English

Profesioni pa emër

"Në të njëjtat rrugë ku vriten biznesmenë, gjyqtarë dhe ku grabiten taksistë e salla kazinosh, ku klonohen kartat e bankomatit dhe ku destabiliteti shoqëror tronditet herë pas here nga krime të bujshme"...

Nga Eni Vasili

Një profesion i ri ka lindur në Tiranë. Nuk di ende t’i gjej një emër. Duhet t’i keni vënë re edhe ju së fundmi disa njerëz në zonat kryesore të Tiranës, të cilët gjejnë një vend mbi një trotuar dhe e ruajnë gjithë ditën, presin të tjerë hallexhinj fatlumë që e kanë një punë dhe duan të lehtësohen nga barra e automjetit dhe ata janë aty ku duhet. Të udhëzojnë si të parkosh pa ua kërkuar dhe më pas të shohin në sy duke të detyruar të nxjerrësh monedhat për të paguar atë copë trotuari që është i yti sa edhe i tij. Edhe pse asnjë arsye racionale s’ke veçse keqardhjes apo frikës se automjetin mund ta gjesh të dëmtuar, detyrohesh të paguash. Burra e mesoburra që zënë 2 metra trotuar e kalojnë ditën e tyre aty. I gjen çdo 2 metra trotuar, deri vonë në mbrëmje, gjithmonë aty.

Nuk di nëse shpikja e këtij profesioni të ri është produkt i krizës apo dembelizmit që jo rrallë na karakterizon.

Sigurisht përsëris kushedi kë, kur u risjell në sy panoramën mbytëse të lëmoshëkërkuesve në çdo cep të Tiranës, të cilët shtohen çdo ditë, bëhen më këmbëngulës e më agresivë. Thuajse e pamundur të ndalosh në semaforë pa gjetur shumë prej tyre. Të mëdhenj e të vegjël që të dhunojnë ndërgjegjen me sense faji kur nuk ndalon t’u nxjerrësh monedhën. Po aq e dhunuar ndihesh edhe kur e bën ama, pasi nuk je kurrë e sigurt se paratë do të shkojnë për barkun bosh të fëmijëve apo për të kënaqur veset e prindërve të papërgjegjshëm. Ndihesh keq edhe thjesht pse një fëmijë duket më fatkeq se ai i 500 metrave përpara e nuk di ku të ndalosh më parë.

Nuk jam e sigurt nëse ky lloj vëzhgimi “semplist” është një mënyrë për ta gjetur krizën, por jam e sigurt se ndeshemi çdo ditë me një tension social në rritje në rrugët tona. Në të njëjtat rrugë ku vriten biznesmenë, gjyqtarë dhe ku grabiten taksistë e salla kazinosh, ku klonohen kartat e bankomatit dhe ku destabiliteti shoqëror tronditet herë pas here nga krime të bujshme.

Më i rrezikshëm se ky lloj agresiviteti në rritje është gjumi letargjik shoqëror që na përfshin të gjithëve. Një indiferencë përbashkësore, pjellë e një individualizmi të sëmurë lindur për të kundërshtuar kolektivizmin komunist, por që po jeton duke minuar ndërgjegjen qytetare. Çdo ditë kronika e zezë mbushet plot dhe asnjë analizë serioze mbi shkaqet, arsyet apo mundësitë e parandalimit nuk e gjen jo vetëm në media, por as nga institucionet të ngarkuara për këtë.

Të përshtatur me jo të mirën deri në kufijtë e mosnjohjes së saj, jemi shpesh spektatorë indiferentë të pakomoditetit jetësor që kemi.

Çdo ditë gazetat më të mëdha sot në botë raportojnë për agresivitetin social në rritje, rritjen e kriminalitetit, sidomos grabitjes e mashtrimit. Çdo ditë në shtypin botëror vihet theksi në ndryshimet e mëdha strukturore të botëqeverisjes që po ndodhin, me gjithë pasojat që çdo qenie e këtij planeti mund të përballet.

Reportazhi i CNN për situatën e të pastrehëve në Greqi që kanë mbushur poshtëurat, shkon përkrah masave shtrënguese në Francë për njerëzit e rrugës deri në fushata arrestimesh. Në Itali pensionistët vjedhin një mollë a një biftek nëpër supermarkete duke u turpëruar çdo ditë për pamundësinë që keqqeverisja u la për të jetuar në mënyrë dinjitoze. Ndërsa 2 mëngjese të shkuara, një biznesmen shpirtmirë, i cili nuk mundi të paguante punëtorët e tij, vrau veten.

Christen Lagarde tha dje: “Nuk ka asnjë ekonomi në botë, qoftë me të ardhura të ulëta, tregje në zhvillim, vendet me të ardhura të mesme, ose ekonomitë super të avancuara që janë imune ndaj krizës që ne shohim jo vetëm të shpalosur, por të shkallëzuar".

Sado të vetëshpallemi imunë ndaj krizës, me sa duket kjo nuk na bën të tillë. Por a jemi të përgatitur për skenarin më të keq? Qoftë të bjerrjes së ekonomisë sonë, qoftë të shpërbërjes së euros? A ekziston një dialog shoqëror mbi atë ç’po ndodh në botë sot dhe për çfarë duhet të përgatitemi?

Kush duhet t’u thotë shqiptarëve se çfarë mund të ndodhë me lekun nëse në më të keqin e opsioneve euro shpërbëhet? Çfarë do të ndodhë me kursimet që shqiptarët besëpakë prej oshilacioneve të lekut i kanë besuar euros, duke përkthyer punën e tyre në kartëmonedhën e përbashkët europiane? Çfarë duhet të bëjnë sot? Cila është valuta më e sigurt, a është leku i garantuar sot? A jemi të përgatitur qytetarisht të përballojmë një krizë ekonomike, e cila mund të destabilizojë edhe rendin siç ka bërë në Britani, Spanjë, Itali, Greqi etj.? A është e gatshme ekonomia jonë të integrojë emigrantët që kanë humbur punën e po kthehen në atdhe ditë pas dite?

Nuk di nëse dikush prej atyre njerëzve të trotuareve është një emigrant i kthyer në atdhe apo dikush që ka humbur punën për shkurtime buxhetesh në bizneset shqiptare. Kushdo qofshin, ata kanë nevojë jo vetëm për përgjigjet e këtyre pyetjeve, por edhe për t’u bashkuar në një vetëdije dhe solidaritet social për kohët e vështira ku na duhet të jetojmë.

"Shqip"

KOMENTE