English

Pranvera arabe një vit më pas

Një vit më parë, pemëshitësi Muhamed Bouazizi i vuri vetes flakën në një qytet të Tunizisë. Ndonëse mund të tingëllojë e pabesueshme, por ishte ky akt shkëndija e parë e asaj që do të bëhej revolucion rajonal

Nga “The Washington Post”

"Pranvera Arabe" e mori emrin pjesërisht nga komentuesit e hershëm që e krahasonin atë me trazirat që u dhanë fund diktaturave në pjesë të tjera të botës, përfshirë ish-bllokun sovjetik, Azinë Lindore dhe Amerikën Latine.

Dukej e logjikshme që edhe shtetet e Lindjes së Mesme do ta ndiqnin të njëjtën rrugë, që vendet e tjera i çoi nga diktatura dhe stagnimi ekonomik në zgjedhje të lira, tregje të lira dhe integrim në ekonominë globale.

Një vit më vonë duket qartë se revolucionet arabe janë të ndryshme dhe mund të mos e meritojnë etiketën e “pranverës”. Transformimet demokratike në pjesë të tjera të botës ishin më paqësore, derisa autorkatët nga Filipinët në Çili i “dorëzuan pushtetin popullit”.

Por, derisa ky model ka bërë më shumë punë në fillim të vitit në Tunizi dhe Egjipt, muajt e ardhshëm janë dominuar nga masakrat, pasi Gadafi i Libisë, Asadi i Sirisë dhe Salehu i Jemenit kanë zgjedhur të luftojnë, madje deri në vdekje.

Gadafi tashmë ka marrë fund, kurse regjimet e Asadit dhe të Salehut mund të pësojnë së shpejti. Por, mijëra vdekjet e shkaktuara nga ta kanë mbetur si re të zeza për vendet e tyre. Askush nuk e di se kur dhe si do të përfundojnë vrasjet.

Një ndryshim tjetër në transformimin arab është edhe perspektiva ekonomike e shteteve të sapoçliruara. Vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë kanë miratuar politika liberale të tregjeve që çuan në rritje të shëndetshme.

Por, Egjipti dhe shtetet e tjera arabe deri më tani janë të prirura drejt një populizmi, që mund të pengojë investimet e huaja dhe tregtinë. Ato vështirë se do të pranojnë shumë ndihmë të Perëndimit, çfarë u dha krahë demokracive të reja në vitet 1980 dhe 1990. Libia do të përparojë me naftë, por shumë të rinj mund të shohin se aspiratat e tyre për punë, do të mbeten të paplotësuara.

Dallimi i fundit është natyra e lëvizjeve politike, të cilat vijnë në pushtet pas revolucionit. Ndonëse islamistët në Tunizi, Egjipt, Marok dhe gjetkë thonë se janë demokratë, ata nuk janë liberalë dhe marrëdhëniet e tyre me Perëndimin nuk janë më të mirat.

Liberalët e vërtetë të botës arabe – ata që komplotuan kryengritjet në Facebook dhe sollën klasën e mesme në rrugë – rrezikojnë të margjinalizohen. Në Egjipt ata mbeten objektivi kryesor i udhëheqësisë ushtarake, që shpreson të ruajë një masë tejet të madhe të pushtetit.

Në retrospektivë nuk është për t’u habitur se modernizimi në Lindjen e Mesme po ndodh me më shumë zhurmë se gjetiu. Por, rrëmuja nuk duhet të jetë arsye për të mbështetur përpjekjet e ushtrisë së Egjiptit apo të Sirisë për të “vendosur rendin” me forcë.

Kurimi më i mirë për Lindjen e Mesme është ai që ka munguar: debati i lirë dhe demokracia. Në një afat të shkurtër, ai mund të çojë në politika të gabuara apo në fërkime më të mëdha me Perëndimin. Por, me kalimin e kohës, ekstremistët dhe fundamentalistët kanë më shumë gjasë të diskreditohen.

Brezi i ri i botës arabe do lirinë dhe përparimin që e sheh në pjesën tjetër të botës.

S’ka përgjigje për pyetje të ngutshme.

KOMENTE