Tiranë, 17 Dhjetor 2011 NOA – Drejtori i Kabinetit të Kryeministrit ka dalë me një qëndrim zyrtar sot mbi publikimin në një të përditshme sot, të dyshimit se Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe një zyrtar i lartë i Gardës së Republikës janë konfliktuar fizikisht në paradhomën e Kryeministrit. ”E përditshmja "Shekulli", që kontrollohet nga kreu i opozitës Edi Rama, me një shkrim të botuar në faqen e parë bën një shpifje të denjë vetëm për standardet morale të autorit dhe porositësit të tij”, - thuhet në deklaratën e Drejtorit të Kabinetit të Kryeministrit Ai deklaron se “kemi të bëjmë me një trillim të mirëfilltë, sipas modelit të scoop-eve të ulëta që porositen dhe fabrikohen në zyrat e kryetarit të PS-së”. ”Bëjmë me dije se kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur një ngjarje e tillë në paradhomën e Kryeministrit dhe as në ambientet e tjera të Kryeministrisë, sikundër sqarojmë se në asnjë rast Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit apo zyrtarë të tjerë të lartë të saj nuk ka ndodhur të jenë thirrur bashkërisht me zyrtarë të lartë të Gardës së Republikës”, - vijon qëndrimi. Në përfundim, drejtori i Kabinetit të Kryeministrit i kërkon drejtorit te gazetës "Shekulli" që ta botojë këtë përgënjeshtrim në të njëjtën hapësirë ku është botuar kjo shpifje e radhës”.
e.t/NOA