Tiranë, 17 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, në kushtet e motit të paqëndrueshëm ka mbetur vendi ynë edhe gjatë ditës së sotme. Vranësirat dhe shirat e dobët kanë qenë prezent gjatë gjithë ditës por në orët e mesditës ka patur intervale të shkurtra kthjellimesh në ultësirën perëndimore si edhe në gjithë pjesën lindore.
Pjesa e dytë e ditës ka patur shtim të vranësirave në bregdet dhe në Jug të vendit duke rrezikuar këto zona për shira. Në zonat malore ka patur reshje të pakta dëbore. Po ashtu mbrëmja dhe nata do të karakterizohen nga vranësira dhe reshje shiu e dëborë në të gjithë territorin.
Për sa i përket, temperaturave të ajrit kanë pësuar rënie të ndjeshme në mëngjes por edhe në mesditë temperaturat kanë pësuar rënie. Vlerat më të ulëta janë shënuar në juglindje të vendit. Pogradec, Korçë, Ersekë, Bilisht.
Era ka fryre mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 33 km/h nga drejtimi verior verilindor duke gjeneruar dallgëzim 2 ballë.
Europa
Pjesa më e madhe e kontinentit europian është karakterizuar nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Masat ajrore të ftohta dhe të lagështa të përqendruara në Europën Veriperëndimore dhe Qendrore kanë bërë që vranësirat, reshjet e shiut dhe të dëborës të jenë prezente gjatë kësaj dite. Konkretisht në Vendet Nordike, Polonia dhe Rusia kanë patur dëborë të dendur ndërsa në Francë dhe Gjermani dëbora ka qenë e pakët. Mot i paqëndrueshëm ka dominuar në Europën Jugore dhe në Rajonin e Mesdheut. Problematike situata është paraqitur në Portugali ku shirat kanë rënë në formë rrebeshi ndërsa në veri të Spanjës dhe në Zonën e Alpeve ka patur dëborë. Edhe Europa Juglindore ka vijuar me vranësira dhe shira për shkak të vendosjes së masave ajrore të ngopura me lagështirë me origjinë nga deti Mesdhe. Zona më e rrezikuar nga reshjet intensive të shiut ka qenë Turqia. Për sa i përket një pjese të Europës Lindore kanë mbizotëruar kthjellimet dhe vranësirat e lehta.
a.y/NOA