English

Ndahet nga jeta kolonel Astrit Mehja, Berisha: Drejtues i talentuar i policisë

Tiranë, 18 dhjetor 2011, NOA - Astrit Mehja, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit ka ndërruar jetë dje në moshën 56 vjeçare. Miq, të afërm, kolegë, drejtues të lartë të shtetit dhe strukturave të policisë, zhvilluan sot homazhe në Drejtorinë e Policisë së Shtetit për nder të kolonel Astrit Mehja. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, në homazhet e zhvilluara në Drejtorinë e Policisë vlerësoi punën e kolonelit. Mehja u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Kryeministri Berisha u shprehu ngushëllimet familjarëve dhe vlerësoi kontributin e Kolonel Astrit Mehja, si një drejtues i talentuar i Policisë së Shtetit dhe shërbëtor i vendosur dhe i përkushtuar i vendit dhe shoqërisë shqiptare.

“Erdha të shpreh nderim tim, dhimbjen dhe ngushëllimet e mia, për ndarjen nga jeta të njërit prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njërin prej drejtuesve të talentuar të Policisë së Shtetit, Kolonel Astrit Mehja. Me këtë rast, unë shpreh ngushëllimet më të thella familjes Mehja, miqve dhe të afërmeve të tij, të gjithë Policisë së Shtetit, pasi sot përcjellim për në banesën e fundit një prind shembullor, një qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm dhe të vendosur të vendit dhe të shoqërisë shqiptare, një drejtues të talentuar të policisë. Edhe njëherë, ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehja”, tha Berisha për mediat.

a.k/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha duke zhvilluar homazhe në nder të ish drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Astrit Mehja.

KOMENTE