji për qytetin e Shkodrës, Lezhës, dhe rrethinave të tyre.
OST lajmëron se në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike, furnizimi me energji i kësaj zone do të bëhet nga linjat e tjera.
Ndërkohë, në rast se kjo do të jetë e pamundur, atëherë janë paralajmëruar kufizime minimale.
mit/NOA