English

Berisha: Vaclav Havel lideri dhe shkrimtari i lirisë në Evropë

Pragë, 18 dhjetor 2011, NOA – I fundmi President i Çekosllovakisë dhe i pari Kryetar i Çekisë post-komuniste pas rënies së sistemit komunist në vitin 1989, Vaclav Havel mbylli sytë përjetë në gjumë, në shtëpinë e tij, sot në moshën 75-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në mesazhin e tij Kryeministri Sali Berisha i ka shprehur homologut çek Petr Necas dhe familjarëve të ish-presidentit ngushëllimet e tij, por dhe mbarë kombit çek për ndarjen nga jeta të presidentit çek Vaclav Havel.

“Me vdekjen e Vaclav Havel, kombi çek dhe mbarë Evropa humbën liderin dhe shkrimtarin e madh të lirisë. Kombet ish-komuniste humbën frymëzuesin e kalimit të tyre paqësor nga diktaturat totalitare në liri, mikun e tyre të madh”, shprehet kryeministri Berisha në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Ish-Presidenti çek Vaclav Havel vdiq në gjumë në shtëpinë e tij në Hradecek, një provincë në rajonin e Trutnov, në prani të bashkëshortes së tij, aktores Dagmar.

Lajmin e bëri publik për mediat, mesditën e sotme sekretaria e ish-Presidentit, Sabina Tancevova.

Havel, vuante prej kohësh nga probleme të shumta në rrugët e frymëmarrjes, të shkaktuara nga vitet e kaluara nëpër burgjet komuniste.

Shfaqja e fundit e tij më publik ishte para një jave gjatë vizitës në Pragë të udhëheqësit shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, siç tregohet edhe në foton e dytë.

Disidenti çek njihet si mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës dhe si një nga figurat që bëri thirrje për ndaljen e dhunës gjatë regjimit serb në Kosovë të Sllobodan Millosheviç, në fund të viteve të ‘90-të.

Për kontributin e tij për Kosovën, Havel është nderuar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”, e akorduar nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Vaclav Havel u lind më 5 tetor të vitit 1936.

Ai u burgos nga komunistët çekë për aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe u denoncua si armik i shtetit.

Vaclav Havel njihet si dramaturg, eseist, poet, disident dhe politikan çek.

Ai ishte Presidenti i dhjetë dhe i fundit i ish-Republikës së Çekosllovakisë në vitet 1989-1992 dhe Presidenti i parë i Republikës Çeke, nga vitet 1993-2003.

Havel shkroi mbi 20 drama dhe një sërë skenaresh filmash të përkthyera në shumë gjuhë të botës.

Vaclav Havel është nderuar me katër Medalje për Lirinë, nga SHBA-të me Medaljen Presidenciale të Lirisë, me Urdhrin e Kanadasë, Medaljen e Lirisë, si dhe është nderuar si Ambasador i Ndërgjegjes dhe Mirënjohjes.

Ndërkohë në klasifikimin e “Prospect magazine”, në vitin 2005, për 100 intelektualët më të mëdhenj të botës, Vaclav Havel u klasifikua i katërti.

mit/NOA

KOMENTE
  • Kushtrim Selmanaj19:50 - 18 Dhjetor 2011
    NE 2005 ESHTE VLERESUAR SI NJE NGA 100 INTELEKTUALET E VITIT NE NIVEL BOTEROR, KA MARE MEDALJE NGA VENDE SI SHBA, KANADA ETJ...DMTH PERSONALITET. KA BERE DHE NDARJEN TOTALISHT PAQESORE TE ISH CEKOSLLOVAKISE. DHE NE FUND U TERHOQ NE JETE PRIVATE. ME DUKET APO ESHTE NJE SJELLJE KRYEKEPUT E KUNDERTA ME ATE TE POLITIKANEVE TANE...(PER BAC SALEN E KAM LLAFIN,PO NUK ESHTE I VETMI).JETA POLITIKE E <BACES> NE KETO MBI 20 VJET NE MOMENTE DELIKATE QE KA KALUAR SHOQERIA JONE, KA PASUR GJITHMONE VIKTIMA, VDEKJE, DHE <BACA> ISHTE NE PUSHTET, HERE SI PRESIDENT, HERE SI KRYEMINISTER. E MEGJITHATE NDERON NJE PERSON NDAJ TE CILIT <BACA> ESHTE MIJERA VJET LARG. NUK E KUPTOJ: <BACA> SE KUPTON QE KA GABUAR, (NDOSHTA KA QENE I VOGEL, TANI MBASE ESHTE RRITUR...)APO E KUPTON, POR ESHTE AQ I PAMORALTE, SA TE SILLET KESHTU ME NDEGJEGJE TE PLOTE? NQS KA MUNDESI TE TRETE, TE KATERT, PO MUA NUK ME VIJNE NE MENDJE...