English

Vret vëllanë, e denoncon si të vetëvrarë

Fier, 17 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Krimi brenda familjes ka goditur sërish, këtë herë në qytetin e Fierit ku vëllai ka vrarë të vëllanë.

U denoncua fillimisht si vetëvrasje, falë bashkëpunimit të vëllait të viktimës dhe të shoqes, të cilët bënë të pamundurën që të mbulonin gjurmët e krimit.

Burime zyrtare nga policia e Fierit thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al, se në sajë të punës intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur ditën e enjte ku u dyshua fillimisht se në kushtet e gjendjes depresive, Gentian Zhuri 24 vjeç u vetëvra me armë zjarri.

Në bazë të hetimeve rezultoi se Shaban Zhuri, vëllai i viktimës mesditën e të enjtes në banesën e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me armë zjarri automatik vëllanë e tij i cili si pasojë e plagëve të rënda gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak në kryeqytet.

Në vijim nga efektivët e policisë u arrestua në flagrancë Shaban Zhuri, 35 vjeç për “Vrasje me dashje” si dhe bashkëshortja e këtij të fundit Lumturi Zhuri 34 vjeç, banues ne fshatin Çermë e Sipërme të Lushnjes, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Lidhur me këtë rast në cilësinë e provës materiale në banesën e Zhurit u gjet arma e përdorur për vrasjen e të vëllait, e llojit automatik.

a.y/NOA

KOMENTE