Tiranë, 17 dhjetor 2011, NOA- Deputeti i selisë rozë, Kastriot Islami i cili pas mbledhjes së Kryesisë së re ditën e djeshme, e ka qëndrimin e tij në parti në pikëpyetje, komenton këtë çështje.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Islami shprehet se, “Nga shumë gazetarë dhe nga faqe të medias pranë Ramës jam bërë me dije për "propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i Partisë Socialiste". Jam interesuar tek një nga drejtuesit e grupit kuvendor të PS dhe më rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje”.
Deklarata e socialistit të vjetër u bë në faqen e tij në rrjetin social Facebook, vetëm pak orë pas publikimit të lajmit për një përjashtim të mundshëm të tij.
Burime zyrtare nga selia rozë, konfirmuan për NOA.al se, ka qenë Kryesia e PS e cila pas diskutimeve të shumta vendosi të përjashtojë Kastriot Islamin nga anëtar i Partisë Socialiste, ndërsa pritet që të martën të vendoset edhe përjashtimi nga grupi parlamentar.
a.y/NOA