"Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka afirmuar si askush tjetër, si asnjëherë më parë, ekonominë që duhet të bazohet në prodhim dhe sovranitetin që shpie drejt bashkimit kombëtar"...
Nga Albin Kurti*
Me pjesëmarrjen tonë në institucione e kemi dëshmuar që aktivisti mund të bëhet deputet dhe që deputeti mund të mbetet qytetar.
Organizata e VETËVENDOSJE!-s është masa vlerësuese e VETËVENDOSJE!-s në institucione. Duke qenë se na është rritur dhe fuqizuar organizata e Lëvizjes, kjo dëshmon dobinë dhe drejtësinë e Lëvizjes në institucione.
Në vitin 2011, sikur në asnjë vit tjetër, ka lëvizur Kuvendi i Kosovës. Kuvendi ka lëvizur sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë brenda Kuvendit. Kuvendi i Kosovës nuk është më vendi ku përfaqësuesit e qytetarëve, thjesht, ndahen nga qytetarët që përfaqësohen. Kuvendi i Kosovës nuk është më vendi ku deputetët kundërshtarë, duke qenë të ndarë nga qytetarët, bashkohen me njëri-tjetrin. Kuvendi i Kosovës, me VETËVENDOSJE!-n e përmes saj, është bërë fushëbetejë idesh e qëndrimesh, është bërë arenë politike.
Me hyrjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në institucione nuk ka ndryshuar Lëvizja VETËVENDOSJE! por kanë ndryshuar institucionet. Institucionet janë demokratizuar dhe janë politizuar. Dhe ky politizim ka qenë departizim. Kuvendi i Kosovës po i bën rezistencë e qëndresë të fuqishme Qeverisë e cila synon që republikën tonë parlamentare ta shndërrojë në Republikë qeveritare. Pa Lëvizjen VETËVENDOSJE! në institucione, ato do të ishin shumë më pak demokratike dhe shumë më pak politike. Pra, pjesëmarrja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në institucione ka qenë veprim shtesë për Lëvizjen dhe qenie e re për institucionet, e jo anasjelltas.
Në këtë vit, ballafaqimi i LVV me regjimin në fuqi është zgjeruar dhe është rritur në vazhdimësi. Fronti i përballjes është zgjeruar dhe cenimi i regjimit është rritur. Përveçse nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës, ballafaqimi është zhvilluar edhe nëpër institucionet e Kosovës, kudo ku ka qenë e pranishme Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt që e ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja. Kritika jonë shkon deri në fund dhe fundi duhet të jetë fund i kësaj Qeverie dhe mënyre të qeverisjes. Kjo nënkupton edhe ridefinimin e rolit të faktorëve ndërkombëtarë: ata duhet ta përkrahin Republikën e Kosovës pa sunduar mbi popullin e Kosovës dhe institucionet e tij.
Në vitin 2011, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë shumë aktive dhe dinamike. 28 Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përveç prezantimeve dhe debateve të shumta në medie, gjatë këtij viti kanë zhvilluar 38 aksione kryesore dhe vetëm në dy muajt e fundit janë mbajtur 86 tubime publike anekënd Kosovës. Vetëdija kombëtare dhe shoqërore po shndërrohet në organizatë të fuqishme politike.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është diskutim dhe mësim sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! beson që nuk duhet të ketë diskutim pa mësim dhe as mësim pa diskutim. Lëvizja VETËVENDOSJE! është organizim dhe aksion sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! beson që nuk duhet të ketë organizim pa aksion dhe as aksion pa organizim. Lëvizja VETËVENDOSJE! është studim dhe kritikë sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! beson se nuk duhet të ketë studim pa kritikë dhe as kritikë pa studim. Lëvizja VETËVENDOSJE! është tubim me qytetarë dhe njoftim me program. Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! beson që aktivistët duhet të jenë pranë qytetarëve për t’i bërë qytetarët aktivë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kontribuar si askush tjetër në demaskimin dhe diskreditimin e privatizimit të egër dhe abuziv si dhe të bisedimeve të dëmshme me Serbinë. Sepse privatizimi është shpunësim i qytetarëve dhe shpronësim i shoqërisë e kombit, kurse bisedimet e padrejta me Serbinë po e sajojnë veçse kopjen e shtetit që edhe mbetet pa Republikë.
Pa dyshim që, tash kur po bëhen gati katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, mocioni i Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë është vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me mjete institucionale dhe jashtëinstitucionale do të angazhohemi për zbatimin e këtij mocioni deri në fund, pra për mbështetjen e prodhimit vendorë dhe zëvendësimin e mallrave që vijnë nga Serbia, për aktivizimin e të gjithë mekanizmave shteërorë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar karshi Serbisë. Reciprociteti sjell barazi.
Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka afirmuar si askush tjetër, si asnjëherë më parë, ekonominë që duhet të bazohet në prodhim dhe sovranitetin që shpie drejt bashkimit kombëtar.
Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në institucione, bashkimi kombëtar në vitin 2011 u afirmua sikurse asnjëherë në këto vitet e pasluftës. Bashkimi kombëtar e politizon kombin tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, për shkak se është Lëvizje, thërret që të bëhemi politikisht kombëtarë, ndërsa partitë politike, duke qenë parti, përfundojnë kulturalisht provinciale.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk duhet thjesht të zgjidh probleme ose të tregojë për zgjidhjet e tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet të fitojë. Zgjidhja nuk është fitore. Fitorja është zgjidhje.
Betejat e mëdha janë para nesh: për t’i ndalur përfundimisht këto bisedime të dëmshme me Serbinë dhe për t’i zhvendosur politikat ekonomike prej shitjes së pasurive publike e kombëtare te zhvillimi i bazuar mu në këto pasuri.
Nëpër beteja insitucionale e jashtëinstitucionale, Lëvizja VETËVENDOSJE! po kalitet drejt fitores së saj. Do të ketë shumë vështirësi që vijnë prej njerëzve të regjimit që kanë vjedhur para për të vjedhur vota dhe kanë vjedhur vota për të vjedhur para. Por ama edhe sa më shumë që do të na e vonojnë fitoren, aq më të madhe do ta kenë humbjen.
*Fjalimi i Albin Kurtit në Mbledhjen e Tretë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!