Tiranë, 17 dhjetor 201, NOA – Pak ditë pas mbledhjes më të fundit të Komitetit Shtetëror për organizimin e festimeve kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur konkursin kombëtar për realizimin e logos “100 Vjet Shtet Shqiptar”, e cila do të shoqërojë të gjitha shkresat zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, pas miratimit në Këshillin e Ministrave, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në konkurs janë ftuar të marrin pjesë artistë, studio grafike dhe subjekte (fizikë apo juridikë) me kombësi shqiptare, por jo nxënës dhe studentë.
Konkurentët mund të paraqesin deri në 5 punime origjinale, data e fundit për dorëzimin e të cilave në Galerinë Kombëtare të Arteve, është 27 dhjetori.
GKA thekson se punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit.
Në Konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup.
Punimi i Logos, së bashku me shkrimin “100 vjet Shtet Shqiptar”, duhet të jetë shprehje artistike figurative dhe grafike dhe duhet të paraqitet në formën e bocetit me ngjyra, në përmasa jo më të vogla se 10 x 10 cm, i vendosur mbi një format A4 dhe njëkohësisht i hedhur edhe në formë elektronike në CD.
Ngjyrat kryesore që duhet të dominojnë konceptimin e kësaj logoje duhet të jenë ngjyrat e flamurit kombëtar, e kuqja dhe e zeza, por ato mund të kombinohen edhe me ngjyra të tjera të zgjedhura nga artisti.
Punimi mund të paraqitet:
I punuar me ngjyra mbi letër
I printuar nga kompjuteri.
Secili prej këtyre formateve duhet të paraqitet dhe në formë elektronike.
Secili bocet i paraqitur duhet të jetë i nënshkruar nga autori apo grupi i autorëve.
Galeria Kombëtare e Arteve bën me dije se juria e Konkursit do t’i shqyrtojë punimet për një ditë të vetme, pra deri më 28 dhjetor.
Ndërkohë, një ditë më vonë, pra të enjten e 29 dhjetorit, do të shpallet fituesi i Konkursit.
Juria e Konkursit e miratuar nga Ministria e turizmit, Kulturës, rinisë dhe Sporteve përbëhet nga pesë anëtarë, personalitete nga fushat e artit dhe kulturës.
Vendimi i jurisë do të jetë publik, i formës së prerë dhe i paankimueshëm.
Vlerësimi artistik i Çmimit fitues është 300.000 lekë, ku përfshihen edhe taksat e aplikueshme, ndërsa boceti fitues bëhet pronë e fondit të GKA-së.
Sipas ligjit, me përfundimin e Konkursit dhe shpalljes së bocetit fitues, ndërmjet artistit dhe GKA-së lidhet Kontrata për Pagesën ku subjektit fitues në bazë të Ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, nuk i njihet e drejta e përfitimit material të mëtejshëm për përdorimin e veprës së tij nga ana e Shtetit Shqiptar.
NOA