English

Presidenti politik si nevojë e Republikës

"Kryeministri, konsensusi i të cilit pat sjellë në Presidencë z.Alfred Moisiu, i është rikthyer idesë së Presidentit politik. Shefi i mazhorancës ka thënë se Presidenti do të vijë nga radhët e Partisë Demokratike dhe se kjo parti ka personalitete të mjaftueshme për postin në fjalë"...

Nga Alfred Lela

Një gjë është e sigurt: Listës para-presidenciale të emrave në sfilatën politike të pranverë-verë 2012 do t’i mungojë Ismail Kadare. Shkrimtari e ka dhënë përgjigjen, përfundimtare me sa duket, pas disa refuzimesh të mëparshme, edhe me anë të memuarit të bashkëshortes së tij Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme. Spekulantët do të kenë një emër më pak për ta rritur ose ulur vlerën e një aksioni, a emri tjetër në bursën politike të Tiranës.

Madje, kësaj radhe, duket se lista, më shumë se emrash të shtuar do të jetë emrash të fshirë. Përveç shkrimtarit Kadare, dimë një tjetër emër të absolutizuar si pamunëdsi dhe ai është i Presidentit aktual z. Bamir Topi. Për të disatën herë mazhoranca i ka mëshuar idesë se Topi e ka të pamundur për t’u rikandiduar nga Partia Demokratike. Shefi i kësaj partie, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha ka dhënë garancitë e veta kundër, shanseve më shumë se idesë, së një mandatit të dytë për kryetarin aktual të shtetit.

Kryeministri, konsensusi i të cilit pat sjellë në Presidencë z.Alfred Moisiu, i është rikthyer idesë së Presidentit politik. Shefi i mazhorancës ka thënë se Presidenti do të vijë nga radhët e Partisë Demokratike dhe se kjo parti ka personalitete të mjaftueshme për postin në fjalë. Ai ka hequr edhe një emër tjetër nga lista paraprake presidenciale, atë të ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Me këta emra të hequr prej listës, pikërisht nga njeriu vullneti i të cilit më shumë se i kujtdo tjetër do të përcaktojë Presidentin e ardhshëm të Republikës, në dukje gjërat bëhen më të lehta. Dhe kështu është. Një president politik do të thotë një president nga shumica. Mazhoranca qeverisëse e ka fituar dy herë këtë të drejtë: me anë të sigurimit të shumicës së votave të shqiptarëve, por ironikisht, ajo ka edhe bekimin e opozitës për një President politik. Ky bekim qëndron te ndryshimet kushtetuese kryer në vitin 2008, të cilat i lejojnë mazhorancës, cilado qoftë ajo, zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë.

Kjo, brenda një logjike normale, duhet ta shtensionojë edhe përplasjen mes dy kampeve politike. Opozita nuk ka pse të luftojë një betejë, të cilën e ka nulizuar vetë duke dhënë konsensusin për ndryshime kushtetuese. Përndryshe ajo do të ngjante inkoherente dhe hipokrite dhe mesazhi i dalë prej një investimi të mundshëm të saj në lojën për zgjedhjen e Presidentit do të thoshte: ndryshimet kushtetuese i bëmë me prapamendimin se në pushtet do të vinim ne. Tani që nuk ndodhi kështu, nuk i shohim si të vlefshme.

Një President politik nuk do të thotë asgjë më shumë se një President sipas Kushtetutës. Një President sipas Kushtetutës, nëse u kthehemi qëllimeve të palëve që mundësuan ndryshimet në dokumentin themeltar të shtetit, do të thoshte një President politik. Secila palë, duke ulur pragun e zgjedhjes së Presidentit nga 3/5 në 71 vota (pas tri përpjekjesh) ka pasur në plan një President të dalë nga vullneti i njërit kamp, blu ose rozë.

Sali Berisha, 20 vjet pasi e provoi vetë postin e një Presidenti politik, po e rikthen këtë modul edhe me ndihmën e kryetarit të opozitës, Edi Rama. Kjo mund të jetë shenjë e mirë, e keqe, as kështu dhe as ashtu, merre si të duash, por në thelb është shenjë se Republika është më e fortë. Gjithmonë në këtë vend presidentët konsensualë kanë qenë përpjekje të palës në pushtet, ose dorëzime para trusnisë ndërkombëtare, për të mbuluar akte antidemokratike.

"Mapo"

KOMENTE