Tiranë, 18 dhjetor 2011, NOA – Këtë të dielë iu dha lamtumira e fundit njërit prej drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, kolonel Astrit Mehjas.
Presidenti i Republikës Bamir Topi përmes një mesazhi ngushëlloi familjarët e ish-zëvendësministrit të Rendit, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 56-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Me dhimbje mësova për ndarjen nga jeta të Astritit tuaj të dashur! Më lejoni që, në këto momente të vështira për ju, t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë!”, shkruan në krye të mesazhit të tij Kreu i Shtetit.
Presidenti më tej shkruan se “Humbja e njërit prej drejtuesve më profesionistë e më të përkushtuar të Policisë së Shtetit, Astrit Mehjës, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët, për shtetin dhe për të gjithë shtetasit shqiptarë. Jeta dhe vepra e Astrit Mehjës është tregues i sakrificës dhe profesionalizmit, i cili me punën e tij dhe misionin e përditshëm e të vështirë, iu përkushtua mbrojtjes së rendit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë”, nënvizon Presidenti duke u lutur që kujtimi i tij të jetë i përjetshëm.
Paraditen e të dielës miq, të afërm, kolegë, drejtues të lartë të shtetit dhe strukturave të policisë, bënë homazhe dhe i dhanë lamtumirën e fundit kolonel Astrit Mehja.
Pas homazheve për nder të tij në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Kryeministri Sali Berisha, e vlerësoi atë si një drejtues të talentuar të Policisë së shtetit.
“Erdha të shpreh nderim tim, dhimbjen dhe ngushëllimet e mia, për ndarjen nga jeta të njërit prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njërin prej drejtuesve të talentuar të Policisë së Shtetit, Kolonel Astrit Mehja. Me këtë rast, unë shpreh ngushëllimet më të thella familjes Mehja, miqve dhe të afërmeve të tij, të gjithë Policisë së Shtetit, pasi sot përcjellim për në banesën e fundit një prind shembullor, një qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm dhe të vendosur të vendit dhe të shoqërisë shqiptare, një drejtues të talentuar të policisë. Edhe njëherë, ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehja”, u shpreh kreu i qeverisë në mesazhin e tij për gazetarët.
Koloneli Astrit mehja u nda nga jeta të shtunën pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 56-vjeçare.
mit/NOA