Siri, 18 dhjetor 2011, NOA - Pamjet më shokuese të torturave në Siri pritet të transmetohen sot në një televizion në Angli. Ekipi televiziv ka arritur të filmojë disa momente ku duken forcat ushtarake që rrahin disa fëmijë, gra, një kryetar bashkie dhe shumë qytetarë të tjerë.
Pritet që xhirimet të tregojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë me këtë vend, kur prej disa muajsh kanë nisur përplasjet mes regjimit dhe qytetarëve Dokumentari i televizionit londinez titullohet “Makineria e Torturës”. Drejtuesit e emisionit kanë thënë se kanë hequr një pjesë të pamjeve shokuese, për të cilat kanë menduar se do të ishte shumë e rëndë për publikun.
Fotot e shpërndara nga media për dokumentarin flasin për dhunë të pashembullt. Në foton e parë televizive jepet momenti kur rrihet një prej mësuesve të zonës ku ka shkuar ushtria. Atij i është vënë këmba në fyt. Në foton e dytë është kryetari i bashkisë së një qytetit në provincën Iblid që rrihet në mënyrë çnjerëzore. Ndërsa në foton e tretë televizive është dhunimi masiv i disa qytetarëve.
a.k/NOA