English

Katastrofë në Filipine, të paktën 650 të vdekur nga tajfuni Washi

Cagayan de Oro, 18 dhjetor 2011, NOA – Tajfuni Washi, që goditi të shtunën, jugun e ishujve Filipine ka lënë pas vetes një katastrofë të vërtetë dhe një bilanc viktimash, që vjen e rëndohet, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Të paktën 650 të vdekur, 800 të zhdukur dhe 35 mijë të pastrehë është bilanci i deritanishëm i stuhisë së fuqishme, bën me dije Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili po ndjek nga afër situatën humanitare të emergjencës në Filipine.

Sipas Kryqit të Kuq po punohet ende për të gjetur dhe shpëtuar jetë nën gërmadhat që ka mbjellë tajfuni Washi.

Sipas të dhënave një numër i madh viktimash janë fëmijë.

Tragjedia që goditi Filipinet zuri një vend të posaçëm edhe në lutjet e Papës, i cili shprehu solidaritetin në këtë moment të dhimbshëm për popullin filipinas.

“Lutem për viktimat, që më së shumti janë fëmijë, për të pastrehët dhe të zhdukurit”, u shpreh Papa Benedikti XVI.

Stuhia tropikale Washi goditi dje jugun e ishujve Filipine, dhe në veçanti ishullin Mindanao, me shtjella të fuqishme erërash, që morën përpara gjithçka gjetën.

Por, ajo që shkaktoi dëmet më të mëdha ishin shirat e rrëmbyeshëm që goditën zona të tëra në qytetin Cagayan de Oro dhe Iligan, duke pasuar rrëshqitje të tokës, përmbytje të befasishme, që gllabëruan fshatra të tërë, shtëpi dhe njerëz, duke i degdisur në det.

Imazhet e përcjella nga aty shfaqin një katastrofë të vërtetë, shtëpi të shkatërruara, trupa të pajetë, rrënoja, makina të përmbytura, rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie elektrike.

Në kolaps të vërtetë janë në këto momente edhe autoritetet, që po merren me gjetjen e viktimave.

Më se 20 mijë ushtarë janë në aksion kundër kohës për të shpëtuar personat e mbetur gjallë ende nën rrënojat që shkaktoi tajfuni që varrosi fshatra të tërë.

Ishujt Filipine goditen çdo vit nga afro 20 stuhi tropikale, por ishulli Mindanao është i vetmi, që është goditur shumë më pak, duke bërë që autoritetet ta shohin me frikë tajfunin Washi dhe jetën në këtë ishull.

mit/NOA

KOMENTE