E kur dihet se ishte një moment i mirë për ta anashkaluar politikanit albion, Sarkozy nuk lejoi t’i shkonte rasti huq. Dhe natyrisht “The Sun”, e cila e teproi me qasjen ndaj francezëve dhe gjermanëve, ia priti presidentit Sarko: “Kush mendon se është BE-ja?” Pas disa kritikash dhe kundërkritikash, zëvendëskryeministri Nick Clegg (mos ma merrni për të keq), ia doli të shkonte përtej këtij teatri në një reflektim më strategjik.
Nga Roger Cohen
Mosbesimi britanik, për të mos e thënë anglez, se çfarë ndodh përtej kanalit gjithnjë ka qenë i pabazë. W. H. Auden, duke observuar një “kult të sallatave”, e tha me shkaka se “para shumë kohe” pjesa jugore e Anglisë i ngjante “Continongut”. Matanë detit, në një kontinent mosbesues, shtrihen toka të kushtetutave, kodeve ligjore napoleonike, ushtrive të mposhtura, lirive të papërsosura dhe rabinëve. Natyrisht se Auden po shkruante përpara lindjes së euroskeptikëve konservatorë, të cilët rritën ndikimin në një shtet pasperandorak. Kjo mostër e epërsisë është reflektuar në veton e kryeministrit Davi Cameron ndryshimeve të Traktatit të Bashkimit Evropian për ta mbrojtur euron nëpërmjet bashkëpunimit më të madh fiskal dhe sanksioneve më të serta ndaj vendeve që kalojnë gjendje të ngjashme me atë të Greqisë. Euroskeptikët duan më shumë pak Evropë, e jo më shumë. Në kohën kur ishin “më të bashkuar se kurrë”, ata e duan Evropën më pak se kurrë, dhe po të jetë e mundshme, një zgjidhje tjetër. Në rrahjen e “orës së fundit” të saj ose të tij – më shumë duket se të tij – duket se ndihet një kundërshtim ndaj kontinentit të vjetër. Dhe vetëm tani objekt rezistence është Frau Merkel e Gjermanisë. Ose kështu së paku mendojnë konservativët. Që nga Jo-ja e Cameronit, është folur shumë për kthimin e “shpirtit konfrontues”. Krijimi i iluzioneve është diçka që u takon shteteve imperialiste që e rrejnë veten duke u shmangur nga realiteti. Madje Cameroni ka lozur kartën e gabuar pa pasur partnerë dhe përgatitje. Ai nuk ishte fort i vendosur në marrjen e koncesioneve për industrinë financiare londineze, e cila ishte pjesë e krizës së vitit 2008. Kjo qasje politikisht ishte e pavend – në vend se të luftonte shpirtin e Normandisë, ai zgjodhi hipokrizinë e pretendimit se është gjigant përtej detit. Madje edhe po të mos ishin zgjedhjet presidenciale vetëm pesë muaj larg, presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të përpiqej ta shmangte shtrëngimin e dorës së Cameronit.
E kur dihet se ishte një moment i mirë për ta anashkaluar politikanit albion, Sarkozy nuk lejoi t’i shkonte rasti huq. Dhe natyrisht “The Sun”, e cila e teproi me qasjen ndaj francezëve dhe gjermanëve, ia priti presidentit Sarko: “Kush mendon se është BE-ja?” Pas disa kritikash dhe kundërkritikash, zëvendëskryeministri Nick Clegg (mos ma merrni për të keq), ia doli të shkonte përtej këtij teatri në një reflektim më strategjik. Duke u deklaruar thellësisht “i dëshpëruar” me vendimin e Cameronit, ai tha: “Nuk ka asnjë lidhje me shpirtin luftarak të sillesh diku në mes të Atlantikut, të mos mbahesh me Evropën, e të mos merresh seriozisht as nga Washingtoni”. Nuk ka një strategji euroskeptike, por më shumë duket si një qëllim përfitues politik afatshkurtër. Për një kohë të gjatë, zgjerimi i pasluftës së ftohtë të Evropës me 27 anëtarë hoqi nevojën për thellim bashkëpunimi. Kjo i shkonte për shtati Britanisë, e cila kurrë nuk ishte e interesuar për unionin politik, por shihte një përparësi në tregun evropian pa kufij. Tani kriza e euros ka treguar se ka nevojë për një shtytje federative për shtyllën e nevojshme politike valutës së përbashkët. Duke qenë kështu, kjo po ashtu e ka ekspozuar ambivalencën britanike që dy herë e kishte detyruar De Gaulle t’i thoshte “Non” anëtarësimit të Britanisë së Madhe. Mirë e ka thënë Warren Buffett: “Vetëm kur të hiqen rripat merret vesh se kush po lahet lakuriq”.
Atlantiku i mesëm, në kohën kur Amerika po shkon nga Azia, mund të jetë një vend i vetmuar për Britaninë, ekonomia e së cilës me të madhe është e varur nga eurozona. Natyrisht se pakti fiskal që e refuzoi Britania, ka shumë punë për t’u kthyer prej fjalëve në vepër - dhe nëse Mario Draghi, president i Bankës Qendrore Evropiane, refuzon të garantojë likuiditet për t’i ruajtur bondet evropiane dhe tregjet financiare të funksionojnë, atëherë gjërat nuk do të shkojnë si duhet derisa të nisë zbatimi i reformës monetare. Megjithatë shumëçka është arritur. Mjegulla është larguar. Pakti i propozuar përfaqëson një nevojë të jashtëzakonshme ndryshimi, nëse nuk është më e mira: se euroja ishte në një moment jetik dhe se e kishte të domosdoshme integrimin politik dhe ekonomik me qëllim që të mbahet në këmbë të veta si valutë. Çdo përafrim i unionit çon në këtë drejtim. Me një qasje më të rafinuar dhe më delikate, Britania do të mund ta shoqëronte këtë proces, pa përshtatur euron. Në vend të kësaj, zgjodhi të izolohej. Mbase nuk është rastësi se vetoja e Cameronit ndodhi në të njëjtën kohë kur një deputet konservator britanik, Aidan Burley, ishte në një ndejë në Val Thorens – një vend i bukur malor francez me një emër që tingëllon si gjerman – ku së bashku me shumë pjesëmarrës të tjerë ishin veshur me uniforma naziste dhe po bënin përshëndetje hitleriane në një atmosferë hareje. Burley, i cili u detyrua të kërkonte falje, pagoi faturën për festën. Liria dhe pavarësia e sfiduar britanike janë gjëra që janë dëshmuar gjatë gjithë kohës. Ama puna është se euroskeptikët e fshehur prapa vetos së Cameronit në Bruksel festuan sa për poza. Nostalgjia e tyre për madhështinë e Britanisë së Madhe shpeshherë nuk është asgjë më shumë sesa trumbetim i një grumbulli snobësh që duket se kanë kaluar kohë të vështirë duke frenuar fashizmin e tyre të brendshëm. Marksi e kishte kuptuar se historia përsëritet, fillimisht si tragjedi, pastaj si farsë. Të dalë një kryeministër britanik dhe të thotë se do t’u dalë krah gjermanëve në shpëtimin e euros vetëm nëse City e Londrës përjashtohet nga një taksë e transaksioneve financiare, derisa një deputet konservator vishet me uniforma naziste e një tjetër konservator vlerëson se Cameron e ka “luajtur qorrin”, s’ka si të jetë ndryshe, përveçse farsë.
NOA