English

Në 2012 nis ndërtimi i Tramit të Tiranës, Basha prezanton projektin

Tiranë, 18 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani - Trami i Tiranës, një nga projektet më ambicioze të shpallura nga Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale, do të nisë të ndërtohet brenda vitit 2012, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kjo është bërë publike nga vetë kryebashkiaku i Tiranës gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm në njësinë bashkiake 11, në Laprakë.

Linja e tramit do të përshkojë distancën nga Lapraka deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe pritet të zgjidhë ndjeshëm problemin e transportit publik në kryeqytet.

Në fjalën e tij para banorëve të njësisë 11, të cilët do të jenë përfituesit e këtij projekti dhe të një sërë projektesh të tjera, Basha nuk dha detaje për vlerën e projektit, por theksoi se ndërtimi i tij përfaqëson një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të zhvillimit dinamik të Tiranës në tërësi, dhe të njësisë vendore 11 në veçanti.

Të tjera projekte që marrin jetë gjatë vitit 2012, janë ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbanë e interurbanë, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe 4 mbikalime, që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit.

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha tha se shpejti do të nisë transferimi i stacionit të trenit, nga vendi ku ndodhet tani, për në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë.

Sipas Bashës vendosja e këtij terminali realizon nga pikëpamja infrastruktore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i Bulevardit të ri, nga stacioni i Trenit deri në tek Lumi i Tiranës dhe më pas deri tek rezervuari i Paskuqanit, që sipas tij është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës.

mit/NOA

Basha: Minibashkia 11, investime sa në 10 vitet e fundit së bashku

Në vijim të konsultimit të projekt-buxhetit të bashkisë për vitin 2012, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u takua sot me banorët e Njësisë Bashkiake numër 11, e cila do të përfitojë një numër të madh investimesh publike gjatë vitit të ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryebashkiaku Basha deklaroi se investimet publike të parashikuara për minibashkinë 11 do të jenë aq sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku.

Zoti Basha gjatë konsultimit me banorët tha se Bashkia ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj njësie, duke deklaruar se projekt-buxheti i Bashkisë për vitin 2012, se parashikon për këtë zonë rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës kanalizime, rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave, kopshteve e çerdheve, ndërtimin e një qendre sociale etj. , duke kthyer kështu vëmendjen e Bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake.

“Një pjesë e madhe e këtyre investimeve shtrihet në territorin e njësisë bashkiake nr. 11, një njësi e cila për një kohë të gjatë është lënë jashtë vëmendjes, dhe pasojat e kësaj mungese, ju i vuani në mënyrë të përditshme. Për këtë njësi ne kemi planifikuar vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës, që lidh rrugën “Don Bosko” me rrugën “Egnatia”, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me Komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në bregun e Lumit. Këto 5 investime të mëdha infrastrukturore janë rezultat i një konsultimi paraprak me të zgjedhur të njësisë vendore 11, me kryetarin Haki Mustafa, por edhe përfaqësues të tjerë të zërit të komunitetit të kësaj njësie vendore”, nënvizoi kryetari i bashkisë së Tiranës.

Ai bëri me dije se buxheti i vitit 2012 parashikon edhe rikonstruksionin e dy kopshteve, në rrugën “Gjergj Legisi” dhe në Kodër-Kamëz, ndërsa do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit, objekt që është në vazhdim.

“Do të ndërtohet një komponent shtesë në shkollën “Isa Boletini” dhe do të ndërtohet tërësisht shkolla 9 vjeçare “Ahmet Gashi”. Do të investohet në parametra europiane në çerdhet nr. 11 dhe nr. 30 si dhe ka nisur puna për ndërtimin e qendrës sociale këtu në Laprakë si një pjesë e angazhimit tonë për të pasur 6 qendra të tilla deri në qershorin e vitit të ardhshëm”, premtoi Basha.

Sipas kryebashkiakut Basha banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike, që do të marrin jetë gjatë vitit 2012, si ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbane dhe interurbanë, për linjën e Tramit, Laprakë- sheshi “Nënë Tereza”.

Projekti do të mundësojë zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetësues për banorët e Laprakës.

“Ne do të nisim së shpejti transferimin e stacionit të trenit, nga vendi ku ndodhet tani tek territori që kemi marrë që është shumë afër njësisë suaj vendore, pavarësisht se shtrihet në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë ku ne do të vendosim stacionin e ri të trenit, stacionin e autobusëve interurbanë të të gjithave drejtimet me përjashtim të lindjes. Pra për perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme si dhe ku do të nisë projekti i njërit prej linjave të Tramit, që përkatësisht do ta përkufizoja si linja Laprakë, Sheshi Nënë Tereza. Vendosja e këtij terminali realizon nga pikëpamja infrastruktore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i Bulevardit të ri nga stacioni i Trenit deri në tek Lumi i Tiranës dhe më pas deri tek rezervuari i Paskuqani, që është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës. Nga pikëpamja e zhvillimit të ri ekonomik dhe e Tiranës policentrike, vendosja e këtij terminali multi modal pasagjerësh me një afërsi gjeografike pothuajse të puqur me njësinë vendore 11, përfaqëson një nga ndërmarrjet tona më të rëndësishme të zhvillimit dinamik të Tiranës në tërësi dhe të njësisë vendore 11 në veçanti”, u shpreh Kryetari i Bashkisë.

Kryebashkiaku i Tiranës foli edhe për segmentin e Unazës së re nga qendra Kristal tek Teknologjikja, për t’u bashkuar me Unazën e re që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës.

“Lumi i Tiranës është sot në gjendje të degraduar por me projektin që ne parashikojmë, ky lumë jo vetëm do të rehabilitohet, por do të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit urban të Tiranës. Aktualisht inxhinierët kanë përfunduar matjet topografike si dhe preventivin për katër mbikalime përgjatë rrugës së Durrësit. Ky investim është parashikuar në një skemë të partneritetit me sektorin privat dhe kompani të cilat janë angazhuar dhe do të angazhohen me projekte të ndryshme të Bashkisë së Tiranës, kanë marrë përsipër të ndërtojnë të katër mbikalimet, vendndodhjen e saktë të tyre do ta përcaktojmë në bazë të matjeve së trafikut por edhe opinionit të qytetarëve të të dy anëve të Rrugës së Durrësit dhe njësive Bashkiake nr 11 dhe nr 7, dhe për këtë kërkohet kontributi juaj aktiv”, tha Basha para banorëve të Njësisë Bashkiake nr 11”, vijoi Basha.

Ai i cilësoi projektet në fjalë si projekte me impakt mbi këtë zonë sa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe punësimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha nënvizoi se filozofia e re, e instaluar nga ai në Bashkinë e Tiranës, ka në qendër shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e shërbimeve.

mit/NOA

KOMENTE